Nga Shaban Burri
Të nderuar lexues, ju kërkoj ndjesë që ky tekst doli paksa i gjatë dhe mos më gjykoni për këtë. Por rëndësia e madhe dhe aktualiteti i jashtëzakonshëm i kësaj teme thjesht nuk më lanë zgjedhje tjetër! Ju faleminderit për kohën dhe vëmendjen tuaj.
Në artikullin tim të parë, u përpoqa të shpreh admirimin tim për lëvizjen studentore dhe të nxjerr në pah rreziqet e mundshme. Sot, do të doja të shqyrtoja disa nga ngjarjet e shumta në histori, idealet e të cilave të mëdha në fund të fundit u shembën mbi nacionalizmin.
Kush nuk e njeh historinë, është i dënuar ta përsërisë atë. Lufta e guximshme e studentëve të sotëm kundër korrupsionit, ftohtësisë së sistemit dhe shkatërrimit të kohezionit shoqëror është një rreze shprese. Por një vështrim në të kaluarën tregon se çdo lëvizje e madhe, pikërisht në këtë pikë, rrezikon të grabitet. Elitat e konsoliduara përdorin gjithmonë të njëjtën taktikë: ata e orientojnë zemërimin e drejtë të rrugës drejt rrugëve nacionaliste dhe prapakthyese.
Këtë e pamë 1968 me “Make Love Not War”, ku dëshira për dashuri të vërtetë dhe paqe u shndërrua në seks pa kufizim dhe u përdor nga kundërshtarët për të shkatërruar vlerat familjare. E pamë në Revolucionin Francez 1789, ku idealet e lirisë dhe vëllazërisë përfunduan në nacionalizmin agresiv të Napoleonit dhe në sulmin ndaj Rusisë. Dhe e pamë në kapitullin më të errët të shekullit të 20-të, kur shqetësimet e drejta sociale të qytetarëve u rrëmbyen nga nacionalsocialistët (Hitleri) për të ndërtuar një diktaturë përmes votës.
Për të kuptuar këtë rrezik, mjafton të shohim disa shembuj të tjerë të qartë:
Trauma indiane (Mahatma Gandhi, 1947):
Mahatma Gandhi luftoi për një Indi të bashkuar dhe të lirë, ku të gjitha fetë dhe njerëzit të jetonin në paqe në një komunitet të madh. Por pak para fitores, forcat elitare shfrytëzuan frikën dhe e ndanë lëvizjen përgjatë vijave fetare-nacionaliste. Rezultati nuk ishte një bashkëjetesë paqësore, por ndarja e përgjakshme e vendit në Indi dhe Pakistan. Vizioni universial i Gandhit u shkatërrua nga urrejtja e nacionalizmit.
Pranvera e Popujve në Evropë (1848):
Kudo në Evropë, studentët dhe qytetarët ngritën barrikada së bashku për të kërkuar liri, demokraci dhe fundin e sundimit të korruptuar të aristokracisë. Sundimtarët e vjetër e shpëtuan pushtetin e tyre duke i nxitur popujt kundër njëri-tjetrit. Nga lufta e përbashkët për të drejtat civile lindi një garë agresive shtetesh nacionaliste, e cila hodhi themelet për luftërat e mëdha të shekullit të 20-të.
Pranvera Arabe (2011): Miliona të rinj në Egjipt, Libi Tunesi dhe Siri dolën së bashku në rrugë për të kërkuar liri, drejtësi sociale dhe fundin e korrupsionit. Megjithatë, elitat e vjetra ushtarake dhe politike arritën ta devijojnë këtë shpresë duke nxitur një histeri hiper-nacionaliste („ne kundër agjentëve të huaj“) dhe përçarje të përgjakshme. Thirrja e pastër për demokraci u mbyt në emër të „sigurisë kombëtare“, duke i kthyer vendet mbrapa në diktatura apo konflikte.
Rasti më i fundit në Beograd (Tetor 2026):
Pikërisht tani po shohim se si funksionon ky mekanizëm në kohë reale. Sulmi i fundit para ambasadës izraelite në Beograd u shfrytëzua menjëherë nga elitat e vjetra politike. Përmes shpalljes së nivelit më të lartë të alarmit për terrorizëm, pushtetarët përpiqen të ndryshojnë fokusin e opinionit publik. Mesazhi i tyre i fshehtë është i qartë: në kohë rreziku, ju keni nevojë për ne si “mbrojtës të kombit”. Kjo është një taktikë klasike devijimi. Qëllimi është që vëmendja e shoqërisë të largohet nga kërkesat legjitime të studentëve për reforma dhe korrupsion, dhe të zhvendoset te frika dhe gjendja e jashtëzakonshme.
Sido që të jetë – në Revolucionin Francez, te Gandhi, në Luftën 1994 në Kongo dhe Ruandë (Hutu/Tutsi) apo sot në Ballkan: sapo njerëzit solidarizohen përtej kufijve për drejtësi, të pushtetshmit shtypin „butonin nacionalist“. Lufta e Kongos dhe Ruandës është një kujtesë e idht e historisë së re: aty ku rinia kërkoi çlirimin nga korrupsioni, elitat ndezën urrejtjen etno-nacionaliste për të fshehur plaçkitjen e pasurive të vendit – një lojë cinike që kushtoi miliona jetë njerëzish. Jugoslavin spo e përmendi hiç. Nacionalizmi nuk shëron plagë dhe nuk mbron familje – ai është mjeti më efektiv dhe më brutal i elitave për të ndaluar përparimin moral të njerëzimit.
Studentët e sotëm duhet t’i kuptojnë këto modele. Suksesi i tyre nuk guxon të bëhet karburant për nacionalizmin e së nesërmes.
















