Teza prej Adhamudhi e Shqipërisë turistike

Ngjarja e ndodhur në Dhërmi përgënjeshtron në mënyrë dramatike të gjithë fabulën publicitare të Shqipërisë turistike. Jo se ngjarje të tilla përjashtohen gjetkë, por sepse incidenca e tyre e ekspozon vendin tonë si të pëpërgatitur për të luajtur rolin e një destinacioni turistik kryesor.

Sigurisht që reklama nuk ka munguar; në fund të fundit kjo është edhe fusha ku qeveria e tanishme shkëlqen. Gënjeshtra dhe mbulimi, lustra e copëzave, rrëfimi i një realiteti fragmentar, është specialitet i një elite që në të vërtetë po përgatit aktin e fundit ekonomik për turizmin: kapjen e burimeve kryesore për t’u shndërruar në mikpritëse, shfrytëzuese, kliente dhe sipërmarrëse e zonave më të bukura të vendit.

Një i ri qëlloi në ajër në një lokal shumë të frekuentuar. Vitin e kaluar një qytetar rus u vra nga një motoskaf. Ku qëndron ndryshimi parë nga perspektiva e sigurisë? Askund. Madje jemi në një situatë më të keqe.

Ngjarja, bashkë me mbytjet e vazhdueshme në plazhe, apo ndotjen mjedisore të pamenaxhueshme, siç është rasti i fundit i djegies së gomave në Vlorë, plotësojnë kuadrin e asaj Shqipërie që është e vërteta: kaos, drogë, krim, ndotje dhe pak bukuri e egër e mbetur si xhingël shkëlqyese për t’u tundur nga qeveria e radhës. Nuk po flasim për mungesën e shërbimeve, të ujit, për çmimet e pakategorizuara që i ngjajnë gjobave, për katastrofën urbanistike të qyteteve bregdetare të Jugut dhe Veriut, të cilat mbahen në heshtje pse janë pjesë e axhendave ekonomike që nisin nga qeveria e zbresin poshtë.

Nuk po flasim as për harbutërinë e përdorimit të plazheve pa lënë asnjë hapësirë publike, ku pasuria e përbashkët po akaparohet për ta kthyer edhe bregdetin në një zonë të taksueshme për të gjithë.

Këto i dimë dhe në mënyrë fatkeqe dhe mjerane kemi ulur kokën dhe i pranojmë. Po flasim për krismat në mes elitës sonë që duhet t’ia kishte siguruar të paktën qetësinë vetes. Ato krisma armësh që janë zeja e parë e rinisë së sotme që pushon me kobure në brez, që vazhdon edhe kur vishet me shapka me gisht pazarin e lënë në Tiranë. Sepse fundja nga Tirana burojnë të gjithë sëmundjet e këtij vendi.

Sigurisht do ketë edhe në ditët në vazhdim artikuj lavdërues, video të përgatitura me mrekullitë që nuk thuhen, si e si që problemet e thella të mbahen të ngujuara në përkufizimet e thata dhe empirike si “ngjarje sporadike”, “motive të dobëta” e të tjera si këto. Sepse në vendin tonë edhe qetësia është shumë e zhurmshme, e mbushur me qitje armësh, me arratisje, me zjarre pa autor dhe me plehëra që duken e zhduken sipas sezoneve.

Shqipëria e Adhamudhit – sipas versionit cinik e të padrejtë të Çajupit për Adamidin- është edhe kështu turistike. Sepse po të vjedhim një improvizim adhamudhesk: ajo nuk është monotone. Aty gjithësecili që vjen, i bie rruga këtej, apo edhe thjesht rastis të dëgjojë për të, ka se çfarë të kërrejë për të shpëtuar mërzinë: kush një copë, kush një parcelë hashashi, kun një leje, kush gëzime të papërshkruara dhe origjinale, e dikush tjetër edhe dashurinë e iluzioneve të veta. Ndaj ngjarja e Dhërmiut nuk është çudi që të kapitalizohet për një turizëm të një tjetër lloji, bash si ai i pas vitit 1997, kur shumë të huaj që vinin këtu, donin me çdo kusht të qëllonin “me kallash”, apo edhe të dilnin një fotografi me të. Nuk ka ndryshuar shumë qysh atëherë, thjesht shqiptarët vishen më mirë, nuk janë më aq spontanë, por huqet janë po ato. Madje tani kanë edhe kryeministrin avokat kryesor që e pikturon me fjalë këtë koshere ku nuk dihet se çfarë të sjell ora.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne