Thaçi bisedë telefonike me të dërguarin amerikan për dialogun: Mundësi për një marrëveshje përfundimtare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Emërimi juaj shton besimin tonë në këtë proces dhe në mundësinë për të arritur një marrëveshje të paqes, përfundimtare, me Serbinë”, është shprehur presidenti Thaçi në këtë bisedë telefonike, njofton Presidenca e Kosovës.

Presidenti Thaçi i ka thënë ambasadorit Grenell, se emërimi i tij “është konfirmim i përkushtimit personal të presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se do të zhvillojë një bisedë telefonike me ambasadorin Grenell.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar. Ato janë lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili e mirëpriti emërimin e të dërguarit të posaçëm amerikan, duke thënë se SHBA-ja dhe BE-ja do të vazhdojnë angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor./balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne