Thaçi deklaron pafajësinë në Hagë: I hedh poshtë akuzat

“I kam dëgjuar, lexuar dhe i hedh poshtë”, ka deklaruar Hashim Thaçi për akuzat, sot në daljen e parë në seancë përballë trupit gjykues në Gjykatën Speciale. Kur gjykatësi e pyeti nëse i ka kuptuar akuzat, ish-shefi politik i UÇK-së është përgjigjur duke deklaruar pafajësinë. Një sekretar i Speciales i ka lexuar akuzat e rënda ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Përsëris se akuza është e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës dhe i hedh poshtë si të paqëndrueshme”, ka deklaruar Thaçi.

Gjykatësi Nicolas Guillou i ka thënë Thaçit paraprakisht se sot s’është koha që t’i kontestojë akuzat ndaj tij.

David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi ka pasur disa kritika për praktikat e Gjykatës Speciale qysh në fillim të seancës së parë ndaj tij. Ai ka thënë se për shkak të mos kryerjes së detyrave si duhet nga Specialja, sot s’kanë mundur të paraqiten me ekipin e plotë të avokatëve.

“Është me keqardhje që them se ky proces është realizuar pa e njoftuar mbrojtjen në kohën e duhur. Unë ju premtoj se do të bashkëpunoj me gjykatën ashtu siç bëri Thaçi gjatë gjithë këtyre viteve. Gjykata po heton këto çështje më shumë se 5 vjet kurse aktakuza është bërë para 6 muajve. Nuk ishte e mundur që të themelohet një ekip mbrojtës, nuk ishte e mundur që të silleshin këtu njerëzit që duheshin. Është e vështirë të kuptohet pse kjo është bërë në këtë mënyrë”, ka thënë ai.

Arrestimi

Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimn u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

Aktakuza

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, e Jakup Krasniqi, sipas aktakuzës së publikuar nga Specialja, kishin dhënë udhëzime, instruksione dhe urdhra lidhur me kundërshtarët e tyre, por, përveç kësaj, ata thuhet të kenë marrë pjesë personalisht në frikësimin, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve.

Në aktakuzë përmenden disa raste, kur të njëjtët sipas dëshmitarëve janë parë në situata të tilla, si në Rahovec, kur pretendohet se ishin burgosur disa civilë serbë, ku ishin prezentë Thaçi, Veseli e Selimi.

Në një nga pikat përmendet se Thaçi e Selimi kishin bërë disa veprime në frikësimin mbi njësitë që ishin të lidhura me LDK-në, duke iu referuar FARK-ut.

“Në disa raste, përfshirë atë në fillim të shtatorit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi kërcënuan dhe përdorën forcë mbi njësitet e lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) që lidheshin me Qeverinë në ekzil”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë.

Pse nuk është në aktakuzë “Shtëpia e verdhë”?

David Hooper, akovat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka pyetur Prokuorinë e Specializuar dhe gjykatësin e Procedurës Paraprake se ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, mbi të cilat u themelua Gjykata Speciale. “Ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, sepse këto ishin shumë të rëndësishme për lindjen e kësaj gjykate”, ka pyetur Hooper.

Avokati David Hooper ka thënë se në javë e ardhshme do të kërkojnë lirim të përkohshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Unë mund ta paraqes këtu Thaçin si njeri me dinjitet dhe ndershmëri, njeri që i ka shërbyer vendit në liri dhe paqe, burrë që ka arritur shumë dhe nuk i meriton këto pretendime”, ka thënë ai.

Hooper ka thënë se Thaçi doli mbi luftën e UÇK-së si zëri i arsyes, duke shtuar se ishte pikërisht ai personi që çoi vendin drejt pavarësisë.

“Pse nuk përmenden në aktakuzë pretendimet për vjedhjen e organeve njerëzore dhe shtëpia e verdhë?”

Avokati David Hooper ka pyetur se ku janë pretendimet për vjedhjen e organeve njerëzore dhe historia e “shtëpisë së verdhë”. Ai ka thënë se në këto pretendime jo që është njollë për Kosovën dhe kosovarët, por sipas tij, nga ai pretendim i krijua Gjykata Speciale.

Hooper ka thënë se në Gjykatën Speciale nuk ka asnjë emblemë të Kosovës.

“Dua të bëjë të qartë se ai e kundërshton të gjithë narrativen e paraqitur nga prokuroria. Ne jemi në dijeni që prokuroria ka deklaruar që qysh në qershor i është dorëzuar një aktakuzë, megjithëse është e çuditshme. Aktakuza është e paredaktuar dhe është e pakuptueshme. Kur e shikojmë aktakuzën themi ku janë akuzat për vjedhjen e organeve dhe shtëpinë e verdhë sepse ky ishte pretendimi?”, ka thënë ai.

Hooper ka thënë se aktakuza është thjesht një përmbledhje të incidenteve që janë gjykuar në gjykatat në Kosovë dhe gjykatën e ish-Jugosllavisë

Hooper kundërshton sjelljen me pranga të Thaçit

Hooper ka thënë se është habitur kur e ka parë Thaçin të sillet në dhomën e gjykimit me pranga në duar. Ai ka thënë se kjo është për të ardhur turp.  “Nuk jeni organ ndëshkimi, nuk besoj se jeni kështu, shpresoj të mos jetë kështu, e të mos uleni integritetin e personit deri në at pikë”.

Ndërkaq gjykatësi i procedurës paraprake ka thënë se nuk ka trajtim të posaçëm për Thaçin sa i përket prangave.

“Sa i takon prangave, nuk ka trajtim të posaçëm për klientin tuaj, është procedurë që aplikojmë për çdo person që vjen në sallën e gjyqit”, reagoi gjyqtari./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne