Thaçi dekoron Nishanin me medaljen “Urdhri i Lirisë”

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani sot filloi vizitën e tij zyrtare në Kosovë, me ftesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti në largim i Shqipërisë Bujar Nishani, i ftuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot filloi vizitën e tij zyrtare në Kosovë. Me këtë rast, në sheshin “Ibrahim Rugova” Nishanit iu bë një pritje ceremoniale nga Garda e Nderit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK).

Nishani dhe Thaçi zhvilluan edhe një takim në kabinetin e Presidentit kosovar, ku pas saj mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Me këtë rast, Presidenti i Kosovës Thaçi e dekoroi Nishanin me medaljen “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e tij për kombin shqiptar si dhe angazhimin e tij në njohjet dhe proceset e afirmimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gjatë fjalimit të tij, presidenti i Shqipërisë, Nishani tha se “Më shumë se sa Kosova askush, asnjë popull dhe asnjë vend nuk e njeh dimensionin e lirisë”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve Nishani theksoi rrugëtimin pothuajse njëshekullor të Kosovës dhe Shqipërisë drejt perëndimit dhe BE-së.

“Për popujt e dy vendeve dielli lind nga perëndimi. Edhe ky është një proces që ka rrugëtimin e tij dhe sfidat e veta, ka edhe stacionet pa dyshim, ka edhe përballje me këto sfida. Është një proces që ka nisur para 100 vitesh në filozofi, në parime dhe në përcaktim do të vazhdojë gjatë pa u ndikuar nga proceset politike që ndodhin në kuadrin e asaj që ne i themi ushtrimi i demokracisë”, tha presidenti Nishani.

Sipas tij, përkundër zhvillimeve të brendshme politike në Shqipëri, duhet të ketë kompromis në adresim të çështjes madhore, pra të integrimit evropian.

“Situatat e tilla siç është kjo situatë që kemi aktualisht në Shqipëri nuk e e ndihmon procesin. Por, unë jam i bindur se nuk do ta ndalojmë procesin, sepse ky proces është një përcaktim i shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë, nuk është zgjedhje e politikanëve. Përderisa nuk është zgjedhje e politikanëve por reflektim i tyre për shkak të përcaktimit qytetar, natyrisht që çdo vështirësi do të tejkalohet dhe do të ecim në proceset e integrimit në vijim”, tha Nishani.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi rëndësinë e konsolodimit politik dhe institucional për përshpejtimin e procesit të integrimeve si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë. Sipas tij, liberalizimi i vizave tani nuk po i ndodh Kosovës për shkak të paaftësisë institucionale dhe unitetit të Bashkimit Evropian në raport me Kosovën.

Duke folur për gjendjen politike në Kosovë, Thaçi tha se Kuvendi i Kosovës dje me mocionin e mosbesimit të Qeverisë ka marrë vendimin e vullnetit të vet, të deputetëve të partive të ndryshme dhe të komuniteteve të ndryshme. Tani sipas tij debatet e brendshme, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë janë të shëndetshme dhe se nuk shkaktojnë energji negative.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress