Thaçi dhe Vuçiç me deklarata në prag të takimit në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot përsëriti se ai nuk përfaqëson idenë e ndarjes ose shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, as formimin e Republikës Serbe në Kosovë, por synon një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që mund të përfshijë edhe korrigjimin e kufijve. Ndërkohë presidenti serb Aleksandar Vuçiç akuzoi zyrtarët e Prishtinës se nuk duan të bisedojnë për çështje thelbësore.

Këto deklarata të Thaçit dhe Vuçiçit vijnë në prag të takimit më 7 shtator në Bruksel në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në tryezën e rrumbullakët me temë “Çfarë do të thotë korrigjimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?” të cilin me presidentin Thaçi dhe pjesëtarët e shoqërisë civile e organizoi Instituti Demokratik i Kosovës, Thaçi tha se arritja e marrëveshjes përfundimtare paqësore me Serbinë nënkupton edhe demarkacionin e kufirit në gjatësi prej rreth 400 kilometrash dhe se ky është shansi të kërkohet bashkimi me Kosovën i komunave të jugut të Serbisë, Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ku jeton shumica shqiptare.

Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të thotë shkëputjen e Mitrovicës ose liqenit të Ujmanit të Kosovës, as që Bashkësia e Komunave Serbe do të ketë autorizime ekzekutive.

“Unë ende dëgjoj më shumë në Prishtinë për ndarjen e Kosovës sesa kam dëgjuar zyrtarisht nga Serbia. Nuk më është ofruar në ndonjë takim apo forum. Prandaj nuk po flas për ndarjen, nuk po flas për shkëmbimin, nuk e lejoj Republikën Serbe, por për të arritur marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, ne duhet ta mbyllim çështjen e kufijve, domethënë demarkacionin”, tha Thaçi.

Ai theksoi se shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur rastin përgjatë historisë që të prononcohen për kufijtë, por në hapësirën e Ballkanit gjithmonë kanë jetuar brenda kufijve të imponuar administrativ dhe se ky është rasti për të shkuar përpara dhe të negociohet për demarkacionin e kufirit me Serbinë, ndërsa vetë qytetarët e Kosovës në fund përmes referendumit do të prononcohen nëse janë për marrëveshjen ose jo. Thaçi theksoi se pa marrëveshje as Kosova, as Serbia nuk mund të hyjnë në Bashkimin Evropian.

“Për mua personalisht, as si president, as si qytetar, nuk është e mjaftueshme që të jemi të lirë dhe të pavarur, angazhimi ynë përfundon kur të bëhemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Si mund ta bindim Rusinë që të heqë veton për hyrjen e Kosovës në OKB pa marrëveshjen Kosovë-Serbi”, potencoi Thaçi duke shtuar se e njëjta vlen edhe për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë ose njohjen e Kosovës nga pesë anëtaret tjera të BE-së, të cilat këtë ende nuk e kanë bërë.

Presidenti i Kosovës gjithashtu deklaroi se Kosova dhe Serbia janë ende larg marrëveshjes, se arritja e marrëveshjes do të jetë e vështirë, por që askush nuk duhet të shqetësohet për arritjen e një marrëveshjeje që synon stabilitetin dhe paqen në rajon.

Ai porositi se qytetarët e Kosovës duhet të besojnë se vetëm marrëveshja me Serbinë shpie drejt anëtarësimit në NATO dhe BE dhe se në skenën politike ndërkombëtare tani është momenti i duhur për arritjen e marrëveshjes, veçmas pas marrëveshjes historike mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Ai gjithashtu tha se Kosova po përpiqet për një marrëveshje përfundimtare dhe jo kalimtare, që do të thotë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se Kosova do të ruajë multietnicitetin e saj. Ai gjithashtu theksoi se nuk ka afat kohor për arritjen e një marrëveshjeje, por që ka një tendencë që të arrihet deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, përpara zgjedhjeve në BE.

– Vuçiç: Zyrtarët shqiptarë nuk duan të flasin për asnjë çështje thelbësore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se në prag të dialogut në Bruksel që do të mbahet më 7 shtator, zyrtarët e Prishtinës nuk duan të bisedojnë për asnjë çështje me rëndësi thelbësore.

Këto komente Vuçiç i bëri në përgjigje të pyetjes nga agjencia e lajmeve Tanjug se si i sheh deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj për atë çfarë për ata nuk është temë e bisedimeve.

“Shoh se zyrtarët shqiptarë të Kosovës nuk duan të bisedojnë as për Bashkësinë e Komunave Serbe, as për veriun, as për Ujmanin…Duket se ata nuk duan të flasin për ndonjë gjë thelbësore”, tha presidenti Vuçiç.

Siç tha ai, “Serbia nuk ka kohë për të humbur dhe dëshiron të diskutojë për të gjitha temat që janë të rëndësishme për serbët dhe shqiptarët”.

Ai gjithashtu thekson se është koha që Beogradi dhe Prishtina të marrin përgjegjësinë.

“Është koha që ne të vendosim për fatin tonë, e jo ndokush tjetër të na caktojë nga anash”, porositi Vuçiç.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne