Thaçi: Djegia e flamurit të Turqisë, akt i shëmtuar dhe i dënueshëm

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media të mbajtur sot tha se djegia e flamurit është një akt i shëmtuar dhe është i dënueshëm nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke shtuar se “Turqia ka qenë dhe do të mbetet një partner strategjik i Kosovës”.

Thaçi duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve tha se djegia e flamurit të Turqisë është një akt i shëmtuar dhe i dënueshëm nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Turqia ka qenë dhe do të mbetet një partner strategjik i Kosovës. Djegia e flamurit është një akt i shëmtuar dhe është dënueshëm nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ata individë që kanë bërë këtë djegje nuk mund të identifikohen si simpatizues të këtij apo atij individi, të kësaj apo të asaj partie. Prandaj edhe pretendimet për etiketime janë të paqëndrueshme, derisa nuk është asnjë fakt i vetëm”, tha Thaçi.

Ai po ashtu u shpreh se sot ka dëgjuar edhe disa opinione se ky ka qenë një rast i improvizuar prej mekanizmave të caktuar për të dëmtuar relacionin ne mes të dy shteteve. “Dhe, ky është një informacion i saktë nga mekanizmat tonë të sigurisë, më së paku këtu qëndron politika e Kosovës”, tha ai.

Kujtojmë se dje në rrjete sociale është publikuar një video ku disa qytetarë djegin flamurin e Turqisë dhe më pas e hedhin në tokë dhe e shkelin. Në videon e publikuar në rrjetin social Facebook shihet se personat në fjalë përdorin shprehje ofenduese ndaj Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Po ashtu në video shihet se personat që e djegin flamurin shprehen se janë “në përkrahje të Gjergj Dedajt”.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne