Thaçi: E kemi përkrahjen e plotë të presidentit Trump

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se e ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për rifillimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë deri tek arritja e një marrëveshjeje finale midis dy vendeve.

Thaçi i cili ka qëndruar javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka zhvilluar takime të shumta me zyrtarë të shtetit amerikan por gjithashtu është takuar edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë në një konferencë për media se SHBA-ja po rikthehet fuqishëm në “procesin e kërkimit apo mundësisë së një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përfshirja e SHBA-së në procesin e dialogut siç tha presidenti kosovar, përbën një momentum të veçantë, për shkak se një gjë e tillë është kërkuar nga vetë pala kosovare, pas dështimit të Bashkimit Evropian të bëjë zgjidhje.

Sipas tij, përfshirja amerikane i bën reale gjasat e arritjes së diçkaje “të munguar për më tepër se dy dekada”.

“BE dhe shtetet anëtare të BE-së, ende nuk arritën t’i bindin pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa nuk shihet as në horizont ndonjë shpresë që BE t’i bindë këto vende ta njohin Kosovën lerë më ta bindin Serbinë ta bindë ta njoh Kosovën. Gjasat janë zero. Nuk shoh asnjë lloj shprese”, theksoi Thaçi.

Presidenti tha se vonesa në arritjen e një marrëveshje midis dy vendeve nuk është në interesin e Kosovës, duke bërë thirrje në unifikim politik për t’u treguar “të mençur në mënyrë që të shfrytëzojmë sa më shumë mundësinë për të marrë hapin tjetër strategjik për Kosovën”.

“Kam besim se edhe sot jemi në pozitën e njëjtë. Jam i bindur se unik e të bashkuar do të dalim faqebardhë, sepse kemi presidentin e SHBA-së, presidentin Trump, që ka shtuar vëmendjen për Kosovën dhe rajonin. Kemi një emisar të ngarkuar special amerikan, ambasadorin Grenell që me guxim dhe vizion po shtyn përpara dialogun, po arrin marrëveshje dhe po angazhohet maksimalisht për marrëveshjen tjetër të radhës, atë përfundimtare”.

Thaçi theksoi se Kosova, përveç miqve, ka dhe armiq dhe për këtë arsye gjithë spektri politik, institucional vendor duhet të jetë unik, gjë e cila do ta lehtësonte mbështetjen e partnerëve strategjik të vendit.

“Kjo është arsyeja pse nuk duhet të ketë dallim midis palëve, midis individëve. Ne të gjithë dëshirojmë që Kosova të jetë anëtare e NATO-s, BE-së dhe OKB-së sa më shpejt që të jetë e mundur. Është një detyrim si moral ashtu edhe kushtetues, për të gjithë ne”, tha Thaçi.

Ndryshe një thirrje e presidentit Thaçi i është bërë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti për t’u takuar gjatë ditës së sotme “për të unifikuar politikën e jashtme”, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Presidenti mbajti këtë konferencë në Presidencë, pasi kërkoi nga Kuvendi të mbajë seancë ku ai do t’i adresohej deputetëve me aktivitetet që ka bërë nga vizita në ShBA, por kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se “kërkesa për t’i adresuar Kuvendit duhet të dërgohet disa ditë më herët, në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të ketë kohë të mjaftueshme për ta organizuar seancën”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne