Rajoni

Thaçi e quan të dhimbshme marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka ritheksuar edhe një herë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë e rëndë dhe e dhimbshme.

Por, nuk ka sqaruar fort se pse do të jetë e tillë, ani pse ka vazhduar të thotë se kjo marrëveshje është e nevojshme për të ecur përpara drejt integrimeve euroatlantike dhe njohjes së Kosovës nga Serbia.

Gjatë një bashkëbisedimi të gjatë me studentë të Universitetit të Prishtinës,Thaçi ka insistuar se marrëveshja do të jetë mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane.

Mirëpo, për të gjitha, kreu i vendit ka thënë se beteja zhvillohet në fushë e jo duke qëndruar si spektatorë dhe duke akuzuar të tjerët.

“Beteja zhvillohet në fushë, jo vetëm me qenë spektator, por zhvillohet në tavolinë. Me së lehti është të akuzosh Thaçin, atë apo këtë, se po ulësh me përfaqësuesit serbë. Por të gjithë janë ulur dikush më herët dikush më vonë, mua me ka rënë pak me gjatë por mbaj përgjegjësinë time edhe kushtetuese edhe ligjore. Prandaj nëse ne arrijmë marrëveshje, që do të jetë shumë e rëndë, atëherë Kosova lëvizë shpejt për anëtarësim në NATO dhe perspektivë konkrete evropiane”, u shpreh Thaçi.

Ai ka thënë se marrëveshja  përfundimtare do të jetë e koordinuar me SHBA-të dhe BE-në.

“Një gjë ju siguroj, marrëveshja përfundimtare do të jetë e dakorduar plotësisht me SHBA-të dhe BE-në. Vetëm kjo garancë është besim për neve që mund të përmbyllim suksesshëm këtë proces”, tha Thaçi.

Studentët kanë pyetur presidentin Thaçi nëse marrëveshja me Serbinë do të sjellë për Kosovën të mira në aspektin e zhvillimit ekonomik, të cilët presidenti iu tregoi se do të organizohet një konferencë e donatorëve pas marrëveshjes përfundimtare.

“Mendohet që të organizohet një konferencë e donatorëve pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, për Kosovën por edhe për Serbinë, ku Kosova do të jetë përfituese shumë e madhe që pastaj do të vazhdohet edhe me zhvillim ekonomik dhe me plane konkrete zhvillimore që do të jenë drejtpërdrejtë ndikim në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve”, theksoi ai.

Kreu i shtetit ka folur edhe për liberalizimin e vizave, duke iu thënë studentëve se do tani është krijuar mundësi e mirë që të rinjtë të kenë mundësi të dalin në Evropë për të studiuar.

Për të parin e vendit nga vendimi i Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave është përfituese Kosova dhe qytetarët e saj dhe askush individualisht.

“Përfitues janë të gjithë, nuk është përfituese një gjeneratë, nuk është përfituese një adresë politike, këtu ka veç fitues për Kosovën, dhe këtu duhet të ndihen mirë dhe krenarë të gjithë. Tash, këta janë bartësit e institucioneve dhe nuk mund të ndërrohen. Mendoj që në këtë proces historik evropian, duhet të jenë pozitiv të gjithë për vendin dhe në asnjë rrethanë mos ta marrim shembullin e keq të ndonjë fqinji që shkon në Bruksel dhe e shanë vendin e vet për xhelozi politike”, u shpreh kreu i shtetit.

Presidenti Thaçi ripërsëriti se ai shpreson që deri kah viti i ri qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza.

OPINIONE