Thaçi: Njohja Kosovë-Izrael nuk e cenon partneritetin me Turqinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe se paralajmërimi i njohjes së ndërsjellë të shtetësisë midis Kosovës dhe Izraelit që u bë në Washington me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik më 4 shtator, nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin me Turqinë.

Thaçi nëpërmjet një konference për media, ku foli rreth marrëveshjes në Washington, tha se ka pranuar shqetësimin nga Liga Arabe dhe nga Turqia për çështjen e njohjes së ndërsjellë Kosovë-Izrael, por shtoi se për këtë ka diskutuar me telefon edhe me presidentin e Turqisë, Erdoğan.

“Shqetësimi që kemi marrë edhe nga Liga Arabe, por dhe nga presidenti Erdoğan sa i përket njohjes së ndërsjellë Izrael-Kosovë, unë jam në kontakt me presidentin Erdoğan, kam diskutuar në telefon dhe kjo njohje nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik dhe miqësor e vëllazëror me Turqinë. Kështu që tani do të kemi aleatë edhe më të mëdhenj edhe më të fuqishëm në rrafshin e fuqizimit global të shtetit të Kosovës”, tha Thaçi.

Duke folur rreth marrëveshjes së 4 shtatorit për normalizim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në prani të presidentit amerikan Donald Trump, Thaçi shprehu mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilat tha se kanë qëndruar pranë Kosovës në hapat e saj për liri, ndërtim të shtetit dhe integrime euro-atlantike.

Thaçi tha se ndihet krenar dhe i lumtur që pas punës së përbashkët për më tepër se dy vite me administratën e presidentit Trump dhe përkushtimin e emisarit Richard Grenell, arritën të formalizohen këto përpjekje.

“Kjo ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtij procesi jo të lehtë, në fakt shumë të vështirë, hasëm në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizimin e marrëveshjes, të gjitha këto u treguan të rrejshme, të paqëndrueshme dhe paragjykuese”, tha Thaçi, duke kritikuar zërat që paraprakisht këtë marrëveshje e konsideronin të dëmshme për vendin.

Presidenti kosovar tha se ajo çfarë është më e rëndësishmja është kthimi në lidership i SHBA-së në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi se sa i përket mungesës së tij në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, më me rëndësi se kjo është “shpirti dhe substanca e marrëveshjes”.

Delegacioni kosovar i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti bashkë me atë serb të kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, nënshkruan marrëveshje e cila u konsiderua historike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizim të marrëdhënieve ekonomike, që përfshin zhvillim ekonomik të të dyja vendeve ballkanike, rritje të mirëqenies sociale për qytetarët, projekte infrastrukturore, linja hekurudhore dhe autostrada dhe ujdi të tjera politike.

Ndërkaq, sot, delegacionet pritet të zhvillojnë takim në Bruksel. Ky është takimi i tretë i nivelit të lartë i dialogut Beograd-Prishtinë dhe i dyti me prezencë fizike në Bruksel që nga rifillimi i dialogut në korrik./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne