Thaçi: Protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me bllokimin e rrugës për të parandaluar shkuarjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç në fshatin Banjë të komunës Skenderaj tha se “protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një postim në rrjeteve sociale tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, ditë më parë kishte miratuar kërkesën për vizitën e Presidentit të Serbisë në Kosovë, duke përfshirë itinerarin e saktë. Por, sipas tij për shkak të rrethanave të reja të krijuara dhe ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe të vetë delegacionit të presidentit serb, sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për anulimin e vizitës së presidentit serb në fshatin Banjë.

“Si president i Kosovës, e mirëkuptoj plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, të cilët kanë shprehur revoltën e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta. Megjithatë, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë. Prandaj, unë e kuptoj edhe zhgënjimin e banorëve të komunitetit serb në fshatin Banjë, për pamundësinë e realizimit të kësaj vizite. Të gjithë duhet të përmbahemi dhe të tregojmë kulturë minimale njerëzore të mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor. Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit”, ka potencuar Thaçi.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi se ka tërhequr lejen e lëshuar me të cilën presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç do të vizitonte fshatin Banjë në komunën e Skenderajt.

Anulimi i lejes u bë pasi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarët e Skenderajt bllokuan me kamionë dhe drunjë rrugën Mitrovicë-Skenderaj për të parandaluar ardhjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç të vizitojë fshatin Banjë në këtë komunë. Në rrugë janë djegur edhe goma.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne