Rajoni

Thaçi shtyn datën e mbledhjes së parë të Legjislaturës së re të Kuvendit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kërkesës së shumicës së partive politike, ka ndryshuar datën e thirrjes së Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, thuhet se një gjë e tillë është vendosur duke respektuar kërkesën e shumicës së partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës “me sqarimin se data 24 dhjetor lidhet me pushimin për festën e Kërshëndellave”.

“Presidenti Thaçi ka vendosur që Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta thërrasë më datën 26 dhjetor, në orën 15:00”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë takuar herën e fundit më 11 dhjetor pasdite, krerët e të cilave nuk folën për media pas takimit. Zyrtari për informim nga LDK, Besian Mustafa, bëri të ditur se nuk ka pasur marrëveshje pas takimit. Nga ai u bë e ditur se do të intensifikohen takimet.

Në zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, duke siguruar 29 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike 28 ulëse. Për ta votuar qeverinë e re në Kuvend nevojitet një shumicë prej 61 votash nga 120 në total, ndërsa lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti për këtë është marrë vesh edhe me disa deputetë të minoriteteve në Kosovë të cilët ia kanë garantuar votën pro./AA