Rajoni

Thaçi: Të jemi të bashkuar në dënimin e gjenocidit të Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Enver Topalli në Teatrin Kombëtar të Prishtinës për të cilin tha se i përket veprimtarëve dhe atdhetarëve tipikë të viteve tetëdhjetë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga Zyra e Presidentit, Thaçi tha se intervenimi brutal i policisë jugosllave dhe vlerësimi i demonstratave të 1981-ës si kundër-revolucion e kishte bërë më të qartë vendosmërinë e elementit patriotik për të mos u pajtuar asnjë moment me politikën shtypëse të Beogradit, që kulmoi me ardhjen e Millosheviqit në krye të saj.

“Fatkeqësisht, më 19 maj 1999 Enver Topalli vritet në burgun e Dubravës. Të burgosurit shqiptarë, si të thuhet, me duar të lidhura, vriten në mënyrën më mizore brenda burgut”, ka thënë ai. Presidenti tha se krimi i kryer në Dubravë hyn në radhët e akteve më të rënda gjenocidale që shteti i Serbisë i ka kryer në Kosovë.

“Askush, edhe pas 20 viteve, nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre krimeve nuk doli para drejtësisë ndërkombëtare ose vendore”, theksoi Thaçi, i cili shtoi se me të drejtë Kuvendi i Republikës së Kosovës ditë më parë nxorri rezolutën që dënon gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

“Kjo ishte përgjigjja më e mirë e institucioneve të Republikës së Kosovës për pretenduesit e mohimit të krimeve dhe gjenocidit që ka kryer direkt shteti i Serbisë. Prandaj, sot, përsëri është koha të gjithë pa dallime edhe si politikë, institucione dhe si shoqëri të jemi të bashkuar në dënimin e gjenocidit të Serbisë dhe askush të mos bëhet pjesë e këtij bojkotimit të këtij dënimi apo mohimit të krimeve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ndau urdhrin “Hero i Kosovës” për Enver Topallin në 20-vjetorin e rënies./AA

OPINIONE