Rajoni

Thaçi thotë se nuk e kupton insistimin për largimin e kryesimit të tij në dialog

Presidenti Hashim Thaçi gjithnjë e më shumë po flet për prekjen e kufijve. Ai mohon ndarjen e Kosovës, por pranon se do të ketë korrigjim të kufijve shtetërorë. Në pyetjen se çka nënkupton vendosja e çështjes së Luginës së Preshevës në tavolinën e dialogut në Bruksel, ai tha se kjo nënkupton ridizajnimin e kufijve. Ka vazhduar akuzat për lajme të rreme në media, derisa e ka fajësuar opozitën për dështimin e bërjes së ushtrisë dhe liberalizimin e vizave.

Kosova do t’i korrigjojë kufijtë me Serbinë, pasi presidenti Hashim Thaçi i ka vënë vetës detyrë që brenda kufijve të saj ta fusë edhe Luginën e Preshevës. Por ai nuk tregon se çka do t’i ofrohet Serbisë në këmbim.
Në konferencën e 6 brenda pak ditësh, ku kryekëput flet për marrëveshjen finale me Serbinë dhe nevojën urgjente që ajo të përmbyllet, Thaçi serish ka sulmuar mediat për lajme të rreme, duke mohuar kategorikisht se Kosova do të ndahet.

Ai ka paralajmëruar se do të mbajë konferenca më shpesh, duke i cilësuar ato si kontribuuese në debatin për arritjen e një konsensusi politik në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ka shprehur frikën e vonimit në këtë proces e që do të ndikonte në rëndimin e gjendjes së Kosovës, raporton ktv. Edhe pse Kushtetuta e Republikës e përcakton se presidenti është faktor uniteti, ai sërish ka sulmuar kundërshtarët politikë të PDK-së, duke i bërë fajtorë se kanë penguar liberalizimin dhe krijimin e ushtrisë.

Hashim Thaçi u ka thënë gazetarëve se është presidenti më i votuar në Kosovë, andaj nuk e kupton insistimin e opozitës që ai të largohet nga kryesimi i dialogut final me Serbinë.

Duke iu dërguar përqafime deputetëve, tha se detyra e Kuvendit është të miratojë marrëveshjet e arritura.

Në një konferencë, ku vet ka folur 1 orë, në vetëm një fjali e ka përmendur liqenin e Gazivodës, duke thënë se qëndrimi i tij është i ditur, liqeni i takon Kosovës.

Burimi: Kosova post

OPINIONE