Shqiperia

“The Economist Espresso” skanon krizën politike në Shqipëri: Gjithnjë e më pak shanse për në BE

“The Economist Espresso”, një portal informativ në varësi të medias “mëmë”, “The Economist”, i ka kushtuar një hapësirë pasqyruese klimës tejet të polarizuar politike në Shqipëri. Shkrimi nis duke ngritur një pyetje lidhur me perspektivën evropiane të vendit, i cili ndonëse u vlerësua në raportin e paraqitur nga Komisioni Evropian në muajin maj, bëri “prapakthehu” nga ngurrimi dhe mospajtimi i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit. “Çfarë shansesh ka Shqipëria për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian? Muajin e kaluar, një raport i Komisionit Europian rekomandoi çeljen e negociatave të anëtarësimit. Më tej, më 18 qershor, disa nga vendet anëtare të Unionit ‘shkelën frenat’, duke u bazuar në arsyetimin se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e keqkualifikuar për t’u bërë pjesë e ‘klubit’ evropian.”- shkruhet në publikimin e kësaj platforme mediatike.

Më tej, shkrimi fokusohet në zhvillimet më të fundit të arenës politike, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve vendore të parashikuara për më datë 30 qershor, duke vënë theksin tek qendrimet diametralisht të kundërta mes palëve që pamundësojnë dialogun. “Zgjedhjet vendore të kësaj fundjave do të zhvillohen. Por, opozita pasi organizoi disa protesta anti-qeveritare në rang kombëtar, ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar anulimin dhe shtyrjen e votimeve, pa përcaktuar ende një datë tjetër nga 30 qershori. Megjithatë, mazhoranca e cilëson vendimin e kreut të shtetit si jokushtetues dhe ka ndërmarrë një nismë për shkarkimin e tij.

Në përmbyllje të kësaj përmbledhjeje përshkruese të aktualitetit politik në Shqipëri, nënvizohen akuzat e liderëve të opozitës së bashkuar joparlamentare, drejtuar kryeministrit Edi Rama, për fitoren e zgjedhjeve të fundit parlamentare falë ndihmës së krerëve të krimit të organizuar. Nisur nga këto predispozita, shkrimi mbyllet duke parashtruar pyetjen që heq paralele mes krizës së vitit ’97 dhe premisës së tanishme për shpërthimin e një konflikti civil. “Dhe si për të ndërlikuar çështjet, udhëheqësit e opozitës po akuzojnë kryeministrin Edi Rama për një fitore në sajë të ndihmës së bosëve të krimit të organizuar në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017. Ndërsa, Rama e mohon këtë akuzë. A nënkupton se kjo tablo se mund të ketë një përsëritje të krizës së vitit 1997, kur qytetarët konfiskuan tanke dhe detyruan që presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, të jepte dorëheqjen? Me siguri jo. Megjithatë, politika shqiptare mbetet një çështje e papëlqyeshme.”- shkruan “The Economist Expresso”./etleboro

OPINIONE