Shqiperia

‘The Guardian’: Rama, kryeministri i pazakontë që dëshiron të shpëtojë nga ‘mallkimi i historisë’

Prestigjozia britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull situatës politike në Shqipëri, protestave opozitare dhe sfidës për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

“Kryeministri i pazakontë që kërkon t’i shpëtojë mallkimit të historisë”, shkruan gazetari Shaun Walker, i cili ka vizituar Tiranën rreth një javë më parë..

ARTIKULLI I PLOTE:

Artisti dhe ish basketbollisti përballet me një betejë të vështirë për ta drejtuar Shqipërinë drejt rrugës së anëtarësimit në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dëshiron të jetë njeriu që e vendos vendin e tij në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ai po përballet me dy probleme të mëdha.

Në Europë udhëheqësit e lodhur nga zgjerimi duket se janë të vendosur në qëndrimin e tyre hezitues ndaj pranimit të anëtarëve të rinj potencialë, teksa ndjenjat populiste dhe europesimiste janë gjithnjë e më shumë në rritje, ndërsa në vend, Rama po përballet me demonstrata javore kundër qeverisjes së tij, nga një opozitë që është gjithashtu pro-BE-së, por akuzon qeverinë e tij për korrupsion dhe lidhjet me krimin e organizuar dhe po kërkon zgjedhje të parakohshme.

Në një intervistë në zyrën e tij në qendër të Tiranës javën e shkuar, Rama tha se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE do të thotë mundësi për t’u pozicionuar përfundimisht në një zonë të sigurt nga mallkimi i historisë.

Shqipëria ishte vendi i fundit në Europë që përmbysi regjimin komunist në vitin 1992, pas dekadash nënshtrimi nga terrori dhe izolimi nën diktaturën e Enver Hoxhës, një stalinist paranoid i Ballkanit.

“Ne ishim Koreja e Veriut e Europës”, tha Rama. “Ishim të izoluar nga perëndimi dhe të izoluar nga lindja. Kemi pasur regjimin komunist më mizor që ka njohur historia. Kjo është arsyeja pse jemi tani pro-amerikanë, pro-NATO, pro-BE … Ne kemi muslimanët më pro-europianë në botë. Sipas një sondazhi të vitit të kaluar, 95% e popullsisë besojnë se anëtarësimi në BE do të sjellë përfitime për vendin”.

Rënia e komunizmit u pasua nga një kapitalizëm i egër dhe si rrjedhojë qindra mijëra shqiptarë u nisën për në Itali dhe vende të tjera europiane. Midis tyre kishte fara të grupeve kriminale, të cilët u përhapën në të gjithë Europën dhe madje dhe u infiltruan në politikën vendase.

Detyra e Ramës ka qenë të bindë Komisionin Europian se reformat po ecin përpara, ndonëse ngadalë, pasi kritikët në vend e akuzojnë atë se po drejton një sistemi të kalbur.

Raport i publikuar nga Komisioni Europian muajin e kaluar vëren se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reforma të mjaftueshme për të filluar procesin e anëtarësimit, por vendimi përfundimtar është në dorën e udhëheqësve politikë të Europës dhe tani duket e pamundur që Samiti në fund të këtij muaj do të japë një dritë jeshilë.

Rama ende shpreson të ndryshojë mendjet. Në mesin e liderëve europianë, ai ka krijuar reputacionin e një magjistari jokonformist qysh kur mori kontrollin e qeverisë në vitin 2013. Një artist dhe ish-basketbollist profesionist, ai e priti gazetarin e The Guardian i veshur në stilin i tij, me një T-shirt dhe atlete.

Një kosh basketbolli zbukuron dhomën e pritjes jashtë ambjentit të tij të punës, ndërsa brenda zyrës, muret janë të veshura me skica me ngjyra të ndezura që Rama i bën ndërsa është duke punuar në zyrën e tij. Njëra prej tyre është një imazh i Alastair Campbell që shfaqet si heroi kombëtar shqiptar, Skënderbeu, sipër një kali me shpatë në njërën dorë dhe me një iPhone në dorën tjetër.

Rama e ka quajtur Tony Blair frymëzimin e tij kryesor në politik dhe e angazhoi Campbell si konsulent politik. Të dy mbeten “miq të mirë”, tha ai.

Ndërsa liderët europianë shqetësohen për optikën e brendshme politike për hapjen e negociatave të reja në një kohë kur ka pak interes për zgjerimin e BE-së, detyra e Ramës herë pas here ka qenë e vështirë.

“Mund t’ju them se Angela Merkel e kupton këtë plotësisht. Ajo është rritur në një vend komunist “, tha ai.

Udhëheqësit e tjerë janë më të vështirë për t’u bindur. Në samitin e BE-së në Sofje vitin e kaluar, Rama dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron u përfshinë në një debat të tensionuar mbi datën e fillimit të bisedimeve të pranimit në union.

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Ramës, tha se beson se Rama dhe Zoran Zaev,  i vendit të quajtur së fundmi Maqedonia e Veriut, duhet të shpërblehen për ndërmarrjen e  reformave të vështira. “Unë mendoj se ata të dy janë trajtuar shumë keq. Ata kanë marrë vendime shumë të dhimbshme, kanë rrezikuar mandatet e tyre, ndonjëherë edhe jetën e tyre …

Na përfshini në familjen tuaj,  nëse arrihet me procedura të përshpejtuara ose që zgjasin disa vjet. Le të vlerësojmë progresin, por, mbani fjalën tuaj.

Nuk është vetëm në Bruksel ku Rama po kalon një moment të ndërlikuar, pasi protestat javore kundër qeverisë së tij janë intensifikuar në vend. Fundjavën e kaluar, mijëra veta u mblodhën në rrugën kryesore të Tiranës, në një miting të zhurmshëm dhe të organizuar, duke valëvitur flamuj, balona dhe hedhur fishekzjarre. Ata u mblodhën duke thirrur “Rama, ik!” Dhe hodhën mjete piroteknike në drejtim të zyrës së kryeministrit, ndërsa policia vetëm shikonte.

“Ne kemi një kryeministër që është autoritar, arrogant dhe jo transparent”, tha Albana Vokshi, deputetja e Partisë Demokratike në opozitë, forca kryesore pas protestave. Ajo dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike dolën nga parlamenti këtë vit dhe po kërkojnë që Rama të japë dorëheqjen.

Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që zgjedhjet lokale të 30 qershorit të shtyhen, ndërsa Rama ka këmbëngulur se do të vazhdojë pa opozitën, duke thënë se ai nuk dëshiron të shpërblejë protestat në rrugë. Këtë javë ka pasur diskutime për të hequr presidentin me anë të votës në parlament, gjë që do ta zhyste vendin në një krizë të plotë kushtetuese ndërkohë që debatet mbi hyrjen në BE, kanë hyrë në një moment të vështirë.

Zor se kalon një muaj pa një skandal të ri që lidh ata që janë pranë pushtetit me figura kriminale. Një ish-ministër i Brendshëm pritet së shpejti të dalë në gjyq për akuzat për trafik droge. Javën e kaluar, tabloidi gjerman Bild publikoi materiale të zbuluara në të cilat dëgjohet një figurë famëkeqe e botës së krimit duke diskutuar zgjedhjet e vitit 2017 me dy kryebashkiakë nga Partia Socialiste e Ramës.

Rama nuk pranoi të thoshte nëse ai do të disiplinonte kryetarët e bashkive, duke pretenduar se ata nuk mund ta kishin njohur bashkëbiseduesin e tyre pasi ai ishte një figurë kriminale që më pas u arrestua nën akuzat për trafik droge.

Ai pranoi se Shqipëria ka ende probleme me korrupsionin dhe krimin, por këmbënguli që qeveria e tij po merr hapa realë për t’i luftuar ato dhe kërkon ndihmën e BE-së për ta bërë këtë. I gjithë gjyqësori i është nënshtruar vetingut, ndërsa agjencia e kufirit e BE-së Frontex ka nisur misionin e saj të parë jashtë BE-së në Shqipëri, për të ndihmuar në luftën kundër krimit ndërkufitar.

Ndërkohë që mbështetja ndërkombëtare për Ramën është dobësuar, pasi koha e tij në detyrë ka vazhduar për shkak të përshtypjes se lufta kundër korrupsionit është thjesht sipërfaqësore, pak vëzhgues neutralë besojnë se Partia Demokratike është më pak e prekur nga skandalet e blerjes së  votave dhe lidhjeve shqetësuese me krimin .

“Ne duhet të ndryshojmë më shumë se qeveria. Ne kemi nevojë për një sistem të ri, një zgjidhje për dekadat e ardhshme “, tha Blendi Fevziu, një gazetar veteran i cili drejton emisionin më të ndjekur televiziv me politikanë të ftuar.

Për Ramën, pavarësisht nga dëshira e ethshme për t’u bashkuar me BE-në, ekziston një shqetësim i vazhdueshëm për atë se si mund të duket BE-ja në kohën kur Shqipëria do të bashkohet me të.

“Duket sikur jemi të mallkuar, sepse kur BE ishte mirë, ne ishim keq; tani që po bëhemi më mirë, BE-ja po bie në telashe “, tha ai. Në veçanti, ai e shikon sagën e Brexit-it me mosbesim, dhe shprehu habinë e tij se Partia Laburiste kishte dëbuar mikut të tij të vjetër, Campbell.

” Ajo që po ndodh në Britani duket shumë ballkanike. Marrëveshje, asnjë marrëveshje, kufi i butë, kufi i vështirë, asnjë marrëveshje. Tamam Ballkan! Është si parlamenti i Bosnjes. Ndërkohë që ne po përpiqemi të Europianizohemi, duket sikur ata po Ballkanizohen./Lexo

OPINIONE