Bota

Thellohet kriza e energjisë elektrike në Gaza

Ndërprerjet e energjisë elektrike në Gaza deri në 20 orë në ditë po ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të palestinezëve në Gaza. Në orët e mbrëmjes kur nuk ka ndërprerje shtëpitë pothuajse po shndërrohen në punishte për shkak të pajisjeve elektrike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Rripin e Gazës ku jetojnë rreth 2 milionë njerëz, përveç bllokadës e cila po vazhdon me vite, për shkak të “krizës elektrike” palestinezët po detyrohen ta vazhdojnë jetën e tyre me qirinj dhe në kushte të vështira njerëzore.

Shtëpitë brenda periudhën 4 orëshe kur nuk ka ndërprerje, për shkak të zhurmës së pajisjeve elektrike po shndërrohen pothuajse në një punishte të vogël. Edhe shtëpia e familjes së palestinezit Mahmud Tejjim është njëra prej tyre.

Familja Tejjim në një deklaratë për gazetarin e AA-së shprehet se ndërprerjet e energjisë elektrike deri në 20 orë në ditë kanë ndikuar edhe në gjumin e tyre.

“Nata është shndërruar në ditë”

Nëna palestineze Merjem Teyyim (52) thotë se “Duhet të zgjohem në mesnatë për ta lëshuar lavatriçen dhe hekurin si dhe për t’i bërë punët e tjera të shtëpisë për të cilat nevojitet energji elektrike. Nata jonë është shndërruar në ditë”.

Ajo po ashtu u shpreh se koha me energji elektrike nuk është e mjaftueshme për t’i mbushur llambat e dritës dhe pajisjet tjera dhe se për këtë arsye pas orës së mbrëmjes po vazhdojnë një jetë me qirinj.

Kurse 12 vjeçari Ferah Tejjim, nxënës i shkollës së mesme tha se po detyrohet që të mësojë nën dritën e qiririt dhe se kjo është mjaft e mundimshme për të.

Askush nuk po e zgjat dorën e ndihmës”

Babai Mahmud Tejjim (55) thotë se jeta me qirinj është e rrezikshme posaçërisht për fëmijët. Duke rikujtuar se në rajon kanë ndodhur vdekje të shumta për shkak të zjarrit nga qirinjtë, babai palestinez tha se shqetësohet për fëmijët e tij.

Duke i vlerësuar këto përjetime si një “tragjedi e madhe”, Mahmud tha se “Gjendja njerëzore në Gaza po përkeqësohet çdo ditë. Askush nuk po e zgjat dorën e ndihmës”.

Pas ndërprerjes së prodhimit në termocentralin elektrik të Gazës gjatë muajit prill, Izraeli u bë burimi i vetëm elektrik i rajonit. Izraeli po plotësonte vetëm 120 megatav të nevojës elektrike 450 megavatëshe të Gazës. Qeveria palestineze kishte shkuar në reduktimin prej 30 për qind të pagesës mujore për energjinë elektrike të marrë nga Izraeli, ku pas kësaj edhe qeveria izraelite kishte shkuar në reduktim të energjisë elektrike të dhënë për Gazën.

Pas uljes së furnizimit me energji elektrike për 32 megavat nga pala izraelite, kriza e energjisë elektrike në Gaza u thellua edhe më shumë.

Në një deklaratë të mëparshme, presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, ishte shprehur se do të shkohet në zbatimin e disa masave për përfundimin e copëzimit të brendshëm të këtij vendi nga Hamasi, i cili e mban Gazën nën kontroll, si dhe për transferimin e menaxhimit të saj në qeverinë palestineze.

OPINIONE

INTERVISTA