Thirrja e Bashës nga Puka: Koha të shporrim Ramën! Ktheu vendin në moçal varfërie

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kuadër të turit të takimeve me strukturat lokale të demokratëve, ka nisur intensivisht edhe fushatën për 13 tetorin, datën kushtetuese të dekretuar nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Ndalesa e radhës e kryedemokratit ishte qyteti i Pukës, ku deklaroi se qeveria e kryeministrit Edi Rama, i ka shkaktuar një dëm të madh vendit dhe familjeve shqiptare gjatë qeverisjes 6-vjeçare. “Organizata e strukturuar kriminale e rilindjes, e shndërroi vendin në një moçal të papunësisë e të mjerimit, ku nuk ka më as punësim, as shanse për rininë, madje as krijim të familjeve të reja, siç informohem me shumë trishtim se po ndodh në Pukë e në të gjithë vendin”, është shprehur Basha.

Lideri i opozitës së bashkuar joparlamentare e ka cilësuar Parlamentin si landfillin e Republikës, ku çdo vendim i marrë prej tij, është kundër interesit publik. “Janë vendime për të vjedhur buxhetin, për të vjedhur pasuritë e vendit, për të vjedhur pyjet, malet, lumenjtë, mineralet, naftën, bregdetin, me PPP, koncesione, tendera. Kanë shpikur gjithëfarë mënyrash vetëm një qëllim: vjedhjen dhe grabitjen e pasurive të shqiptarëve, vjedhjen dhe grabitjen e taksave të shqiptarëve, për hesap të 5 bandave kriminale dhe 5 oligarkëve, që përbëjnë qeverinë e vërtetë të hajdutit psiqik Edi Rama”, theksoi Basha.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kreu i PD-së iu drejtua të pranishmëve në takim me thirrjen “ka ardhur koha ta shporrim këtë pakicë kriminale nga Puka dhe nga gjithë Shqipëria”. “Ashtu siç patëm paralajmëruar, 30 qershori u kthye në një referendum kombëtar “Rama ik”, u kthye në një varrezë politike të organizatës kriminale dhe hajdute të Rilindjes. 85 % e shqiptarëve treguan përmasat e vërteta të shumicës së re në vend, të shumicës “Rama ik”.- tha ndër të tjera Basha./Lapsi

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne