Ervin Salianji foli në “Kjo Javë” edhe për garën për Bashkinë e Tiranës. Florjan Binaj, kandidat i pavarur dhe i mbështetur nga opozita kandidon përballë socialistes, Ogerta Manastirliu.
Ish-deputeti i PD tha se Binaj po merr mbështetje masive në kryeqytet dhe këtë ai e shihte edhe nga takimet që ka zhvilluar vetë me qytetarët, duke mbështetur kandidatin e pavarur. Salianji tha se për shkak të popullaritetit të Binajt, Rama u detyrua të shtynte zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, për të fituar kohë, sipas tij, që të gjejë mekanizmat për këtë përballje elektorale.
“Për mua që në nisje ka hyrë në avantazh, aq shumë sa e ka detyruar të shtyjë zgjedhjet. Pra, Edi Rama i ka shtyrë zgjedhjet për t’i dhënë kohë, që të përdorë të gjithë mekanizmat e vet. Florian Binaj ka energjizuar pjesën gri në Tiranë”, u shpreh Salianji.
Ai tregoi edhe pritshmëritë e kandidatit të pavarur, duke shtuar se të dhënat e nxjerrin atë fitues përballë Manastirliut.
“PS në Tiranë është 48.2%. Të gjitha të dhënat janë që Florjan Binaj të jetë kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës për shkak të mbështetjes masive. Edhe ata që nuk e duan z.Berisha, duke votuar Binajn i japin mundësi për të treguar edhe PD-së, edhe shoqërisë që duhet të ketë ndryshime dhe profile të këtij lloji. është mundësi e artë për qytetarët e Tiranës t’i tregojë të gjithë shoqërisë që një kandidat që nuk i nënshtrohet urdhrave të partive politike por vjen si një nevojë e shoqërisë, por edhe si fakt i angazhimit të madh në kauza publike, të votohet dhe t’i tregohet partive kjo është rruga e duhur dhe boll se na keni lodh”, tha më tej Salianji./Bw


















