TIKA mbështetje për fermerët e Kosovës

Në fshatin Babimoc, afër Prishtinës sot është organizuar ceremonia e ndarjes së deleve dhe deshëve për fermerët e përzgjedhur në kuadër të Projektit për Fisnikërimin dhe Zhvillimin e Bagëtive të Imëta si pjesë e Programit për Mbështetjen e Sigurisë së Ushqimit dhe Jetesës, që implementohet në Kosovë nga ana e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Ceremonia e sotme ka filluar me shpërndarjen e 710 deleve dhe deshëve për 78 fermerë të zgjedhur nga 10 komuna të Kosovës, Dragash, Istog, Pejë, Prizren, Rahovec, Gjilan, Gjakovë, Viti, Malishevë dhe Kamenicë. Duke iu adresuar për fermerëve të pranishëm, ambasadorja turke në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, shfaqi shpresën se me këtë projekt do të mbështeten edhe ekonomitë e tyre familjare.

“Mund të them se ky është projekti më i madh dhe serioz deri tani në Kosovë për zhvillimin e bagëtive të imëta dhe shpresojmë se ky projekt do të realizojë zhvillimin e ekonomive familjare, ekonomive rurale dhe komunale ku këto dele do të ndahen, si dhe zhvillimin e qumështit dhe prodhimit të mishit”, tha ambasadorja turke.

Kryetari i Shoqatës për kultivimin e deleve dhe dhive, Emin Kollari, në emër të fermerëve të përzgjedhur falënderoi shtetin e Turqisë, aleatin shekullor të Kosovës.

“Shoqata e kultivuesve, në bashkëpunim me TIKA-n, realizoi projekt të shkëlqyer, i cili mundëson zhvillimin gradual të blegtorëve në Kosovë. Kjo gjithashtu është një mundësi e veçantë për zhvillimin profesional të kuadrit të Universitetit të Prishtinës, nga departamenti i blegtorisë dhe shkëmbimi i përvojës profesionale të Institutit të Kosovës me Institutin shtetëror turk”, tha Kollari. Ai shtoi se lut Zotin që shteti i Turqisë të mbetet ekonomikisht e fuqishëm.

Një nga fermerët e përzgjedhur ishte Azem Zogaj nga komuna e Malishevës, që mori tre desh dhe është mirënjohës ndaj TIKA-s për këtë ndihmë.

“Shpresojmë të kemi dobi nga këto desh, presim rezultate. Ata janë racë virtemberg, që e njohim më herët dhe që ka treguar performancë të mirë në Kosovë edhe vitin e kaluar. Shpresojmë që do të jemi të kënaqur”, tha Zogaj për AA.

Koordinatori i TIKA-s për Kosovën, Hasan Burak Ceran, fermerë të përzgjedhur, si dhe profesorë dhe studentë nga Universiteti i Prishtinës morën pjesë në këtë ceremoni.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne