TIKA do të restaurojë 5 monumente osmane në Shqipëri

Në një deklaratë nga Zyra Koordinative e TIKA-s në Tiranë thuhet se agjencia në Shqipëri përpos ndihmës teknike dhe projekteve për bashkëpunim, kanë marrë përsipër edhe misionin e mbrojtjes së pasurive të përbashkëta historike dhe kulturore, mbrojtjen e tyre, gjallërimin dhe përcjelljen te brezat e rinj dhe se me projektet e filluara për restaurimin e xhamive, kjo organizatë vazhdon t’u dalë zot edhe monumenteve osmane.

Në deklaratë rikujtohet se tashmë ka përfunduar restaurimi i xhamisë në Kalanë e Prezës, Xhamisë Murat Bej në Krujë, Xhamisë së Nazireshës në Elbasan, Xhamisë Iljaz Bej Mirahori në Korçë dhe Xhamisë së Plumbit në Berat. Ndërkaq, brenda muajit mars do të nisin punimet për restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytetin e Tiranës, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret në Berat dhe Teqesë Halveti dhe Xhamisë së Beqarëve në Berat.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se në vitin 2018 në Shqipëri planifikohet realizimi i një numri të madh të ndihmave teknike dhe projekteve të bashkëpunimit.

“Në kuadër të misionit për ruajtje të pasurive të përbashkëta historike dhe kulturore, mbrojtjen, gjallërimin dhe përcjelljen te gjeneratat e reja, kemi përcaktuar dhe përpiluar projektet, ku janë bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e restaurimit të pesë monumenteve të përbashkëta historike dhe kulturore. Punimet do të fillojnë brenda muajit mars të vitit 2018 dhe do të përfundojnë brenda dy vitesh”, thuhet në deklaratë.

Siç theksohet në deklaratë, TIKA në Shqipëri është aktive që nga viti 1996 dhe ka realizuar mbi 300 ndihma teknike dhe projekte të bashkëpunimit me qëllim mbështetjen e zhvillimit të Shqipërisë.

Xhamia e Et’hem Beut

Ndërtimi i Xhamisë së Et’hem Beu në kryeqytetin e Tiranës, e cila konsiderohet si një prej monumenteve më të rëndësishme të ngelura nga periudha osmane, ka filluar më vitin 1793 nga Molla Beu, ndërkaq është përfunduar në vitin 1821 nga i biri i Molla Beut, Et’hem Beu.

Duke shpëtuar nga rrënimi në periudhën e Enver Hoxhës, Xhamia e Et’hem Beut ka arritur në ditët e tona dhe cilësohet si një prej monumenteve të rralla osmane. Xhamia është restauruar në vitet 1870 dhe në 1985, megjithatë është mbyllur për shkak të periudhës komuniste në Shqipëri (1946-1985) për t’u rihapur për adhurim në vitin 1991.

E ndërtuar në një themel drejtkëndor, me një minare dhe një kupolë, xhamia posedon sipërfaqe prej 310 metra katrorë.

Pjesa e brendshme e murit dhe kupolës së xhamisë janë zbukuruar me teknika miniature të zbukurimeve fetare me motive lulesh dhe është shembull i veçantë i një përzierje të artit lokal oriental, barokut dhe linjës kryesore të artit osman.

Xhamia e Pazarit

Gjirokastra, qytet në jug të vendit, bën pjesë në mesin e qyteteve të rralla në Ballkan të cilët kanë ruajtur veçantitë arkitekturale të periudhës osmane. 

Xhamia e Pazarit në Gjirokastër është ndërtuar mes viteve 1754-1755 dhe deri më sot ka pësuar mjaft ndryshime. Në vitin 1967, ajo është mbyllur për adhurim nga regjimi i kohës dhe është përdorur si depo dhe fushë trajnimi për akrobatët. Pas rrëzimit të regjimit në vitin 1991, xhamia është rihapur sërish për adhurim.

Xhamia është në formë kubike, e ndërtuar mbi një kornizë tetëkëndore. Çatia e kupolës kryesore është e mbuluar me gurë. Në anën e djathtë gjendet një tyrbe me çati tetëkëndore e mbuluar me gurë.

Gjatë ndërtimit janë përdorur gurë gëlqeror të punuar me ngjyrë të bardhë dhe hiri. Arkitektura e kësaj xhamie përshtatet me arkitekturën e dyqaneve të çarshisë.

Xhamia Mbret dhe Teqeja Halveti

Xhamia Mbret është ndërtuar në vitin 1492 me dekretin e Sulltan Bajazidit të Dytë gjatë udhëtimit në Shqipëri në rrugën Ohër-Elbasan, duke shkuar drejt Vlorës.

Në çatinë e pjesës së mihrabit dhe pjesës së veçantë për gratë është përdorur dru i ngjyrosur dhe në të katër anët e dy çative me punime dore janë shënuar 99 emrat e Allahut. Në kupolat në mesin e çatisë bashkë me shënimet dhe shkrimet nga Kur’ani, gjenden dhe punime druri.

Nga ana tjetër, Teqeja Halveti është ndërtuar mes viteve 1781-1782 nga Kurt Ahmet Pasha për Shejh Hasanin dhe tarikatin Halveti.

Teqeja e cila është ndërtuar me gurë me teknika të murëzimit, përbëhet nga semahanja, tyrbeja dhe vendi i xhematit të fundit. Pjesa e semahanes është ndërtuar nga konstruksioni druror. Çatia është e mbuluar me tjegulla allaturka ndërkaq nga brenda është mbuluar me dru të ngjyrosur.

Xhamia e Beqarëve

Një tjetër monument osman në qytetin e Beratit është edhe Xhamia e Beqarëve, apo e njohur ndryshe dhe me emrin Xhamia e Sylejman Pashës. Ajo është ndërtuar nga i biri i vlonjatit Ibrahim Pasha, Sylejman Pasha, në vitin 1827-1828. Në sipërfaqet e mureve të brendshme dhe të jashtme të xhamisë gjenden zbukurime të realizuara me tekniken e afreskut, të cilat në përgjithësi gjenden në medaljonet, panelet e murit, rrethimet apo në brendi të kornizave. Temat e vizatuara në mure janë zakonisht nga natyra e vdekur, peizazhe dhe imazhe të qytetit. (Anadolu Agency-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne