Rajoni

TIKA vazhdon me investime në Kosovë, Kryetari Haskuka ka 3 lajme të mira për qytetarët e Prizrenit

Koordinatori për Kosovë nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Hasan Burak Ceran dhe përfaqësues të tjerë nga ky agjenci sot kanë realizuar një vizitë zyrtare në Komunën e Prizrenit, njofton Gazeta e Re.

Ata janë pritur nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, palët kanë shkëmbyer opinionet reciproke mbi projektet dhe aktivitetet që do të realizohen gjatë vitit në Komunën e Prizrenit.

Në një postim në rrjetin-social facebook, i pari i Prizrenit ka theksuar se me përfaqësuesit e TIKA-s është biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit në projektet si ndërtimi i çerdhes publike në lagjen Dardania, rregullimi i ambientit të Namazxhahut dhe restaurimi i ndërtesës së shkollës së parë të mesme në trojet shqiptare “Ruzhdije”, e cila pas përfundimit të punimeve do të përfitojë një pamje krejt më ndryshe.

Postimi i plotë i Haskukës:

“Sot në takim me koordinatorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA Kosova) në Prishtinë, Hasan Burak Ceran biseduam për vazhdimin e bashkëpunimit në projektet si ndërtimi i çerdhes publike në lagjen Dardania, rregullimi i ambientit të Namazxhahut dhe restaurimi i ndërtesës së shkollës së parë të mesme në trojet shqiptare “Ruzhdije”, e cila pas përfundimit të punimeve do të përfitojë një pamje krejt më ndryshe. Ky bashkëpunim i frytshëm do të vazhdojë edhe në projektet tjera që do të kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë, ekonomisë dhe trajnimin e të rinjve në fusha të ndryshme.”

Shkolla e parë e mesme në trojet shqiptare “Ruzhdije” Prizren