TIKA vazhdon ndihmat në Kosovë për shkak të COVID-19

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë në Komunën e Prizrenit pako me ndihma për familjet në nevojë, me qëllim të ruajtjes së mirëqenies shoqërore si pjesë e luftës kundër shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19) në Kosovë.

Në shpërndarjen e ndihmave në Komunën e Prizrenit morën pjesë kryekonsulli i Turqisë në Prizren, Serdar Özaydın, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka dhe koordinatori i TIKA-s për Prishtinë, Hasan Burak Ceran.

Özaydın në deklaratën tij tha se Turqia është ndër vendet kryesore në aspektin e ndihmave humanitare në nivel ndërkombëtar. Ai theksoi se Turqia në çdo sferë gjithmonë e mbështet Kosovën.

“Në drejtim të udhëzimeve të presidentit tonë, më 9 prill sollëm ndihmat mjekësore në Kosovë. Në mbarë Kosovën jemi duke ofruar ndihma ushqimore prej 32 tonësh. Dje në kryeqytetin, Prishtinë, familjeve në nevojë ua përcollëm 320 pako. Deri në javën e ardhshme në Prizren gjithsej 576 pako ushqimore do t’i jepen familjeve në nevojë”, tha kryekonsulli turk.

Haskuka, nga ana e tij, potencoi se ndihma e TIKA-s është ndihma më e madhe në komunën e Prizrenit në këtë periudhë të pandemisë.

“Në këtë pandemi botërore, ku të gjitha vendet të ndryshme po përballen me probleme të ndryshme, që nga problemet e mjeteve për parandalimin e COVID-19, po deri tek sigurimi i ndihmave familjeve të cilat kanë nevojë në këtë kohë pandemie për shkak të ndalimit të ekonomisë”, tha ai duke falënderuar Turqinë për ndihmat e dhënë.

Ai shtoi se për shkak të orës policore që tani është muaji i dytë me masa ndaluese, shumë familje kanë mbetur pa të ardhura.

TIKA në ditët në vijim do të vazhdojë shpërndarjen e pakove në 10 komuna të Kosovës.

Deri më tani në Kosovë nga COVID-19 kanë humbur jetën 12 persona, ndërsa 449 persona janë infektuar me virusin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne