Tillerson në krye të listës së personave që do të shkarkohen

Deklaratat dhe qëndrimet e pavarura të sekretarit amerikan të shtetit kanë irrituar presidentin amerikan Trump i cili Rex Tillerson e ka futur në krye të listës së personave që do të shkarkohen shumë shpejt nga detyra e tyre.

Një pjesë e stafit të presidentit amerikan Donald Trump janë larguar , të tjerë e kanë zbutur qëndrimin, por bashkëpunëtorë të Donald Trumpit që nuk ndajnë të njëjtat mendime me presidentin amerikan vazhdojnë të dalin, e më i fundit i tyre është as më shumë e as më pak sesa vet Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson. Kreu i diplomacisë amerikane u distancua nga përgjigjja e numrit një të Shtëpisë së Bardhë ndaj dhunës në Charlottesville. Komenti i tij për “Fox News”, kur moderatori e pyeti mbi promovimin e vlerave amerikane nëpër botë, e tregoi qartë një gjë të tillë. “Ne përfaqësojmë popullin amerikan, angazhimin e tij ndaj lirisë dhe trajtimit të njëjtë të njerëzve në mbarë globin, e ky mesazh nuk ka ndryshuar. Nuk besoj se dikush e vë në dyshim angazhimin e administratës amerikane, apo të agjencive qeveritare, që i avancojnë dhe i mbrojnë këto vlera”, tha Rex Tillerson. Komenti i Tillerson ishte në përgjigje të pyetjeve të ngritura nga një komision i OKB-së mbi racizmin dhe krimet e urrejtjes, sipas të cilit, udhëheqësit amerikanë nuk e kanë dënuar me aq forcë sa duhet supremacinë e bardhë. Trump u kritikua gjerësisht për deklaratat e tij pas ngjarjes në Charlotesville, kur tha se të dyja palët, aktivistë konservatorë e protestues të majtë, kishin pjesën e tyre të përgjegjësisë në përplasjet që shkaktuan vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e dhjetëra personave të tjerë.

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, ka dalë kundër dhe ka kritikuar deklaratat raciste të presidentit amerikan Donald Trump. Në intervistën për Fox News, sekretari Tillerson duke reaguar ndaj deklaratës së Trump mbi ngjarjen në Charlottesville tha se Trump flet nga ana e tij. Edhe më herët sekretari amerikan i shtetit kishte nxjerrë një deklaratë kundër veprimeve raciste. Në kohën kur shumica priste që presidenti amerikan të dënonte aktet e dhunës raciste në Virxhinia, Donald Trump reagoi duke bërë përgjegjës të dyja palët dhe kjo ngjalli shumë kritika ndaj tij. Në ngjarjen e Virxhinias më 12 gusht, një djalë i ri shtypi me makinën disa njerëz ku për pasojë 1 person humbi jetën dhe 19 të tjerë u plagosën. Më herët në mosmarrëveshjet më të fundit në Shtëpinë e Bardhë, ka dhënë dorëheqje asistenti special i presidentit Donald Trump. Sebastian Gorka, ditën e premte me anë të një letre protestuese drejtuar presidentit amerikan, ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij si këshilltar i Donald Trump. Gorka kishte detyrën e këshilltarit anti-terrorizëm për presidentin amerikan, mirëpo organizatat e sigurisë në Amerikë, nuk kanë konfirmuar besueshmërinë e tij për të qenë në Shtëpinë e Bardhë. Gorka është kritikuar disa herë për pikëpamje raciste dhe ai është një prej kundërshtarëve të fuqishëm të marrëveshjes bërthamore me Iranin. Gorka kishte thënë se marrëveshja bërthamore është një garanci shumë e keqe. Kur kanë kaluar 7 muaj nga ardhja në pushtet e Donald Trump, nga Shtëpia e Bardhë janë larguar këshilltari i sigurisë kombëtare, zëdhënësi informativ, shefi i stafit të shtëpisë së Bardhë, strategu kryesor dhe këshilltari anti-terrorizëm. Urdhrat, deklaratat dhe sjelljet e ndryshme të Donald Trump, janë bërë shkak që shumë politikanë të shprehen se Donald Trump nuk është i denjë për postin e presidentit./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne