Tirana mbi një thikë me dy presa

Petrit Aliaj

Prej vitesh, Tirana gjendet mbi një thikë me dy presa: nga njëra anë qëndron kapitali i saj diplomatik, si një spirancë e besueshme perëndimore në Ballkan, me një «çek të bardhë» që i është dhënë qeverisë në emër të qetësisë gjeopolitike; nga ana tjetër, përballet me revoltat popullore që po ushqen vetë ky shtet, i gërryer nga korrupsioni.

E gjithë Evropa po përjeton një dimër të nxehtë protestash sociale. Në Francë, Spanjë dhe Belgjikë, valët e pakënaqësisë janë shtrirë edhe në Gjermani, Britaninë e Madhe dhe Itali, ku qytetarët dhe autotransportuesit, të goditur nga kostot e papërballueshme të karburantit dhe të jetesës, kanë bllokuar rrugët në jug të vendit, ndërsa në Milano janë shënuar përplasje të forta me forcat e rendit. Në këtë valë protestash janë përfshirë edhe shqiptarët e diasporës, të cilët prej katër muajsh kanë dalë në sheshet evropiane për të shprehur pakënaqësinë dhe solidaritetin e tyre me kërkesat për ndryshim në Shqipëri. Sheshet e Evropës janë kthyer tashmë në arena të zemërimit të brezit të ri, që nuk pajtohet më me një realitet të perceptuar si i padrejtë dhe i dhunshëm, duke vënë në pikëpyetje edhe themelet institucionale të demokracive të tyre.

Por do të ishte gabim ta shihnim Tiranën thjesht si një përsëritje të kësaj rrëmuje. Përpara godinave qeveritare nuk kemi të bëjmë me grupe që kërkojnë përplasjen për hir të përplasjes, por me një mobilizim politik të pjekur, të pagëzuar si «Revolucioni i Flamingove». Studentët, akademikët dhe shoqëria civile kërkojnë të njëjtën gjë: një shtet që t’i shërbejë popullit dhe jo interesave të kupolës së pushtetit.

Për vite me radhë, Shqipëria, me një popullsi properëndimore, me orientim të qartë drejt NATO-s dhe me një ekzekutiv që di të flasë gjuhën e diplomacisë ndërkombëtare, u konsiderua një garanci stabiliteti. Kryeministri Edi Rama e kuptoi se kjo besueshmëri mund të shndërrohej në monedhë shkëmbimi: nga pritja e 3 000 refugjatëve afganë në vitin 2021, deri te protokolli me Italinë për migrantët dhe ngritja e kampeve në Shëngjin. Përmes këtyre marrëveshjeve, ai ka fituar mbështetjen e kryeqyteteve perëndimore, të interesuara për kontrollin e kufijve. Por kjo mbështetje, e përqendruar te ruajtja e stabilitetit politik, ka lënë në hije cilësinë e institucioneve. Është një model i vjetër sjelljeje, që daton që nga tranzicioni pas vitit 1991, kur dy partitë e mëdha u mësuan ta trajtonin shtetin si një mekanizëm klientelist.

Pasojat e këtij çekuilibri duken qartë te Zvërneci dhe Sazani. Për t’i hapur rrugën projektit turistik të Affinity Partners, kompanisë së lidhur me Jared Kushnerin, janë ndërmarrë nisma dhe ndryshime ligjore që ngrenë pikëpyetje serioze mbi mbrojtjen e territorit dhe rrezikun e vënies së interesit publik nën atë privat.

Flamingoja rozë e lagunës së Nartës u shndërrua në simbol të kësaj përplasjeje. Protesta kaloi shpejt përtej çështjes mjedisore, duke u shndërruar në një lëvizje më të gjerë, që kërkon reforma në arsim, transparencë dhe dorëheqjen e qeverisë.

Këtu qëndron tehu i dytë i thikës: korrupsioni nuk është thjesht një problem i veçuar, por pasoja e një zinxhiri që ushqehet vetë. Kur pushteti nuk i jep llogari askujt, ligjet hartohen në funksion të interesave të ngushta dhe besimi te institucionet shkatërrohet.

Këtë e pasqyrojnë edhe shifrat e Transparency International. Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, Shqipëria mori 39 pikë nga 100, tri pikë më pak se një vit më parë, duke zbritur nga vendi i 80-të në të 91-in. Ky përkeqësim ngre pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e kontrollit të pushtetit dhe transparencën në vendimmarrjen publike.

Një nga pasojat më të rënda është hemorragjia demografike. Sipas INSTAT-it, Shqipëria humbi rreth 28 500 banorë vetëm gjatë vitit 2025 dhe rreth 600 mijë që nga viti 2013. Ndërkohë, administrimi i shtetit duket sikur bëhet më i lehtë për një pushtet që nuk përballet me presionin e plotë të shoqërisë, sepse çdo qytetar që largohet është edhe një zë më pak që kërkon llogari. Kështu, kapja e shtetit bëhet edhe më e lehtë.

Për dekada me radhë, emigrimi ka funksionuar si një valvul shkarkimi për tensionet shoqërore. Por sot ai po ushqen të njëjtin mekanizëm që po e përflak shtetin, ndërsa as drejtësia, e vënë shpesh në qendër të debatit publik, nuk mund të pretendojë se është jashtë këtij sprovimi.

Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016 me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, krijoi SPAK-un dhe solli rezultate të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe çështjet që lidhen me drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, janë pjesë e sprovës së institucioneve të pavarura dhe e aftësisë së tyre për të vepruar në nivelet më të larta të pushtetit. Ky është një nga testet vendimtare të shtetit të së drejtës. Në të njëjtën kohë, në Parlament mungon një opozitë e fortë dhe e besueshme, e aftë të ushtrojë kontroll politik dhe të përfaqësojë pakënaqësinë qytetare.

Për Perëndimin, veçanërisht për Italinë, kjo është koha për të zgjedhur. Të vazhdosh ta shohësh Ramën si një digë të domosdoshme kundër krizave, në këmbim të marrëveshjeve për migrantët, do të thotë të përsërisësh gabimet historike të bëra në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme. Përvoja ka treguar se një partner i qëndrueshëm nuk është ai që përqendron pushtetin në pak duar, por ai që mbështetet te institucione funksionale, mekanizma kontrolli dhe ekuilibra demokratikë.

Vetë «Revolucioni i Flamingove» është një paralajmërim. Zgjedhja për Tiranën dhe rajonin nuk është mes zhvillimit dhe mjedisit, por mes një stabiliteti fasadë, që prodhon kriza të reja, dhe një stabiliteti të vërtetë, të ndërtuar mbi shtetin e së drejtës, përgjegjshmërinë institucionale dhe qytetarë që kanë arsye të besojnë se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në vendin e vet./fb

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne