Tiranë, eksploziv për herë të tretë banesës së të dënuarit për vrasje, shkak hasmëria

Një shpërthim me eksploziv ka tronditur gjatë natës Bathoren. Tritoli u vendos në garazhin e banesës së Gazmir Dacit, ndërsa nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Banesa e Dacit është tronditur edhe dy herë të tjera, fillimisht nga një granatë që është hedhur në oborrin e banesës pak vite më parë, ndërsa në 1 janar 2017 u vendos tritol në dyqanin në pronësi të familjes. Shkak i shpërthimit të sotëm, por edhe i atyre më parë dyshohet se janë konfliktet e vjetra dhe hasmëria, ndërkohë që policia po vijon hetimet për të zbardhur ngjarjen.

Informacioni i policisë
Më datë 27.07.2018, rreth orës 01:36 në rrugën “Martin Cami”, në banesën e shtetasit Xh. D., ka ndodhur një shpërthim nga lëndë e dyshuar eksplozivë, ku ka patur vetëm dëme materiale.  Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve dhe sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.

Kush është Gazmir Daci dhe konfliktet
Banesa ku u vendos tritoli në Bathore është e Gazmir Dacit, i cili është dënuar me 35 vite burg për vrasje dhe plagosje. Ai aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun e Vaqarrit për vrasjen e Valmir Kolaverit në 4 nëntor 2015, ndërsa ka plagosur rëndë vëllanë e tij Robert Kolaveri, i cili mbeti i paralizuar. Për shkak të kësaj ngjarje, në 31 korrik të 2016 ndaj tij u tentua një atentat nga jashtë burgut me snajper. Pas atentatit të dështuar në burg, policia arrestoi 24 orë pas sulmit dy autorët, Ergys Kolaveri 25 vjeç dhe kushëriri i tij, Enea Ceka 24 vjeç, të dy banues në Tiranë. Nga hetimet e policisë rezultoi se dy personat qëlluan me armë zjarri drejt Dacit nga një kodër drejt oborrit të burgut, por gabuan në shënjestër, pasi i plagosur mbeti një person nga Kosova.

Gazmir Daci

Skeda e përplasjeve Kolaveri-Daci
Atentatet ka zanafillën më në 4 nëntor 2015, me vrasjen me armë zjarri të Valmir Kolaverit dhe plagosjen e rëndë të vëllait të tij Robert Kolaveri. I dënuar për këtë vrasje është Gazmir Daci, objektivi i sulmit në Vaqarr.

Pas ngjarjes në 4 nëntorit 2015 që erdhi si pasojë e një konflikti të mëparshëm, vëllai i tretë Ergys Kolaveri, së bashku me kushëririn e tij kanë tentuar që të eliminojnë Gazmir Dacin, i cili ndodhet në burgun e Vaqarrit në Tiranë. Por duke ngatërruar shënjestër e duke plagosur personin e gabuar.

Dy vëllezërit Valmir dhe Robert Kolaveri u qëlluan me armë zjarri nga Gazmir Daci pas një konflikti në një lokal në qendër të Bathores në Tiranë. Ndërkohë, i arrestuari mësohet se ka qenë me dy vëllezerit në lokal, ku pas një grindjeje fillimisht verbale kanë dalë jashtë lokalit, dhe 27-vjeçari ka qëlluar disa herë me armë zjarri tip pistoletë, duke i lënë të dy të plagosur rëndë, ku më pas Valmir Kolaveri ka humbur jetën në Spitalin Ushtarak dhe Robert kolaveri mbeti i paralizuar.

Për këtë ngjarje policia do të arrestonte të kërkuarin Gazmir Daci. Ai u kap në dhomën 12 të një hoteli, në autostradën Durrës-Tiranë nga një operacion i zhvilluar na efektivët e Policisë së Tiranës dhe RENEA-s.

Pak kohë pas kësaj ngjarjeje, lokali i babait të Gazmir Dacit u sulmua me tritol, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale. Përplasja mes Kolaverëve dhe Gazmir Dacit kishte nisur që kohë më parë në Francë ku vëllezërit Kolaveri ishin përfshirë në një konflikt me Gazmir Dacin.

Dy vëllezërit dhe autori i dyshuar mësohet se jetonin prej kohësh në Francë dhe merreshin me transportimin ilegal të klandestinëve nga Franca drejt Anglisë. Pikërisht ky ka qenë edhe motivi i parë i konfliktit mes tyre. Vëllezërit Kolaveri kishin rrahur në bodrumin e një banese në Francë Elson Dacin, pasi ky i fundit po u prishte pazaret e transportimit të klandestinëve dhe po u merrte klientët.

Pas këtij konflikti vëllezërit Kolaveri janë kthyer në Shqipëri, ku rastësisht janë takuar me Gazmirin, që njihet edhe me emrin Elson. Kur janë gjendur në lokal, ky i fundit u ka kërkuar sqarime lidhur me rrahjen që i kishin bërë në Francë. Në debat e sipër, Daci ka qëlluar me armë në drejtim të vëllezërve, duke lënë të vdekur njërin prej tyre.

Burimi: Shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne