Tiranë, inaugurohet parku i lojërave i ndërtuar nga TIKA

Në Shqipëri është inauguruar parku i lojërave i emërtuar “Parku i Demokracisë së 15 Korrikut” i cili është ndërtuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, raporton Anadolu Agency(AA).

Në ceremoninë e inaugurimit të parkut rekreativ në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, fëmijë dhe prindër.

Ambasadori Yörük gjatë fjalës në ceremoni tha se parku do të jetë i dobishëm për fëmijët, por edhe për prindërit e tyre.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve ai tha se “Jam shumë i lumtur që jam me ju në këtë inaugurim. Parku do të jetë i dobishëm edhe për fëmijët, por edhe për prindërit e tyre për të kaluar një kohë sa më të mirë. Kryetari (Veliaj) më tregoi fotografitë si ka qenë parku më parë, këtu ka qenë pak a shumë si një kënetë dhe tani është kthyer në një mrekulli. TIKA tashmë është një markë e famshme jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën për punimet që ajo realizon”.

Ambasadori turk theksoi më tej se “Unë shpresoj që fëmijët që do të përdorin këtë park, kur të rriten gjithmonë do ta kujtojnë me kujtimet sa më të bukura këtë projekt i cili është realizuar me ndihmën e vëllezërve tuaj, popullit turk”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ka konsideruar bashkëpunimin e institucionit që ai drejton me TIKA-n si unik.

“Pasi të hapet sot do të jetë një nga vendet më të frekuentuara në Tiranë. Falënderoj kolegët turq edhe kolegët tanë shqiptarë, pasi kemi ndërtuar kulturën e një Shqipërie dhe një Tirane të re. Një qytet është si një familje, që do të thotë që nëse fokusi në familje është te fëmijët, qyteti duhet të sillet si një familje e madhe. Një qytet që mendon për fëmijët tërë kohën është një qytet që është duke menduar si një familje e mirë për të ardhmen”, tha Veliaj.

Veliaj u shpreh më tej se “Besoj se në Bashkinë e Tiranës, bashkëpunimi që kemi pasur me TIKA-n, që ka qenë unik, në fushatën e mbjelljeve të pemëve, për rehabilitimin e konvikteve, dhe tani në fokusin tonë për fëmijët, është i veçantë”.

Ky ambient rekreativ ku përfshin edhe shesh pushimi është emërtuar “Parku i Demokracisë së 15 Korrikut”, në përkujtim të dëshmorëve të tentativës për grusht shteti më 15 korrik 2016 në Turqi nga organizata terroriste FETO.

TIKA që kur ka filluar aktivitetet e saj në Shqipëri, ka ofruar mbështetje dhe realizuar projekte në fusha të ndryshme si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne