Në Tiranë nën organizimin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam është organizuar një aktivitet me temë “Mbishkrimet osmane në monumentet e kulturës islame në Shqipëri”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin ku mbajti një referim studiuesi Mehmet Tütüncü, merrnin pjesë përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, studiues, studentë, etj.
Në hapje të aktivitetit, Ramiz Zeka, drejtor Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC), u shpreh se nëpërmjet mbishkrimeve përcillen mesazhe besimi dhe shprese.
“Në mbishkrime gjenden të dhëna për përhapjen e kulturës Islame dhe me studimin e tyre janë marrë studiues të huaj dhe shqiptarë”, theksoi Zeka.
Tütüncü gjatë fjalës së tij u shpreh se qëllimi i përgatitjes së një libri nga ana e tij për mbishkrimet osmane ishte për t’iu ardhur në ndihmë specialistëve të kësaj fushe.
“Ky vit shënon 50-vjetorin e shkatërrimit të objekteve të kultit fetar në Shqipëri, ku u shkatërruan xhami, kisha, manastire dhe teqe, për të shkatërruar besimin e shqiptarëve. Libri përmbledh 114 mbishkrime, që janë gjetur në mure, dru dhe gurë. Çdo ditë zbulohen mbishkrime të panjohura. Kjo që po bëj unë është për të treguar që ka mbijetuar një trashëgimi osmane në Shqipëri”, u shpreh në fjalën e tij Tütüncü.
Ai theksoi më tej se “Mbishkrim në librin tim i kam ndarë në dy kategori, në godina dhe në gurë të vareve. Mbishkrimet kanë rëndësi të madhe historike dhe japin informacion për jetën në vend, bën që historia të bëhet e gjallë.”
Më i vjetri nga mbishkrimet sipas Tütüncü është gjetur në qytetin e Krujës në një çezmë dhe gjendet atje që nga viti 1447. Ndërsa sipas tij mbishkrime të tjera osmane gjenden edhe në Vlorë, por edhe qytete të tjera të vendit. Libri flet gjithashtu edhe për gurët e varreve.
Tütüncü vjen për herë të parë në Shqipëri dhe është hulumtues i trashëgimisë Kulturore Osmane në Ballkan. Njëherësh, ai është dhe kryetar i Qendrës Kërkimore për Botën Turke dhe Arabe në Holandë./ AA