Tiranë, vandalizohet memoriali i dëshmorëve të 15 Korrikut

Memoriali kushtuar dëshmorëve të 15 Korrikut, i vendosur në parkun e ndërtuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë është vandalizuar,

Memoriali që ndodhet në Parkun “Dëshmorët e 15 Korrikut” brenda Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës është dëmtuar, duke u thyer me mjete të forta në pjesën ku janë të shënuar emrat e dëshmorëve të 15 Korrikut.

Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

“Në orët e para të mëngjesit, tek parku i Liqenit të Thatë, një person ende i paidentifikuar ka dëmtuar me sende të forta një pjesë të një memoriali. Grupi hetimor po kryen veprimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Forcat e policisë pas dëmtimit e kanë rrethuar me pjesë metalike hapësirën ku është vendosur memoriali, të cilin po ashtu e kanë mbuluar atë.

Në parkun e ndërtuar nga TIKA, më herët është dëmtuar edhe një nga tabelat e parkut.

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, në llogarinë e tij në Facebook, më herët kishte bërë një postim lidhur me sulmin ndaj tabelës treguese, dëmtimin e simboleve turke dhe memorialit me emrat e dëshmorëve.

“Jo memorial politik të Turqisë së Erdoğanit në Tiranë”, ishte shprehur Dedaj, duke shtuar se në parkun në fjalë nuk ka vend për politikën aktuale të Turqisë.

Ambasada e Turqisë në Shkup përmes një deklarate kishte theksuar se dënon ashpër pretendimet e pabaza dhe retorikën armiqësore kundër presidentit Erdoğan që Dedaj ka përdorur në postimin e tij lidhur me memorialin që ndodhet në Parkun “Dëshmorët e 15 Korrikut” në Tiranë.

Memoriali u inaugurua më 15 korrik të këtij viti gjatë shënimit të përvjetorit të tretë të tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të Shqipërisë, të institucioneve turke dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile në Shqipëri. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne