Shqiperia

Titujt ekzekutivë, publikohen tarifat e reja: sa do të paguhen përmbaruesit privatë

Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi dhe ajo e Financave kanë miratuar udhëzimin e përbashkët që përcakton nivelin minimal dhe maksimal të tarifës së suksesit për veprimet përmbarimore të ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqësor privat.

Referuar udhëzimit, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrimi monetar, pala kreditore dhe subjekti përmbarues, sipas vullnetit të tyre, mund të parashikojnë në marrëveshje masën e tarifës së suksesit, por në çdo rast kjo tarifë nuk mund të jetë më e vogël se 1% dhe jo më e madhe se 20% e vlerës së ekzekutuar  të detyrimit.

Masa e tarifës së suksesit është shprehje e vullnetit të palës kreditore dhe përmbaruesit gjyqësor dhe përcaktohet me marrëveshje të nënshkruar nga të dyja palët, në momentin e nënshkrimit të kontratës së shërbimit. Marrëveshja me të cilën caktohet tarifa e suksesit, e nënshkruar rregullisht midis kreditorit dhe subjektit përmbarues, bëhet pjesë integrale e kontratës së shërbimit përmbarimor, duke pasur të njëjtën fuqi ligjore me kontratën.

Tarifa e suksesit të përllogaritur mbi bazën e shumës së ekzekutuar

Tarifa e suksesit e caktuar në marrëveshje ndërmjet kreditorit dhe përmbaruesit gjyqësor privat, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar në vlerë:

a) deri në 500 000 lekë – nuk mund të jetë më e vogël se 5% dhe jo më e madhe se 20% e vlerës totale të detyrimit të vjelë ose të detyrimit të ekzekutuar;

b) mbi 500 000 lekë deri në 90 000 000 lekë –nuk mund të jetë më e vogël se 3% dhe jo më e madhe se 15 % e vlerës totale të detyrimit të vjelë ose të detyrimit të ekzekutuar;

c) mbi 90 000 000 lekë – nuk mund të jetë më e vogël se 1% dhe jo më e madhe se 5% e vlerës totale të detyrimit të vjelë ose të detyrimit të ekzekutuar dhe/ose vendimit të ndërmjetëm të ekzekutuar.

Tarifa e Suksesit të përllogaritur mbi bazën e veprimeve përmbarimore të kryera

Vlera e tarifës së suksesit të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim jomonetar dhe të pavlerësueshëm, përllogaritet në varësi të: a) vendit të ekzekutimit; b) objektit të ekzekutimit; c) kohës së kryerjes së veprimit përmbarimor dhe/ose përsëritjes së këtij veprimi përmbarimor;

Bazuar në kriteret si më sipër treguar, tarifa e suksesit për veprime përmbarimore të kryera do të jetë një vlerë monetare, e cila nuk mund të jetë më pak se 1,000 (një mijë) lekë dhe jo më shumë se 5,000,000 (pesë milionë) lekë.

Tarifa e suksesit paguhet në çdo rast nga kreditori, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar nga kreditori dhe subjekti përmbarues privat.

Tarifa fikse e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat

Tarifa fikse është pagesa që arkëton përmbaruesi gjyqësor privat për fillimin e procedurave të ekzekutimit dhe kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, deri në ekzekutimin përfundimtar të titullit ekzekutiv.

Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar si kthim shume dhe/ose pagim detyrimi, përllogaritet si më poshtë:

Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim jomonetar dhe të pavlerësueshëm, përllogaritet në varësi të objektit të ekzekutimit si më poshtë:

-Për reklamimin e një sendi të luajtshëm ose të paluajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 2 pagave bazë minimale mujore.

-Për lirimin dhe vënien në posedim të një sendi të paluajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 5 pagave bazë minimale mujore, kur sendi nuk ka një vlerë monetare të përcaktuar për çmimin e shitjes sipas të dhënave nga regjistri i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, apo sipas vlerësimit të një eksperti të pavarur të caktuar nga gjykata dhe/ose  përmbaruesi gjyqësor privat.

Në rast se sendi i paluajtshëm ka një vlerë referuese për çmimin e shitjes së tij sipas të dhënave te Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo sipas vlerësimit të ekspertit, atëherë tarifa fikse përllogaritet në përqindje mbi vlerën e sendit.

-Për vënien në posedim të sendit të luajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 3 pagave bazë minimale mujore kur sendi nuk ka një vlerë të përcaktuar për çmimin e shitjes. Në rast se sendi i luajtshëm ka një vlerë të përcaktuar për çmimin e shitjes në dokumentacionin e regjistruar apo ka një vlerë të përcaktuar për të cilën ky send është regjistruar si barrë siguruese, atëherë tarifa fikse do të përllogaritet në përqindje .

-Për marrjen e fëmijës dhe lejimin e së drejtës së vizitës, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 pagë bazë minimale mujore, ndërsa tarifa fikse që lidhet me ekzekutimin e masës së pensionit ushqimor, i referohet një vlere që përcaktohet në udhëzim.

-Për organizimin dhe shitjen e sendit në ankand, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 2 pagave bazë minimale mujore.

-Për zbatimin e një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv me objekt të pavlerësueshëm, nëpërmjet të cilit debitori duhet të përmbushë një detyrim të caktuar, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 3 pagave bazë minimale mujore.

Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv është vendim i gjykatës për sigurimin e padisë, përllogaritet si më poshtë:

-Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është deri në 500 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me gjysmën e pagës bazë minimale mujore.

-Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 500 000 lekë deri në 2 000 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 1 pagë bazë minimale mujore.

-Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 2 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 4 paga bazë minimale mujore.

-Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 5 000 000 lekë deri në 10 000 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 5 paga bazë minimale mujore.

-Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 10 000 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 7 paga bazë minimale mujore.

– Nëse vendimi për sigurimin e një padie përmban një detyrim jomonetar ose vlera e padisë nuk është e përcaktuar, tarifa e subjektit përmbarimor është një shumë e barabartë me një pagë bazë minimale mujore.

-Nëse një vendim për sigurimin e padisë ka të bëjë me një pretendim monetar dhe jomonetar, normat e tarifave përkatëse merren në total.

-Në rastin e ekzekutimit të një vendimi për sigurimin e padisë ose me revokimin e tij, tarifat e subjektit përmbarimor paguhen nga personi që ka kryer kërkesën për zbatimin e masës për sigurimin e padisë.

OPINIONE