Tonelata dhe parcela me kanabis në jug. Pse nuk preken grupet kriminale?

Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit trumbetojnë me të madhe si histori suksesi shfarosjen e sipërfaqeve me kanabis në vend. Por përtej këtyre deklaratave në terren ka një realitet tjetër. Gati përditë zbulohen parcela me kanabis, kryesisht në qarkun Gjirokastër, Vlorë dhe zonat e Fushë Krujës. Shumë prej operacioneve të policisë  mbahen sekret, në një përpjekje për të përforcuar më shumë linjën zyrtare të qeverisë se nuk ka më sipërfaqe të kultivuara me drogë.

Natyrisht që kultivimi nuk është në atë masë si në kohën kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri, por situata është ende problematike dhe larg të qenit një histori suksesi siç pretendon Rama dhe Xhafaj. Sot në Memaliaj u zbulua një sasi rekord kanabisi, plot 1.5 ton, si dhe u sekuestrua një arsenal armësh (1 snajper, 12 kallashnikovë, 2 pushkë dhe 1 armë gjahu). Droga dhe armët ishin fshehur në dy furgonë të braktisur. Policia ende s’ka arrestuar asnjë person, por thotë se operacioni vijon. Kjo nuk është sasia e vetme e kapur në qarkun Gjirokastër gjatë kësaj vere. Në 16 korrik u zbulua një tjetër sasi e madhe në fshatin Skore të Bashkisë Dropull.

Ishin 6 parcela me më shumë se 2500 rrënjë kanabis. Operacioni u mbajt i fshehtë. Policia ende sot s’ka bërë publik ndonjë detaj, ndonëse u arrestuan dy persona si punëtorë në parcela. Por një sasi e tillë e madhe, natyrisht që nuk mund të kultivohet pa një suport të madh nga radhët e Policisë së Shtetit, agjencive të tjera ligjzbatuese apo pse jo edhe politikës. Cilët janë grupet kriminale që vazhdojnë të qetë aktivitetin në jug të vendit, duke kultivuar sasi të frikshme kanabisi? Përse operacioni ‘Forca e Ligjit’, aq shumë i trumbetuar nga Rama dhe Xhafaj, nuk prek këto grupe? Zor të mendosh se kjo sasi e madhe droge është kultivuar nga fshatarë të zonës, në përpjekje për të siguruar pak të ardhura. Por 1.5 ton i kapur sot në Memaliaj dhe mbi 2500 rrënjë të zbuluara në fshatin Skore të Dropullit, nuk janë sasia e vetme. Gati çdo ditë raportohet për parcela me qindra rrënjë kanabis në fshatrat malore të Tepelenës, Memalialt, Këlcyrës dhe zonës përreth. Një fidanishte me rreth 1 mijë rrënjë kanabis u zbulua tre ditë më parë Përmet.

Por ka tjera detaje që përforcojnë realitetin se në qarkun Gjirokastër dhe jo vetëm, aktiviteti kriminal i grupeve të kanabisit është shtuar. Katër ditë më parë u arrestua nga policia një shtetas nga Venezuela. Në njoftimin e dhënë për mediat, thuhej thjesht se ai kishte lidhje me kultivimin dhe trafikun e drogës, pa sqaruar detaje të tjera se cili ishte roli konkret i të riut nga Venezuela. Ishte në rolin e financuesit të grupit kriminal, apo kishte mbërritur në Shqipëri si specialist në kultivimin e drogës? Kanabisi vazhdon të mbetet një sfidë e pakapërcyeshme për qeverinë ‘Rama’, ndonëse iku një ministër dhe erdhi një tjetër.

Dukshëm janë bërë përparime me epokën ‘Xhafa’, por gjendja në terren dëshmon se grupet kriminale vazhdojnë të kenë lidhje të forta okulte në strukturat e shtetit dhe politikës. Ndërkohë që përbetimet publike për ‘peshq të mëdhenj’ apo kërcënimet e Ramës se grupet kriminale duhet të gjejnë ‘vrimë ku të futen’, kanë mbetur më shumë retorikë për konsum publik dhe nuk kanë prodhuar rezultate konkrete në betejën me krimin dhe trafikun e drogës.

Burimi: Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne