Top Channel: Dy vende duan të destabilizojnë Shqipërinë

Televizioni kombëtar Top Channel, ka njoftuar sot shqiptarët se atyre u kanoset një rrezik shumë i madh për shkak të qëndrimeve patriotike të kryeministrit Edi Rama. Sipas këtij televizioni, “shërbimet partnere kanë një shqetësim në rritje lidhur me të dhëna të besueshme se të paktën dy shtete të tjera po tentojnë të nxisin destabilizim në Shqipëri”.

Por cili është shkaku i këtij plani ogurzi për të destabilizuar Shqipërinë? Sipas televizionit kombëtar, qëndrimet e qeverisë së Tiranës, nënkupto Edi Ramës, i kanë shqetësuar disa vende që nuk i duan të mirën Shqipërisë dhe ato janë vënë në lëvizje për të destabilizuar vendin tonë.

“… qëndrimet e forta të qeverisë së Tiranës në mbështetje të platformës shqiptare e kanë acaruar jo pak Shkupin zyrtar. Nga ana tjetër, burimet inteligjente flasin gjithashtu edhe për një angazhim shumë intensiv kundër Tiranës zyrtare të qarkut më nacionalist grek, që mbron platformën e aneksimit të “Vorio Epirit”.

Karshillëku që shefi i qeverisë së Tiranës u ka bërë tezave të ultranacionalistëve grekë, të mësuar prej shumë vitesh me heshtjen e Tiranës zyrtare ndaj pretendimeve të tyre për Himarën ka ngjallur prej kohësh një acarim të madh në qarqet greke dhe Athinë, ku dikur Edi Rama pritej me nderime”, thuhet në kronikën e Top Channel.

Sigurisht që lajme të tilla hasen rëndom nëpër portale që nuk kanë lidhje me peshën e fjalës, por kur një informacion i tillë jepet nga një televizion i përmasave të Top Channel, e tejkalon cakun e shërbimit dhe bëhet pjesë e një loje përtej interesave banale të luftës për pushtet.

Dhe kuptohet fare lehtë se kush qëndron prapa këtyre informacioneve kur në kronikën e Tch thuhet se “këto të dhëna përforcojnë idenë se insinuatat e bëra në më shumë se një rast nga kryeministri Edi Rama për forca të huaja që nuk i duan të mirën Shqipërisë janë të lidhura me informacione të marra nga shërbimet inteligjente”. Pra Edi Rama ka të dhëna se Shqipëria është në rrezik.

Por nga vjen ky rrezik? Këtu pastaj informacioni nuk i shpëton dot qesharakëzimit. Top Channel i referohet një portali në Maqedoni i cili paska njoftuar “për një takim mes Damir Fazlliç, ish shefit famëkeq të shërbimit sekret maqedonas Sasha Mihajllov, njëkohësisht kushëri i Nikolla Gruevskit, si edhe një personi nga Shqiperia”, thotë Top Channel dhe ky personi nga Shqipëria, sipas gazetës Tema, qenka Avenir Peka, vëllai i Çim Pekës.

Pas kësaj, shqiptarët kanë arsye vërtet të rrinë pa gjumë. Por jo vetëm shqiptarët, por edhe krejt Europa. Sepse sipas Top Channel, “situata duket kritike, një ditë para mbërritjes në Tiranë të të dërguarit të kancelares Angela Merkel dhe zëvendës presidentit të PPE, McAllister. Berlini zyrtar është tejet i shqetësuar dhe i angazhuar lidhur me krizat me natyrë etnike apo me sfond përplasjesh gjeopolitike në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë apo Kosovë dhe nuk mund të pranojë përshkallëzimin e një krize thjesht politike në Shqipëri, si një prej vendeve ku procesi i Berlinit është investuar aq shumë.

Shqipëria ka qenë gjithnjë një faktor stabiliteti në rajon dhe destabilizimi i saj nuk është opsion i justifikueshëm për asnjë nga qendrat vendimmarrëse të komunitetit euro- atlantik”, përfundon lajmin e tij televizioni kombëtar Top Channel.

Eshtë i njohur për shqiptarët fakti se liderët politikë këtu, sa herë gjenden të kapur në një krizë të brendshme politike, përpiqen ta ndërlidhin atë me faktorë të jashtëm, me krizat e rajonit, me faktorin shqiptar, me albanofobinë, etj. Tani është radha e Edi Ramës të shfaqet si shqiptari i madh, i mirë e patriot, që fronti i zgjeruar i së Keqes, kërkon ta godasë. Kjo ndoshta është pozita më qesharake ku Edi Rama po e vendos veten dhe punishtja e tij e propagandës është mirë të sajojë ndonjë linjë të re prodhimi lajmesh.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne