Opinion

Tragjedi dhe komedi arkeologjike në Velierën e Durrësit

Gjergj Frashëri

Sakrifikimi i lëndës arkeologjike për hir të ansamblit të Hyrjes së lashtë  Dyrrahut antik dhe Durrësit mesjetar pranë Portit, për t’i lënë vend ndërtimit të skulpturës arkitektonike “Vela/Veliera” hyri tashmë në histori – si kryevepër dhunimi që mund t’i jetë shkaktuar ndonjëherë pasurisë arkeologjike të këtij qyteti të famshëm mesdhetar në jetën e tij mijëravjeçare. Si akt i legjitimuar prej një baterie vendimesh dubioze shtetërore, ai hyri njëkohësisht në histori edhe si dëshmia më tragji-komike e prepotencës së banditizmit shtetëror – si dëshmi e përkuljes së institucioneve të larta, të tilla si Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit me Institutin Arkeologjik (IA) pranë Qendrës së vet të Studimeve Albanologjike, në shkelje të ligjit, në shpërdorimin solidar të detyrës për aksione antikombëtare. Presim vetëm përgjigjen – ndërtimi prej 6 milion dollarë i kësaj “Veliere” pikërisht në këtë vend u sajua qëllimisht për të prishur një pasuri të vyer arkeologjike?

Sidoqoftë nuk duhet spekuluar mbi të drejtën e ngritjes së një vepre të ré artistike në mjedisin urban të qytetit, qoftë ajo skulpturë parku klasike, qoftë ajo e zhanrit instalacion, qoftë edhe skulpturë foviste  si në rastin e Velierës. Sepse qyteti ka nevojë vërtet të plotësohet herëpashere me vepra artistike dhe se vepra e artit ka legjitimitetin e vet të ngrihet brenda hapësirës urbane të një qyteti. Edhe pse në sytë e mi duket e dyshimtë vlera e saj in situ, respektohet vendimi i shumicës.  Një Velë e hapur (tendosur) simbolizon anijen që largohet nga Porti i Durrësit. Ajo nuk simbolizon anijen që mbërrin nga deti në port, pasi anija që hyn në port e ka velën e ulur. Kjo velë e tendosur arkitektonike në gjest monumental në hyrje të portit të Durrësit rrezaton edhe groteskun provokues – simbolikën e Eksodit. Kjo e ka tashmë materien -njëherë eksodin tragjik në fillimet e viteve 90’, por edhe eksodin e ringjallur që po përjetojmë pikërisht nga qeveria e sotme, që për ironi është edhe projektuese e skulpturës në fjalë. Një velë e tendosur me betonin kontemporan dyrrahas në hyrje të Portit m’ë kujton  një Trompetë, një Tellall që u thërret ditë e natë qytetarëve për eksod të përjetshëm. Kjo m’ë trishton, ashtu si një mesazh artistik i padobishëm. Por ajo që duhet të denoncoj kësaj radhe është një tragjedi dhe një komedi njëherësh. Është pyetja, pse institucionet shtetërore dhe qeveritare zgjodhën dhe insistuan me prepotencë të pazakontë, që Vela të ngrihej duke dhunuar substancën arkeologjike të Hyrjes së Lashtë të Dyrrahut dhe të Durrësit mesjetar?

*              *              *

Është së pari një TRAGJEDI kombëtare, që mijëra e mijëra metër kub prej potencialit ndërtimor dhe arkeologjik të ansamblit të Hyrjes së lashtë dhe mesjetare të Durrësit nga ana  e Portit u zhdukën nga eskavatorët, prej vendimeve kriminale të institucioneve të larpërmendura. Siç dihet, në projektin e Velierës do të preken 12.500 m² sipërfaqe me gërmime për ndërtimin e tij. Deri tani është hyrë në thellësitë e substancës arkeologjike në 7.300 m² sipërfaqe (Foto 1 skica).

VeleiraPor Instituti Arkeologjik ka kryer gërmime arkeologjike vetëm në Gropën 2 me sipërfaqe 300 m². Pra i takon që të jenë bërë kërkime arkeologjike vetëm në 4,2% të sipërfaqes së nëntokës arkeologjike. Ndërsa për 95,8% të sipërfaqes, megjithëse Instituti Arkeologjik ka marrë përgjegjësinë për të kryer gërmimet arkeologjike në tërë projektin Veliera, ai nuk ka kryer as gërmim arkeologjik, as kërkime shkencore, as dokumentim tekniko-shkencor, as edhe vëzhgim dokumentar teknik arkeologjik. Nëntoka e kësaj sipërfaqeje (prej 7.000 m²) është lënë të gërryhet nga eskavatori. Veleira Kështu u braktis tërësisht para syve tanë kërkimi dhe dokumentimi arkeologjik i tre Gropave të tjera për themelet e këmbëve të Velierës (1, 3, 4); u braktis shoqërimi dhe dokumentimi i transheve 5 dhe 6, të cilat u çpuan nga qindra pilota dhe u ndërtuan mure mbajtës betoni mbi ato; u injoruan tërësisht nga arkeologët e IA gërmimet masive që kryen eskavatorët nën sipërfaqet 9, 10, 11, të cilat bashkë me gropat 3 dhe 4 përmbanin me mijëra metër kub të Maxima Kloaka të qytetit të Durrësit, materiali i së cilës u hodh në mënyrë mizore në bregdetin mbrapa sheshit Piaca pa u dokumentuar; gjithashtu u braktis pa kërkime dhe pa dokumentacion nëntoka arkeologjike e  sipërfaqes 8, ku dolën në dritë mbetje të qarta ndërtimore nga Kështjella e Poshtme e qytetit të shek. 13-15 të kohës së  Pricipatës së Arbërit, të anzhuinëve, të dinastisë princërore Thopiaj dhe të kohës së venedikasve deri në mbyllje të shek. 15; por denoncimi ynë nuk mund të mbyllet pa sjellë këtu Masakrën Historike në Arkeologjinë e Dyrrahut – zgavrimin me eskavatorë të Gropës 7, që i takon Nënkalimit të Rrugës Egnatia/Taulantia, ku brenda 8 ditësh u larguan në sajë të një pune agresive legjendare me makineri, rreth 10.500 m³ substancë arkeologjike, prej të cilave rreth 3.400 m³ i takonin shtresave disa katëshe të Rrugës Egnatia, rreth 5200 m³ i takonin Maxima Kloaka-s të qytetit dhe pjesa tjetër njësive arkeologjike ndërvarëse të tyre. Asnjë arkeolog  i IAsë nuk mori mundimin të kryente kërkime dhe dokumentime në tërë zgavrimin agresiv të eskavatorëve për ditë me radhë (Foto 2). As edhe të hulumtonte hedhurinat që kamionët e transportit i hodhën në bregdetin e lartpërmendur (Foto 3). Mallkuar Qofshi!Do të përgjigjeni si vrasës të historisë së kombit!

VeleiraI ngarkuar me përgjegjësinë e profesionit dhe të qytetarit kam njoftuar qysh në orët e para të kësaj masakre më 11.03.2017 drejtuesit e ASHA-s, DRKKsë Durrës dhe vetë Ministreshën e Kulturës. Por pa sukses. Për rrjedhojë, bashkë me kolegen time arkeologen Dr. Antonia Schütz u detyruam ta ndiqnin vetë nga jashtë rrethimit të sheshit të ndërtimit të Velierës për ditë me radhë këtë masakër historike, të hartonin tetë protokolle mbi rezultatet e vëzhgimit tonë dhe t’i dërgonim ato në Ministrinë e Kulturës (ASHA, KKA) dhe në Ministrinë e Arsimit, e cila mbulon aktivitetin e IAsë. Më tej komentet janë të tepërta. Kjo masakër që shkon në adresë direkte të “profesionistëve” të IAsë, solli një humbje të paimagjinueshme të dëshmive arkeologjiko-historike për Dyrrahun dhe Durrësin, një shkelje brutale të Rregullores së Gërmimit Arkeologjik në tërë spektrin shkencor e teknik të saj, një vepër penale e pashembullt shkaktuar nga Instituti Arkeologjik dhe Këshillat vendimmarrëse të Ministrisë së Kulturës. Ky akt i arkeologëve bëhet edhe më i pakuptueshëm (patolerueshëm) kur nga ana tjetër, investitori Bashkia e Durrësit ka siguruar dakortësinë, vijueshmërinë dhe financimin e kryerjes së gërmimeve arkeologjike të shpëtimit për Institutin Arkeologjik

*        *       *

Në mes të kësaj tragjedie qëndron edhe një KOMEDI, madje tragjike. Duket tashmë, se për ta shkatërruar qëllimisht pasurinë arkeologjike në nëntokën e hapësirës Veliera, pushteti dhe qeveria gjeti “kirurgun” e duhur – mashën për të nxjerrë gështenjat nga zjarri. Komedia është rezultati qesharak që Instituti Arkeologjik si institucion shtetëror kërkimor shkencor ka sjellë deri tani në të vetmin “gërmim” arkeologjik që ka kryer, nën sipërfaqen prej 300 m² të Gropës 2. Është komedia e hidhur e paaftësisë dhe e korrupsionit të këtij institucioni, të cilit i është dhënë për ta kryer këtë projekt në konflikt të hapur interesi, i cili si gërmim shpëtimi i takonte të kryhej nga firmat arkeologjike të licencuara.

  1. Po mbushen gati pesë muaj qëkurse IA e miratoi Konceptin e ndërhyrjes arkeologjike në projektin Veliera më 22 nëntor 2016 (Vendimi Nr. 136 i KKA në Ministrinë Kulturës), për të kryer kërkimin dhe dokumentimin arkeologjik në sipërfaqen prej 12.500 m² të Sheshit të ndërtimit të Velierës. Por ky institut po “lufton” qysh atëherë ende me dy lopata dhe dy furça punëtorësh, për të sqaruar në 300 m² (Gropa 2), se çfarë lloj rrënojash arkeologjike kanë dalë në dritë dhe cilës kohë ndërtimore i përkasin ato (?!). I pari që na la pa gojë ishte drejtori i IAsë, Prof. Dr. Luan Përzhita, i cili për rrënojat e zbuluara në këtë gropë që i takonin një fortifikimi, u shpreh se “ato i takonin një shtëpie të shek. 19, një objekti të vonë, jo të mesjetës, madje një banese…që në vetvete nuk është objekt arkeologjik” (F. Nikolli, Zbulimi i Durrësit/“Do gërmojmë sërish, muret që duken janë të vona”, Gazeta Shqiptare 10.02.2017). Me këtë vlerësim prej diletanti, u duk sheshit se drejtori i IAsë kishte bërë betimin paraprak përpara investitorit dhe pushtetit, se do të bënte çmos t’i klasifikonte rrënojat e zbuluara „pa vlerë“ arkeologjike, që ato të shkuleshin pa dhimbje dhe të ngulej në vend të tyre, këmba e katërt e Velierës (sepse vendet 1,3,4 për tre këmbët e tjera i kishte falur me kohë pa bërë kërkime!). Jo më shumë se një ditë më vonë, nën entuziazmin se kishte zbuluar Thembrën e Akilit për të gënjyer publikun, drejtori Përzhita na la përsëri me gojë hapur në intervistën e tij duke i datuar “muret e zbuluara si shumë të vona”, konkretisht pas vitit 1850” (Skandali me projektin “Veliera,, Agjensia e Lajmeve Sot News, 11 Shkurt 2017). Kësaj pasaktësie trashanike, ai i shtoi edhe përfundimin e tij marramendës , se nga “gërmimet nuk dallojmë se kemi të bëjmë me kulturë materiale…, por me mbushje, që nuk ka të bëjë me një shtresë unike kulturore që lidhet me arkeologjinë” (po aty). O perëndi, sikur ia kanë shtrënguar kyçet me hekura këtij njeriu! Për të na bindur harxhon edhe fishekun e fundit prej çamçakëzi, duke na deklaruar, se  “ai flet si drejtor i Institutit dhe si specialist i fushës” (Po aty). Që ai kryen detyrën e drejtorit të IAsë e dimë, por më tej… e di vetë?
  1. Në gjurmët e drejtorit të tij nuk vonon edhe vlerësimi i drejtuesit të gërmimit E. Shehi, i cili opinionin e shprehur nga vëzhgues, se rrënojat e zbuluara në Gropën 2, vijnë nga Pallati i Princ Vidit e quan një hipotezë të pabazuar (Lajm nga Dhurata Hamzai, “Veliera“ godina e zbuluar e Vidit? Eduart Shehu: Ende asnjë konkluzion, Shqiptarja.com 15.02.2017). Kjo pasaktësi tregoi qartë, se ai bashkë me drejtorin e tij nuk kishin bërë asnjë lloj studimi për hartimin e konceptit të gërmimit të shpëtimit në hapësirën „Veliera“, deri aty sa murin fortifikues me 2,9 m të gjerë e datuan si ndërtim osman, kur dihet se këta të fundit nuk kanë ndërtuar vepra fortifikimi në Shqipëri në shek. 19, përveçse hodhën në erë një pjesë të mirë të tyre në Kohën e Tanzimatit dhe se filluan t’i braktisnin krejt ato prej mesit të shek. 19.
  1. Ndërkohë zëra arkeologësh nga jashtë institutit i kujtuan drejtorit dhe manarit të tij (për të mos humbur nëpër xhungël apo shtigje të panjohura), se strukturat që drejtori i shihte të vitit 1850, ishin mbetje murore të një Kulle (bastioni) prej Kështjellës së Poshtme të qytetit të shek. 14-15 në kompleksin e Hyrjes së tij nga ana e detit (portit) dhe se shek. 15 ishte një terminus ante quem për kohën e ndërtimit të saj. Madje se mbi ato ishte ngritur edhe Pallati i Vidit (Gj. Frashëri, Prepotencë shtetërore dhe servilizëm institucionesh kundra pasurisë arkeologjike, Shqiptarja.com, 17.02.2017)
  1. Më 1 Mars 2017 vjen intervista legjendare (e paharruar) e z. Përzhita në gazetën Shqiptare (F, Nikolli, Kreu i Institutit të Arkeologjisë: E vërteta e shantazhit për “Velierën”), ku njofton se “raporti i gërmimeve do të dalë brenda tre ditëve”, por në fakt ky raport nuk është gati as sot gati pas gjashtë javësh. Madje drejtori në fjalë para pak ditësh kërkoi edhe një muaj tjetër për të përgatitur këtë raport, domethënë me shpresë të zotit raporti duhet të jetë gati andej nga fundi i Prillit. Por IA me drejtorin e tij në krye e dinë vetë, se as dhjetë vjet nuk u mjafton për të bërë një raport, sado e thjeshtë të jetë situata arkeologjike pa thërritur ta bëjnë atë arkeologë të huaj. Kështu ndodhi edhe këtë radhë. Para gati dy javësh në hapësirën e sheshit të ndërtimit Veliera zbritën papritur  “arkeologët SOS” francezë të kërkuar për ndihmë t’i japin “dum” situatës së krijuar nga arkeologët e IAsë, sepse siç thotë drejtori, “ata punojnë në Durrës, përherë dhe vetëm me arkeologë të huaj” (po aty). Nën atmosferën entuziaste të mbërritjes së aleatëve perëndimorë, arkeologët e Velierës e quajtën Kullë ose siç e quajnë francezët bastion – muret që para dy javësh i kishin quajtur godinë apo banesë osmane të shek. 19. Kështu u korrigjuan pa dhimbje edhe datimet. Sipas Përzhitës, bastioni ishte ndërtuar tani jo më pas vitit 1850, as edhe në shek. 19 siç ai dhe Shehi e kishin datuar para dy javësh, por në shek. 17 (po aty). “Problemi është se ne si institucion që jemi dhe profesionistë të fushës, nuk ndihemi mirë as për abuzimet me datimin, as për abuzimet me monumentin” – thotë Përzhita në intervistën e tij. Kjo frazë është vështirë të përkthehet në shqip, sepse vetëm ata të dy  po abuzojnë në të vërtetë duke na marrë mendtë me ndërrimin e datimeve, duke pjellë çdo javë nga një datim të ri për një mur të zbuluar në një gropë prej jo më shumë se 300 m²!?

Por përfundimet “shkencore” të arkeologëve të IAsë arritën majën komediante, kur dueti Përzhita/Shehi shkëlqeu me “zbulimin”, se “gërmimet kanë treguar, se deti ka qenë i avancuar deri në afërsi të bastionit” (po aty). Pra i bie sipas tyre, që deti të ketë qenë në shek. 17 deri në vijën ku sot qëndron fasada e Pallatit Fly (pra të kenë prekur edhe nënstrukturat e Torres Veneciane). Marrëzi! Arkeologët e IA ende nuk kanë parë, se të paktën deri 60 m largësi prej Torres dhe Bastionit në drejtim të Portit u zbulua prej eskavatorëve nën hundët e tyre një Maxima Kloaka e qytetit, e cila përjashton mundësinë që valët e detit të kenë rrahur muret e kësaj kulle (bastioni).  Kësi lloj përfundimesh mund të vinë vetëm nga një mëndje e sëmurë teknike, nga një komediant province ose nga një drejtor i rekrutuar për punët e pushtetit.

  1. Pak ditë më vonë, koha e ndërtimit të Kullës (bastionit) rinovohet sërish prej E.Shehit, i cili tani fut në lojë si mundësi edhe shek. 16, duke thënë se “në strukturat e zbuluara (prej tij) nuk ka asgjë më të hershme se osmanët” (Plintat e hekurit tek godina osmane. A ka dëmtime? Ja çfarë thotë arkeologu, Portali DurrësLajm 05.03.2017). Të datosh një mur fortifikimi fillimisht pas vitit 1850, pastaj në shek. 19, pastaj në shek. 18, pastaj në shek 17, pastaj në shek. 16 dhe ta lësh atë ende të padatuar me siguri, kjo nuk flet për profesionistë të një instituti shtetëror siç reklamon drejtori Përzhita, por për një institut me rrogëtarë që merren me arkeologji për të marrë rrogën dhe ndonjë bakshish nga të huajt. Ende sot, edhe me ardhjen e aleatëve, IA nuk ka një datim të murit fortifikues. Kush dhe kur do të datohet muri i Kullës (bastionit) nga IA?
  1. Nuk janë dëgjuar ndonjëherë në Durrës diletantizma arkeologjike më të famshme se sa ato që dëgjon nga intervista e arkeologut drejtues të Gropës Nr 2 të projektit Vela/Veliera dhënë një javë pas asaj të drejtorit të tij (F. Nikolli, Edi Shehu: Rrënojat e Durrësit pranë Torres dalin ne harta më 1723, Gazeta shqiptare 08.03.2017). Në pyetjen se kur u ndërtua bastioni, tashmë arkeologu i ka ulur kreditet e datimit duke thënë se “ muratura e tij është e ngjashme me murin osman të pjesës tjetër të qytetit”. Megjithatë nuk merret vesh se për cilat mure osmane të qytetit flet, pasi osmanët ndërtuan dhe rindërtuan në të hyrë të shek. 16 vetëm muret e akropolit (kështjellës së sipërme) dhe një rrethim të ngushtë shtesë anësuar atij për garnizonin e tyre të qytetit. Këto mure u ndërtuan me teknikën bizantine, pasi në fillim të shek. 16 ajo teknikë mbizotëronte në qytet. Ajo që bie në sy është fakti se këto datime nuk vijnë si rezultat i analizës  ndërtimore dhe asaj stratigrafiket gërmimit  in situ, sepse këtë arkeologët e IA nuk janë në gjendje ta kryejnë. Në vend të tyre ata kërkojnë nëpër hartat-peisazhe të mirënjohura të shek. 16 apo 17 mbi Durrësin, të cilat për një arkeolog urbanist profesionist nuk e çojnë askund për rezultate dokumentare. Shumë prej tyre janë bërë nga disenjatorë që nuk e kishin parë kurrë Durrësin.
  1. Tejet interesant është edhe rikthimi i drejtorit Përzhita me intervistën e tij të datës 19.03.2017 (dhënë portalit DurrësLajm), i cili njofton se ka hequr dorë nga datimi i tij i ndërtesës pas vitit 1850 që kishte bërë pesë javë më parë, duke e zbritur atë tashmë në shek. 17-18. Madje duke i ngjitur këtij sensacioni edhe një interpretim brilant gjë-a-gjëzë gjithnjë prej specialisti të fushës, se tashmë është bindur se ka të bëjë me një “bastion fortifikues të qytetit, i cili ka rëndësi historike për qytetin, që lidhet me periudhën ekonomike e ushtarake të Durrësit” (po aty). Por cila është kjo periudhë ekonomike dhe ushtarake e Durrësit? Secili ta marrë vetë me mend! Mjerisht të dy arkeologët titullarë të IA në fjalë janë edhe anëtarë të KKA-së, në krye të së cilës qëndron ministresha e kulturës. Pra të dy ata që marrin rroga nga Ministria e Arsimit, bëjnë vetë projekte arkeologjike në kundërshtim me ligjin (pa legjimitet restaurimi), janë vetë që përzgjedhin në Këshillin Shkencor IA të huajt që do punojnë dhe do paguhen (në të zezë natyrisht), janë vetë që kompozojnë projekte gërmimi arkeologjik dhe i sjellin ato për t’i miratuar vetë në KKA (në KKR nuk i paraqesin sepse të tilla projekte janë në shkelje të Ligjit), vetë i miratojnë në KKA duke qenë anëtarë të saj, vetë i bëjnë gërmimet në terren, vetë bëjnë masakrime kudo si psh. në projektin Veliera , vetë përvetësojnë objektet arkeologjike sepse ata janë edhe kontrollorë, vetë i shtyjnë apo i afrojnë afatet në kundërshtim të hapur  me Rregulloren, vetë i bëjnë raportet e gërmimit si të duan sepse ata vetë i kontrollojnë dhe vetë i miratojmë (madje edhe i retushojnë më pas kur e do nevoja), vetë…vetë.

/ ResPublika

OPINIONE

INTERVISTA