Nuk ka asnjë mundësi në një vend evropian, që një qeveri të deportojë të burgosurit me akt administrativ, ngaqë kjo shprehet vetëm në dispozitivin gjyqësor…
E rrënuar nga dështimi spektakolar i paktit me Edi Ramën për emigrantët afrikanë, Giorgia Meloni, ka tentuar të sjellë një plan ‘B’, por si i pari është më shumë propagandistik se realist.
Siç shkruajnë mediat pranë Melonit, ajo paska elaboruar nj[ tjetër ide, që të sjellë në Gjadër të gjithë të burgosurit në Itali për krim të organizuar apo narkotrafik.
Po të lexosh gazetat që i bëjnë ‘temena’ kësaj “ideje” duket se ‘fluturojnë me presh’, pasi këtë radhë nuk flasim për njerëz të kapur në mes të detit, por për persona konkret, që kanë një vendim gjykate mbi shpinë në territorin e Republikës Italiane.
Ky “plan B” jo vetëm që është fantazi, por nëse Meloni e aktivizon, hyn aq thellë nga nuk del dot më.
Sepse nuk ka asnjë mundësi praktike e ligjore që të realizojë një transferim të personave në Itali, përkatësisht shqiptarëve të përfshirë në mafia e grupe kriminale. E shumta që mund të bëjë, është për të dënuarit me vendim të formës së prerë. Por nëse i referohemi rasteve konkrete, nga 2800 shqiptarë të gjykuar për grup të strukturuar kriminal, as 5% nuk kanë marrë një vendim të formës së prerë.
Gjithsesi vetëm numri aq i vogël i shqiptarëve tregon se ata nuk janë e as kanë qenë ndonjëherë barrë për strukturat e burgjeve italiane, që mbajnë qindra mijëra persona brenda tyre, në të gjithë vendin.
Edhe rasti i marrëveshjes me Britaninë e Madhe, qëlloi të ishte një bllof, pasi ishte thjesht një akt politik për t’i dhënë një ‘armë’ konservatorëve që humbën shumë keq në zgjedhje. Shumica e të burgosurve shqiptarë kanë avokatë që mbrojnë të drejtat e tyre në territorin ku janë burgosur.
Ata nuk mund të transferohen në Shqipëri me vendim qeverie, pa një vendim gjykate. Pasi një gjykatë në çdo vend të botës, si në vendimin e parë, ashtu dhe në atë të formës së perë, e përcakton vendin e dënimit. Nryshimi i vendit të dënimit me një akt administrativ është i pavlefshëm, përveçse në momentin kur palët, pra edhe i dënuari bie dakord dhe e certefikojnë me një trup gjykues.
Por siç tregon përvoja britanike, ishin shumë pak ato shqiptarë që pranuan të vijnë në atdhe për të kryer dënimin. Shumica e tyre i kërkuan gjykatave të shprehen nëpërmjet avokatëve, dhe e fituan të drejtën.
Nuk ka asnjë mundësi në një vend evropian, që një qeveri të deportojë të burgosurit me akt administrativ, ngaqë kjo shprehet vetëm në dispozitivin gjyqësor.
Qeveria, në këtë rast administrata, zbaton vetëm vendimin nga ana logjistike. Ndryshe, ndodh si me emigrantët, që gjykara i rrëzoi çdo ngarkesë./Pamfleti