Transferimi i pronave të bregdetit drejt Gjykatës Kushtetuese

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.708 i datës 21 nëntor 2018, “Për regjistrimin dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Vlorë–Sarandë” do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. Kësaj radhe është Omonia, organizata e minoritetit etnik grek, ajo që deklaron se do të ndërmarrë këtë veprim pasi më parë edhe Greqia është shprehur kundër tij.

Në vazhdim të aksionit për shfuqizimin e KVM-së 708/2018 me anë të të cilit rrëmbehet prona e Himarioteve, OMONOIA e Himarës informon për veprimet qe do të ndërmerren në vazhdim në kuadër politik dhe ligjor. Të hënën, me 14 janar në orën 10.00 paradite, ftojmë të gjithë Himariotet në grumbullimin e protestës qe do të organizohet jashtë zyrës së Hipotekës të Bashkisë Himarë.

Njëkohësisht, është në zhvillim aksion i koordinuar në kuadrin ligjor:

1. Është krijuar shoqata e pronarëve të prekur në mënyrë qe, në bashkëpunim me organizatat dhe shoqatat ekzistuese, t΄i drejtohemi me ankim Gjykatës Kushtetuese të vendit kundër VKM-së.

2. Ndërkohë, nisur nga fakti se e drejta e pronësisë është individuale, do të duhet qe çdo i prekur të ankimojë edhe individualisht. Për ankimin do të duhet pasja e çfarëdo prove shkresore nëpërmjet së cilës mund të provohet regjimi pronësor i pronës si edhe një diagrame topografike me koordinata gjeografike të pronës qe prekët.

“OMONIA e Himarës, është në kontakte të avancuara me zyra avokatie për tu shërbyer pronarëve të prekur, të cilat kanë një aktivizim të suksesshëm në Shqipëri dhe kanë përvojë në lidhje me çështje qe janë atribute të Gjykatës së Strasburgut. Janë të ftuar banorët e Bashkisë së Himarës, pronat e të cilave përfshihen në VKM-në në fjalë, të procedojnë pa vonesë në ankimet individuale”, thuhet në një njoftim të organizatës.

Më herët kanë qenë banorët e Lukovës që kanë kërkuar rishikimin e VKM-së, pasi ai prek 270 ha pronë private e tyre.

Çështja është politizuar dhe me gjasë, duke parë reagimin e Athinës zyrtare, ajo mund të ndërkombëtarizohet. Për këtë ka disa faktorë që do të ndikojnë, por edhe sikur në Greqi të ndodhë rotacioni, tanimë dihet se kundër kësaj mase janë edhe konservatorët e Kyriakos Mytsotakis. Greqia shikon një mjet presioni ndaj Tiranës, e cila duket se ka hapur letrat plotësisht.

“VKM-ja në fjalë u miratua thuajse në një kohë me projektligjin për krijimin e Korporatës së Investimeve e cila i jep përparësi zhvillimit dhe investimeve në pronën shtetërore”, thuhet në projektligj.

Po kështu qeveria e z. Rama ka miratuar edhe ligjin për kadastrën që vendos autoritete të reja për regjistrin e pronave, duke kopsitur në nivel dokumentacioni dhe aktesh një proces deri më tani i “decentralizuar”. Nga kjo pikëpamje, transferimi i 1472 ha është në fakt një akumulim asetesh që i japin mundësi Korporatës që nesër të veprojë duke i shpërndarë ato me kosto minimale drejt ofertuesve të ndryshëm. Asgjë nuk e pengon më tej një qeveri që të bëjë privatizimin e tyre sepse ne kemi parë që kjo po ndodh me shumëçka. Pra korporata është një hallkë e ndërmjetme që ligjëron transferimin e pronës drejt atyre klientëve që preferon qeveria.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne