Shqiperia

Tre milionë euro për gjashtë vota

Partia Socialiste nuk do të lejojë arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, që akuzohet nga prokuroria për “trafik droge” dhe “korrupsion”. Vendimi për mbrojtjen politike u shpall nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, pavarësisht se, po dje, Saimir Tahirit iu hoqën të gjitha funksionet politike në PS duke e përjashtuar de facto nga kjo forcë politike. E la si deputet të lirë. Por nga ana tjetër mënyra më e mirë për të justifikuar gjithë avokatinë e PS-së ndaj ish-ministrit të brendshëm është votimi në Kuvend me shumicë të madhe votash. PS i ka 74 vota të mjaftueshme për të mos lejuar surpriza për arrestimin e Saimir Tahirit. Madje, bashkë me 3 votat e deputetëve të PDIU dhe Tom Doshin, mazhoranca shkon në votimin e së mërkurës me 78 vota të sigurta kundër kërkesës së Prokurorisë. Si rregull duhen 71 vota për të mos e arrestuar. 78 vota shpëtojnë personalisht Tahirin, por kaq nuk mjaftojnë për të fituar betejën morale të qeverisë. Për këtë qëllim këto ditë mazhoranca ka nisur zbatimin e një operacioni politiko-finaciar për të siguruar vota të tjera në favor të ish-ministrit.

Burime të sigurta nga të dy kampet politike thanë për “Koha Jonë” se Partia Socialiste synon që në votimin e të mërkurës të arrijë shifrën e 84 votave. Janë gjashtë vota që po tentohen të blihen këto ditë nga deputetët e opozitës, me të gjitha mënyrat financiare. Burime shumë të rezervuara nga mazhoranca thanë se deputetë të opozitës janë kontaktuar këto ditë me qëllim blerjen e votës për Saimir Tahirin. Këto takime dhe sinjale për shitblerje nuk janë mohuar dhe nga deputetë të opozitës. Në treg kanë nisur të qarkullojnë shifra të çmendura për shumën që u premtohet opozitarëve gjatë seancës të mërkurës. Flitet për të paktën 500 mijë euro për një votë deputeti. Në total, për këtë aksion financiar po qarkullojnë 3 milionë euro, pasi u duhen fiks 6 deputetë nga opozita, sepse 78 deputetë janë të deklaruar të mazhorancës. Përveç parave, deputetëve të opozitës u ofrohen dhe shpërblime të tjera që jep zakonisht pushteti për deputetët dhe familjarët e tyre. Kjo praktikë ka ndodhur në Shqipëri dhe nuk ka asgjë për tu habitur. Habia është se si ka mundësi që lejohet një krim i tillë korruptiv?

PS kërkon patjetër 84 vota kundër kërkesës së prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit. E para është arsye morale. PS, me 84 vota synon që të tregojë se çështja “Tahiri” ka mbështetje aq sa duhet për ndryshimin e ligjeve të rëndësishme në vend. Me 84 vota, socialistët japin imazhin se Tahiri ka mandat “kushtetues” dhe kërkesa e prokurorisë nuk duhet të merret më në konsideratë. Por kryesorja mbetet se kryeministrit u thotë ndërkombëtarëve se ka plot 84 vota, bile edhe nga radhët e opozitës. Mendje diabolike kjo e qeverisë.

Arsyeja e dytë, PS kërkon 84 vota për diversion të pastër politik. Janë të paktën gjashtë deputetë që parashikohet të tradhtojnë opozitën. Në këtë mënyrë, me votimin e së mërkurës deligjitimohet paksa moralisht gjithë kauza e Frontit Opozitar, i cili u themelua pikërisht në kulmin e përgjimeve italiane për ish-ministrin. Përveç kësaj fut sherrin brenda partive të opozitës se cili u ble nga PS.

Djallëzi e pashoq e kryeministrit. Mjeshtër i paparë, sepse e kalon krizën nga vetja te partitë e opozitës të cilët do zihen se cila tradhtoi.

Arsyeja e fundit e blerjes së votave është në interes të gjithë qëndrimeve të PS. Nëse socialistët mbledhin me para dhe euro 84 vota duke i dhënë imunitet “kushtetues” ish-ministrit, pas kësaj nuk ka më prokuror dhe gjykatë që e prek me dorë çështjen “Tahiri”.

Pazari është hapur. Gjashtë deputetë duhen nga opozita për tre milionë euro!

OPINIONE