Tre vatra zjarri janë aktive prej tre ditësh në teritorin e rrethit Dibër. Një vatër është në sektorin pyjor të Pratit në njësinë administrative Selishtë . Ky zjarr ka rënë prej tre ditësh dhe ka djegur një sipërfaqe pyjore rreth 150 hektarë. Në terren kanë qenë ditën e parë 3 punonjës zjarrfikës dhe një inspektor i policisë së zonës.
Një tjetër vatër ka djegur rreth 40 hektar pyll në zonën e Runjës në Njësinë Administrative të Muhurrit , dhe sot ka kaluar në zonë të lartë kullosore (bjeshkë) duke përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme .
Një vatër tjetër ka nisur në fshatin Topuze në Njësinë Administrative Zall Dardhë dhe ka marrë mbarë sipërfaqe pyjore , toka dhe pemtore në fshatrat e Njësisë Administrative Sllovë. Zjarri ka djegur mbi 150 hektarë pyje dhe kullota , dhe vazhdon të jetë aktiv duke u ngjitur drejt zonës së mbrojtur të masivit të Korabit.
Zjarri ka djegur disa banesa të vjetra pa njerëz pasi banorët janë shpërngulur në Tiranë. Dy banesa që janë ende të banueshme fatmirësisht kanë shpëtuar nga flakët ,pasi të zotët e shtëpisë nuk ndodheshin aty për shkak të festës së Kurban Bajramit.