Tre vjet pas rritjes së çmimit, banorët e Tiranës ende nuk kanë ujë në çezmat e tyre

E hap ujin për pallatin në orën 19:00 ose 20:00. Pastaj sa të zgjasë uji. Po u harxhua shpejt nga banorët nuk ka më ujë, deri ditën tjetër kur vjen sërish boti për furnizim”– u shpreh Shpëtimi, njëri nga administratorët e pallatit në zonën e Astirit, i pyetur nga Citizens Channel për mungesën e ujit në Tiranë.

I vendosur në siklet nga interesimi ynë për oraret e ujit, ai tregon duke u shfajësuar se nuk është faji i tij për këtë gjendje, kjo pasi të gjithë banorët i drejtohen për të kërkuar zgjidhje. “ Më pyesin kur do vijë uji, pse s’ka ujë, nuk jetojmë dot më këtu, nuk po lahemi dot në këtë vapë. Por puna ime është vetëm të mbush depozitën kur vjen boti.”

Në përgjigje të kërkesës për informacion nga Citizens Channel, UKT-ja u shpreh se nuk ka mungesë uji, por kufizime të pjesshme të lokalizuara në vetëm disa objekte.

“Realisht nuk mund të flitet për mungesë uji, por për kufizime të pjesshme në objekte të lokalizuara të cilat janë të pozicionuara në rrjetet që furnizohen përmes stacioneve të pompimit, më saktë disa pallate të ndodhura në Yzberisht e Astir”– ishte përgjigja e UKT-së ndaj kërkesës për informacion.

Nga kontaktet që Citizens Channel realizoi me banorë të zonave të ndryshme në Tiranë, vuri re se nuk është vetëm zona e Astirit apo Yzberishtit që vuan mungesën e ujit, por edhe zona të tjera e kanë këtë problematikë.

Ishte ora 16:30 kur u ktheva nga puna dhe mbeta në dush pasi iku uji. Që atë ditë, për afro një javë shkoj nga të afërmit e mi. Nuk ka lajmëruar askush për kufizimet në ujë”, – tregon për Citizens Channel, Mikeli, i cili jeton në zonën e Ali Demit.

Ndërkohë UKT-ja në përgjigjen e saj ndër të tjera shton se: “UKT ka evidentuar ato pallate që kanë probleme të furnizimit me ujë duke qenë vazhdimisht në kontakt, 24 orë në 24 me administratorët e tyre, duke ofruar zgjidhjet më të mira në mënyrë që banorët të ndjejnë sa më pak efektet e problemit të furnizimit për pallatin e tyre”. 

Shpëtimi, administratori i pallatit në Astir thekson se furnizimi i ujit vjen nga UKT, por ai nuk mjafton për numrin e lartë të popullsisë. Ai thekson se botet që vijnë nga UKT-ja sjellin ujë që varion nga 6 mijë litra deri në 12 mijë litra.

“ Periudha e verës është shumë problem. Vijnë botet e ujit pasdite, rreth orës 17:00 dhe kanë një madhësi prej 6 mijë, 8 mijë ose 12 mijë litrash, në varësi të botit. Me një bot furnizoj 4 shkallë pallatesh. Na thonë që do rregullohet. Sapo më thanë nga UKT-ja se të enjten do bëhet lidhja direkt nga Bovilla, të enjten e fundit të gushtit.”

Orari i furnizimit të pallateve me ujë është i ndryshëm në varësi të orareve që zgjedh administratori për ta shpërndarë. Kleanti i cili banon në zonën e Yzberishtit thotë se ka dy javë pa ujë, dhe se jeta e banorëve të asaj zone tashmë është e programuar në varësi të orarit të ujit.

Oraret që kemi ujë janë : 6:00-8:00, 12:00-13:30, dhe 19:00-20:30. Duhet të koordinojmë kohën në mënyrë që të jemi në shtëpi në orarin që ka ujë për të kryer pastrimet e shtëpisë, apo për të bërë dush.  Administratori thotë nuk ka ujë pasi është thatësirë dhe se Bashkia ka shume fluks dhe nuk i përballon dot të gjithë me bote”.

E njëjta situatë paraqitet edhe në zonën e Myslim Shyri-t. Endri tregon për Citizens Channel se uji ikën për disa orë. “Nuk e dimë se kur ikën uji, nuk ka një orar të caktuar. Një ditë nuk ka në mëngjes, një ditë tjetër nuk ka ujë pasdite. Varet, “-shpjegon ai më tej.

Edhe në zonën e Bllokut, vera e 2019 solli mungesë të ujit. Alice Taylor, e pyetur nga Citizens Channel shprehet se mund të pwrdorë lavatricen dhe ti bëjë dush fëmijës së saj vetëm në oraret 7.30- 8.30, 12:00-13:00 dhe 18:30- 20:00, pasi vetëm në këto orare ka furnizim me ujë.

“Gjatë këtyre orareve kemi shumë pak ujë dhe ndonjëherë edhe aspak. Gjatë natës nuk kemi fare ujë, dhe shpesh nuk ka ujë as për ti hedhur tualetit. Kjo mungesë e ujit prek 3 blloqe pallatesh, secili bllok me nga 10 apartamente, pra rreth të paktën 30 apartamente. Mungesë të ujit kanë pasur edhe miq të mi në rrugën Sami Frashëri, në Ali Dem, Laprakë dhe Myslym Shyri. “

Alice tregon se askush nuk u jep sqarim për situatën e krijuar dhe se përkujdesja për shtëpinë dhe fëmijët në mungesë të ujit krijon vështirësi gjatë periudhës së verës.

“Nuk kemi pasur asnjë njoftim dhe asnjë përgjigje për pyetjet tona. Ne blejmë bidona me ujë dhe po ashtu i mbushim ata me ujë për ti përdorur për tualetin. Duhet të bëj dush, të laj fëmijën dhe rrobat vetëm gjatë kohës që ka ujë. Është e vështirë kur do të gatuash, të lash dhe të pastrosh si dhe të kujdesesh për veten dhe dy fëmijë.

Pagesë më e lartë për ujë më pak 

Nga 1 janari i vitit 2018 çmimi i ujit në Tiranë u rrit me 40%. Nga 45 lekë që ishte, në 65 lekë për metër kub për familjarët, ndërsa për bizneset rritja ishte nga 135 lekë në 190 lekë për metër kub. Rritja e çmimit të ujit, sipas deklaratave të Bashkisë Tiranë erdhi për shkak të investimeve që Bashkia po kryente në rrjet.

Ju kujtoj se duket sikur 4 vjet ishin para 400 vjetësh, por e morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë, e kemi me 14 orë dhe duam, siç kemi premtuar, nga 1 janari kur filluam këto investime madhore pasi BERZH-i na besoi kredinë e ujit, deri në fund të mandatit tjetër ne të kemi shkuar nga 14 në 24 orë ujë dhe të ndihemi të gjithë krenar që ishim pjesë e një transformimi jetësor për Tiranën”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, në një nga intervistat e tij.

Plani 5 vjeçar i Bashkisë, i miratuar në vitin 2017 në vlerën e parashikuar të faturës mujore për ujin parashikon që në vitin 2020 të ketë një rritje në krahasim me vitin 2019. Përkatësisht, për familje me një person vlera e faturës në 2020 do të shkojë në 771 lekë, bashkë me tvsh-në, ndërsa në vitin 2019 ishte parashikuar 598 lekë. Për familjet me dy persona, 1183 lekë, ndërsa në vitin 2019 ishte parashikuar 955 lekë. Për familje me 3 persona 1,594 lekë, kundrejt 1,313 lekë në vitin 2019. Për familjet mesatare me katër persona, në 2020 vlera parashikohet 2006 lekë kundrejt 1670 lek parashikuar në 2019.

Në strategjinë 5 vjeçare të Bashkisë, thuhet se synohet të arrihet brenda 2021 shërbimi pa ndërprerje me presion të vazhdueshëm të furnizimit me ujë 24 orë, duke shmangur kështu depozitat në familjet dhe në ndërtesat e banimit, për të siguruara furnizim të mjaftueshëm me ujë gjatë ditës dhe natës.

UKT tha për Citizens Channel se: “Dy nga investimet, që janë vepra madhore në fakt, të cilat po kryhen për herë të parë nga UKT, janë; zgjerimi i impiantit përpunues të ujit “Bovillë” me 30% më shumë kapacitet si dhe ndërtimin e një linje transmetimi furnizimi nga impianti i Bovillës deri në depon e Yzberishtit, investime që i japin zgjidhje përfundimtare problemit të zonave si Yzberishti, Astiri, Kombinati, Kodër Kamza apo Kashar.”

Në një postim në Facebook, në janar të 2019, UKT shprehet se me anë të këtij impianti synohet që në muajt e verës të nisë një epokë e re e furnizimit me ujë, por vera e vitit 2019 kaloi sërish pa ujë të pijshëm për qytetarët e kësaj zone të Tiranës.

Furnizimi me ujë me anë të depozitave në qytetin e Tiranës, sjell dhe problemin tjetër, atë të mos respektimit të cilësisë së ujit. Citizens Channel vëzhgoi disa prej këtyre depozitave në zonën e Yzberishtit dhe vuri re se uji që vjen nga rrjeti është tepër i ndotur duke krijuar një shtresë papastërtish dhe gëlqereje në sipërfaqe. Pavarësisht se në fatura ky ujë cilësohet dhe paguhet me çmimin e ujit të pijshëm, banorët tregojnë se nuk e përdorin atë as për të larë enët.

“Kemi dy vjet që jetojmë këtu, rezistencën e bolierit e kam ndërruar dy herë se bën shtresë gëlqere dhe nuk ngroh, lavatricen e e bleva të re, po tani e kam gati për ta hedhur se është mbushur me dhera nga uji”, tregon Arbeni, banor në pallatin ku janë marrë pamjet e depozitës.

 

*Citizens Channel / Erisa Kryeziu 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne