“Tregtia prej 100 miliardë dollarësh Turqi-Rusi është e arritshme”

Dëshira e Turqisë dhe Rusisë për të zgjeruar tregtinë dypalëshe deri në 100 miliardë dollarë është qëllim që kërkon punë, por në të njëjtën kohë qëllim i arritshëm që mund të realizohet me ndihmën e investimeve të ndërsjella në nivel global, tha të hënën ambasadori i ri i Rusisë në Turqi, Aleksei Jerkhov.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) pas Panairit të 86-të Ndërkombëtar të Izmirit, i cili u mbajt mes 18 dhe 27 gushtit, ku Rusia mori pjesë si vend partner, Jerhov përshëndeti Turqinë si një partner tregtar “kyç” për Moskën në një gamë të gjerë sferash, duke përfshirë sektorin e ndërtimit.

“Ka shumë aktivitete serioze dhe të rëndësishme të investimit për Ankaranë dhe Moskën në shtetet tona që nuk janë të kufizuara vetëm në sektorin e ndërtimit. Kompanitë më të mëdha të Rusisë kanë investuar në ekonominë turke për një kohë të gjatë, ndërsa kompanitë turke po veprojnë me sukses të madh në tregun rus”, tha Jerkhov.

Jerkhov tha se tregtia dypalëshe midis Turqisë dhe Rusisë filloi me tregtinë individuale në vitet e 90-a, por tani sfera e bashkëpunimit është zgjeruar deri në atë masë sa që tani po zbatohen projekte të mëdha infrastrukturore, duke përfshirë projektin e gazit natyror të Rrjedhës Turke dhe centralin e parë bërthamor të Turqisë, Akkuyu.

Sipas ambasadorit rus, vëllimi tregtar ka arritur një rekord të lartë në vitin 2010 me 34 miliardë dollarë, kohë kjo kur partitë politike për herë të parë shprehën objektivin prej 100 miliardë dollarësh.

“Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se vëllimi ynë i tregtisë së fundmi ka rënë në masë të madhe për arsye të njohura, si dhe për shkak të kushteve të tregut. Ai ka rënë rreth 50 për qind në krahasim me nivelet e arritura shtatë apo tetë vjet më parë”, thekson Jerkhov.

“Pavarësisht nga kjo, objektivi për të rritur vëllimin e tregtisë së ndërsjellë deri në 100 miliardë dollarë është një qëllim që kërkon punë, por në të njëjtën kohë i arritshëm”, tha ai.

Jerkhov nënvizoi se bota e biznesit dhe qeveritarët rajonalë po punojnë shumë për të arritur këtë qëllim, duke shtuar se një shembull i rëndësishëm për këtë përpjekje është i dukshëm në Zonën e Tregtisë së Lirë Alabuga në Republikën e Tatarstanit, në të cilën firmat turke veprojnë në mënyrë aktive.

Sferat e bashkëpunimit

Në arritjen e objektivit të vëllimit të tregtisë, bashkëpunimi dhe sinergjia midis Turqisë dhe Rusisë janë kyçe, tha Jerkhov, duke shtuar se marrëveshja e fundit midis kompanisë private iraniane për Eksplorim dhe Prodhim Ghadir, kompanisë shtetërore ruse Zarubezhneft dhe kompanisë turke Unit International për zhvillimin e fushave të naftës dhe gazit natyror në Iran janë një shembull i mirë i këtij bashkëpunimi.

“Zarubezhneft është një kompani shumë serioze dhe e suksesshme me eksperiencë të gjerë veçanërisht jashtë vendit. Kjo marrëveshje trepalëshe është një shembull i mirë dhe tregues i bashkëpunimit midis vendeve tona”, deklaroi ai.

Ambasadori rus gjithashtu ftoi sipërmarrësit turq të përfitojnë nga sistemi i ri rus i pagesave elektronike, i quajtur “Mir”.

Rusia filloi të shpërndajë kartat e para të pagesave elektronike në qershor, të cilat janë të pavarura nga sistemet ndërkombëtare të pagesave siç janë Visa Inc. dhe MasterCard Inc.

“Unë jam i sigurt se bota e biznesit turk do të dëshironte të integrojë këtë sistem që tani punon vetëm me monedhën vendase, rubla”, tha ai.

Unioni Doganor i Eurazisë

Ministri i Ekonomisë i Turqisë, Nihat Zeybekci, gjatë fjalimit të tij në provincën e Izmirit në ditën e hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Izmirit, tha se Turqia dëshiron të fillojë negociatat mbi Unionin Doganor Euroaziatik. Unioni përbëhet nga anëtarë të Unionit Ekonomik Euroaziatik (EAEU), që përfshin Armeninë, Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgistanin dhe Rusinë.

I pyetur se si marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe Turqi-BE do të ndikoheshin nga synimi i Turqisë për të filluar negociatat për unionin në fjalë, Jerkhov pohoi se çështja ka të bëjë më shumë me balancat makroekonomike, por ai shprehu mbështetjen e tij për negociatat.

Importi i domateve nga Turqia

Importet e domateve turke në Rusi u diskutuan në detaje gjatë panairit të Izmirit, si në nivelin e Komisionit të Përbashkët Ekonomik, ashtu edhe midis ekspertëve turq dhe rusë, njoftoi Jerkhov. “Sot, Rusia plotëson 80 për qind të kërkesës së saj për domate nga tregu vendas dhe 20 për qind nga Irani, Azerbajxhani, Maroku, etj”, shpjegoi ai.

Ambasadori theksoi rëndësinë e dy takimeve të ardhshme për zgjidhjen e çështjes, prej të cilëve njëri është takimi i përbashkët i komitetit bujqësor që do të mbahet në Antalia më 13 shtator dhe tjetri më 20 tetor i Komisionit të Përbashkët Ekonomik në Kazan.

“Shpresoj që nëse përpiqemi ne mund të gjejmë një marrëveshje reciproke të dobishme në atë kohë,” përfundoi ai.

Pas rrëzimit të avionit rus pas shkeljes së hapësirës ajrore në nëntor të vitit 2015, Moska mori disa masa kundër Ankarasë, duke përfshirë ndalimin e importeve të produkteve bujqësore turke dhe dhënien fund të udhëtimit pa viza për shtetasit turq.

Që nga vera e kaluar, Rusia i ka lehtësuar masat dhe ka hequr ndalesat ndaj disa produkteve, veçanërisht ndaj frutave agrume.

Gjatë një vizite më 3 maj në Rusi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti rus Vladimir Putin kishin rënë dakord për rifillimin e tregtisë, duke përfshirë ushqimin dhe tekstilin, por me përjashtim të domateve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne