Tri llojet e pozicionimit në raport me Perëndimin

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL

Kur i hedhim një vështrim 200 viteve të fundit, një nga pikat kryesore të debatit të periudhës së fundit të Perandorisë Osmane, të epokës republikane dhe të mendimtarëve bashkëkohorë është se çfarë qasje do të përvetësohet në lidhje me Perëndimin. Diskutimet e zhvilluara nën koncepte të ndryshme që kanë të bëjnë me Tanzimatin, qytetërimin perëndimor, Bashkimin Evropian dhe së fundmi me globalizimin gjithashtu, janë në thelb zgjatim i debatit kryesor rreth pozicionimit tonë në raport me Perëndimin.

Mund të thuhet se filozofët e periudhës së fundit osmane zhvilluan mbi të gjitha tri pikëpamje të ndryshme mbi Perëndimin dhe qytetërimin perëndimor.

Shembulli më tipik i qasjes së parë, e cila mund të shprehet si dorëzim, është qasja e pronarit dhe autorit të atëhershëm të revistës “Içtihad” (Opinioni), Abdullah Xhevdet (Abdullah Cevdet). Sipas tij, ka vetëm një qytetërim dhe ai është civilizimi perëndimor. “Qytetërimi perëndimor duhet të pranohet bashkë me të mirat dhe të këqijat e tij, përkundrazi zhdukja jonë është e pashmangshme”, thoshte Xhevdeti.

Pikëpamja e dytë mund të quhet si qasja e refuzimit, e cila e sheh Perëndimin si nëna e të gjitha të këqijave dhe kundërshton me një reagim të plotë çdo gjë që ka të bëjë me Perëndimin.

Ndërsa pikëpamja e tretë mund të quhet një qasje e matur ose e sigurt. Në këtë këndvështrim, përpjekjet imperialiste të Perëndimit nuk shpërfillen. Megjithatë zhvillohet një qasje e ekuilibruar ndërmjet dorëzimit dhe refuzimit, ku kërkohet që zemërimi ynë ndaj Perëndimit të mos na pengojë të shohim aspektet pozitive të Perëndimit dhe anët negative tona. Shprehja më konkrete e kësaj qasjeje mund të vërehet qartë tek Said Halim Pasha (Said Halimi), vezir i madh i Perandorisë Osmane gjatë Luftës I Botërore. Sipas tij, Lindja dhe Perëndimi duhet të bashkëjetojnë dhe të njohin mirë njëra-tjetrën pavarësisht se çfarë ka ndodhur ndërmjet tyre. Ai tërheq vëmendjen se në antagonizmin Lindje-Perëndim nuk është fajtor vetëm Perëndimi, por edhe Lindja ka pjesën e saj në këtë rezultat. Qëllimi i Said Halim Pashës në librin e tij me titullin “Taassub” (Fanatizmi) nuk është të rrisë apo nxisë urrejtjen dhe armiqësinë ndërmjet këtyre dy shoqërive, por të eliminojë mendimet e gabuara dhe verbërinë të cilat pengojnë vendosjen e marrëdhënieve të mira mes dy shoqërive në fjalë, sa të dënuara për të jetuar krah për krah aq edhe të detyruara për të njohur e mësuar njëra-tjetrën.

Pozicionimet e gabuara dhe pasojat e tyre

Ky nuk është një debat historik i mbuluar nga pluhuri i harresës. Ai është sot ndoshta edhe më zhuritës. Me proceset e globalizimit, tashmë s’është më edhe aq e qartë se ku fillon e ku mbaron Veriu, Jugu, Lindja dhe Perëndimi në kuptimin gjeografik dhe përkufizues. Bota është shumë më e ndërthurur. Tani është shumë më e vështirë të qëndroni brenda kufijve tuaj kulturorë, të izoluar nga bota.

Sot, miliona emigrantë dhe myslimanë jetojnë në Perëndim. Ne mund të avancojmë pikërisht nga këtu duke lënë mënjanë përpjekjet e shoqërive gjeografikisht joperëndimore për t’u pozicionuar në raport me Perëndimin. Debatin mund ta vazhdojmë nëpërmjet komuniteteve që jetojnë në Perëndim. Sepse çështja mund të kuptohet më mirë dhe pasojat e rënda, shkatërruese e zhuritëse të pozicionimeve të gabuara mund të vërehen më qartë përmes emigrantëve dhe myslimanëve që jetojnë në shoqëritë perëndimore. Nga ana tjetër, këto tri qasjet në fjalë nuk përjashtojnë as pozicionimet e shoqërive joperëndimore në raport me Perëndimin.

Mund të themi se qasja e dorëzimit dhe ajo e refuzimit, të cilat ishin të zakonshme për intelektualët osmanë të fundshekullit të 19-të dhe fillimit të atij të 20-të, janë sot mjaft të përhapura në mesin e emigrantëve dhe myslimanëve që jetojnë në Perëndim. Me psikologjinë e humbjes, njerëzit mund të evoluojnë në një radikalizëm dorëzimi ose refuzimi.

Në vende si Australia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, identitetet dhe kulturat e ndryshme jetojnë relativisht më lirshëm. Si rezultat i kësaj situate, emigrantët dhe myslimanët rezidentë në këto vende reagojnë më pak ndaj shoqërive në të cilat jetojnë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse ata integrohen më shpejt. Kurse në Evropë, qasja e dorëzimit dhe ajo e refuzimit janë më të theksuara për shkak të politikave shtetërore represive, asimiluese dhe njëtrajtësuese (uniformiste). Në këto vende, emigrantët kanë jo pak gjasa të shkasin në dorëzim ose refuzim kur bllokohen ndërmjet kulturave e besimeve që sjellin, vlerave të shoqërive ku jetojnë dhe qëndrimeve shtypëse të shteteve përkatëse.

Parë nga aspekti i refuzimit, ato shtresa që s’gjejnë miratim ose nuk janë në gjendje të shprehin veten në vendin perëndimor ku kanë shkuar bashkë me identitetet dhe kulturat e tyre, mund të kenë një pikëpamje gati nihiliste, e cila hedh poshtë kryekëput të gjitha vlerat dhe institucionet e shoqërisë ku jetojnë. Shtresat që evoluojnë drejt një radikalizmi të tillë, brenda pak kohe shkëputen tërësisht nga shoqëria në të cilën jetojnë. Nga kjo fazë, këto shtresa humbasin gjithashtu potencialin e tyre për të kontribuar në vendet dhe shoqëritë në të cilat jetojnë. Pak kohë më vonë, ato mund të transformohen shumë lehtë në shtresa ku gjejnë bazë organizatat terroriste. Prandaj, me përjashtim të vendeve të pushtuara nga Perëndimi, siç janë Afganistani, Iraku dhe Libia, pjesëmarrja më e madhe në organizatat terroriste si DAESH-i realizohet nga vendet perëndimore. Grupet terroriste mund të duken si një çlirim për ato shtresa rezidente në Perëndim, të cilat janë në një kolaps psikologjik që kundërshton dhe mohon çdo gjë. Megjithatë këta të rinj janë njohës të mirë të disa gjuhëve të huaja si anglishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Disa prej tyre janë të arsimuar mirë. Ata po ashtu njohin mirë gjuhët dhe kulturat e vendeve të origjinës. Ndërkohë që me pozicionimin e duhur mund të bëheshin secili fenerë deti si për Perëndimin ashtu edhe për vendet e origjinës së tyre, me një pozicionim të gabuar ata bien në grackat e organizatave terroriste dhe shkatërrojnë jetën e tyre. Refuzimi nuk ofron asnjë të ardhme, me përjashtim të zhdukjes, për individët me këtë gjendje psikologjike dhe për shoqëritë në të cilat ata jetojnë. Prandaj qasja e refuzimit mund të mbështetet gjithashtu nga shtresat uniformiste ose nga disa shërbime informative perëndimore, të cilat e konsiderojnë pluralizmin si një kërcënim. Këto agjenci perëndimore të inteligjencës mund të përpiqen gjithashtu që të eksportojnë qasjen e refuzimit dhe shtresat mohuese në vendet myslimane.

Për dallim nga qasja e refuzimit, emigrantët rezidentë në Perëndim mund të adoptojnë dorëzimin si një tjetër pozicionim i gabuar. Ndikim të madh në përvetësimin e qasjes së dorëzimit ka gjithashtu fakti që shoqëria dhe shteti ku jetojnë emigrantët nuk lënë asnjë rrugëdalje tjetër. Këta individë asimilohen pastaj duke braktisur plotësisht vlerat, besimet dhe kulturat e origjinës së tyre. Duke braktisur tërësisht autenticitetin dhe origjinalitetin e tyre, këta njerëz humbasin gjithashtu potencialin për të kontribuar në shoqëritë pritëse. Shtresat e dorëzuara mund të poshtërojnë përulësisht në mënyrë të vazhdueshme kulturat, shoqëritë dhe vendet e origjinës së tyre, me idenë se kështu mund të bëjnë vend në zemrën e shoqërisë në të cilën jetojnë, se kjo është ajo çfarë shoqëria në fjalë pret ose me frikën për të ardhmen e tyre. Në thelb, kjo qasje mund të jetë edhe manifestim i përpjekjes së një qëndrimi të papërvetësueshëm për t’u riprodhuar në çdo rrethanë. Kjo mund të jetë gjithashtu një prej arsyeve që disa shtresa emigrante të asimiluara në Evropë shfaqin reagime shumë më të skajshme kundër shoqërisë, kulturës dhe vendit të origjinës së tyre. Nëse autoritetet e vendit pritës investojnë në poshtërimin e emigrantëve nga njerëz me sfond emigracionin, ky qëndrim radikal mund të rezultojë me helmimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të emigrantëve me vendin e origjinës së tyre dhe vendin pritës.

Vallë çfarë sjell një pozicion i matur?

Për këtë do të vazhdojmë të flasim javën e ardhshme./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne