TRINIA E PAMUNDUR SHBA-IRAN-IZRAEL

Kastriot Çipi

Më në fund u bënë të qarta tre gjëra:
E para, NUK KA NEGOCIATA mes SHBA-së dhe Iranit, por ka “telefon të prishur” SHBA – Pakistan – Iran.
E dyta, palët janë po aq larg në qëndrime, sa ç’ishin para nisjes së luftës.
E treta, edhe nëse palët arrijnë kompromis, Izraeli do të bëjë çmos për ta sabotuar. Ashpërsimi i ofensivës kundër civilëve në Liban e vërteton këtë. Izraeli pretendoi se Libani nuk është pjesë e negociatave apo marrëveshjes fillestare të armëpushimit dhe SHBA u rreshtua përkrah Izraelit sërish.

Më poshtë keni dy propozimet respektive, të SHBA për Iranin dhe të Iranit për SHBA-në. Vini re se propozimi iranian është publik dhe pothuaj i pandryshuar, qysh para fillimit të luftës, me përjashtim të një variacioni të pikës 2, ndërsa propozimi amerikan, për të cilin Trump thotë se ka 15 pika, nuk është publikuar zyrtarisht, por ka rrjedhur në media i paplotë. Maksimumi që arrita të gjej janë 14 pikat e botuara në New York Post.

PROPOZIMI AMERIKAN
1. Irani duhet të çmontojë kapacitetet ekzistuese bërthamore.
2. Irani duhet të angazhohet që kurrë të mos përpiqet të prodhojë armë bërthamore.
3. Nuk lejohet pasurimi i uraniumit në territorin iranian.
4. Irani duhet t’ia dorëzojë rezervën e tij të uraniumit të pasuruar Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA).
5. Objektet bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordo duhet të çmontohen.
6. ANEA duhet të ketë akses të plotë në objektet bërthamore të Iranit.
7. Irani duhet të heqë dorë nga “paradigma e tij e ndërmjetësve rajonalë”.
8. Irani duhet të ndalojë financimin, drejtimin dhe armatosjen e ndërmjetësve të tij.
9. Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur.
10. Programi raketor i Iranit duhet të kufizohet si në rreze veprimi ashtu edhe në sasi.
11. Irani duhet të kufizojë përdorimin e raketave vetëm për vetëmbrojtje.
12. Heqja sanksioneve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar.
13. Ndihma e SHBA-ve për të avancuar programin e tij civil bërthamor.
14. Një mekanizëm “snapback” që lejon rivendosjen automatike të sanksioneve nëse Irani nuk respekton marrëveshjen do të hiqej.
15. ???

PROPOZIMI IRANIAN:
1. Garancia e mos-agresionit: Një angazhim themelor dhe i përhershëm nga SHBA dhe aleatët e saj për të ndërprerë të gjitha operacionet ushtarake aktuale dhe të ardhshme kundër Iranit.
2. Kontrolli iranian i Ngushticës së Hormuzit: Juridiksioni i vazhdueshëm iranian mbi kalimin detar, ku i gjithë lundrimi do të rregullohet dhe koordinohet përmes forcave të armatosura iraniane. (Variant: Financimi i rindërtimit të Iranit nga taksa e tranzitit 2 milion dollarë për çdo anije që kalon në Hormuz.)
3. Pranimi i pasurimit bërthamor: Njohja e të drejtës së Iranit për të pasuruar uranium për qëllime paqësore.
4. Heqja e sanksioneve parësore: Shfuqizimi i menjëhershëm i të gjitha sanksioneve të drejtpërdrejta ekonomike dhe tregtare të SHBA-së kundër Iranit.
5. Heqja e sanksioneve dytësore: Heqja e sanksioneve që synojnë vendet e treta ose kompanitë ndërkombëtare që bëjnë biznes me Iranin.
6. Përfundimi i rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Shfuqizimi i të gjitha rezolutave ekzistuese të KS-OKB-së të miratuara kundër Iranit.
7. Përfundimi i rezolutave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA): Anulimi i të gjitha rezolutave dhe hetimeve të hapura nga Bordi i Guvernatorëve të ANEA-s.
8. Tërheqja e forcave luftarake të SHBA-së: Tërheqja e plotë e të gjitha trupave luftarake amerikane nga bazat në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
9. Dëmshpërblimet e luftës dhe lirimi i aseteve: Pagesa e plotë e dëmshpërblimeve për dëmet e luftës ndaj Iranit dhe lirimi pa kushte i të gjitha fondeve dhe pronave iraniane të ngrira jashtë vendit.
10. Ratifikimi detyrues nga OKB: Ratifikimi zyrtar i të gjitha pikave të mësipërme në një rezolutë detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të siguruar qëndrueshmëri juridike ndërkombëtare.

Lufta do të ashpërsohet shumë shpejt dhe paqja, për momentin, nuk duket gjëkundi në horizont./fb

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne