Shqiperia

Tritoli në banesë, flet nënkryetari i Bashkisë Kamëz: Në konflikt jam vetëm me Edi Ramën

Nënkryetari i Bashkisë së Kamzës, Vendim Demaj, ka reaguar lidhur me ngjarjen e mbrëmjes të së dielës, kur pranë derës së banesës së tij ka shpërthyer një sasi tritoli.

Në një prononcim për “Top Channel”, zyrtari demokrat është shprehur se ka asnjë konflikt që të mund ta bënte të dyshonte për ndonjë atentator, ndërsa vë theksin tek konflikti politik me qeverinë. “Sipas telefonatave të komshinjve, ka qenë ora 23:30 (shpërthimi). Fatmirësisht as unë dhe as komshiu nuk kemi qenë në banesë, por me pushime. Janë thyer të gjitha xhamat e 5 kateve dhe janë shkatërruar dyert. Unë jam në konflikt të vazhdueshëm me qeverinë e këtij fashisti, Edi Rama, dhe cubat e Lleshajt. Asnjë konflikt nuk kam patur në 40 vite. I vetmi konflikt është me ‘Llesh kimikun’ dhe Edvin Ramën”, ka thënë Demaj.

Për të vijuar procedurat, Demaj bëri me dije se do të paraqitet në Polici, sipas së cilës lënda plasëse nuk ka shpërthyer në banesën e Demaj, por në banesën e marrë me qera nga shtetasi Paulin Gjegjaj. “Më datë 04.08.2019, rreth orës 23.30, tek kthesa Kamzës në katin e tretë të një pallati,  në pjesën e derës së banesës së marrë me qera nga shtetasi P.Gj,  ka shpërthyer  një sasi  e vogël lënde e dyshuar plasëse, ku në momentin e shpërthimit brenda në banesë nuk ka pasur njeri  dhe si pasoje ka vetëm dëme materiale”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e Policisë./Lapsi

OPINIONE