Triumfi i populistëve në Gjermani, tregon pse e majta duhet të radikalizohet

Nga Paul Mason për “The Guardian”

“ Disa prej nesh po fillojnë të mendojnë se është fundi i projektit.” Kështu u shpreh një Social-Demokrat i rëndësishëm, për të ardhmen e socializmit javën e kaluar. Dështimi i vrazhdë i SPD-së në Gjermani ka bërë pak për të larguar zymtësinë. Pas 12 vitesh që kjo parti ka shërbyer si ndihmëse e Angela Merkel, do të shkojë në opozitë pa një strategji, dhe me një shqetësim të madh për triumfin e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Nëse liderët e Demokracisë Sociale Gjermane ndihen përgjegjës për kolalpsin e tyre dhe fitoren e të djathtëve, të paktën mund të ngushëllohen me faktin se nuk janë vetëm. Partia Socialiste Franceze avulloi në garën presidenciale të këtij viti; Partia Laburiste Hollandeze pa votat të bien në 5.7% dhe Partia Socialiste Austriake do të përballet me humbje në zgjedhjet e muajit të ardhshëm – gjë që do të sjellë me siguri në pushtet koalicionin e parë të konservatorëve dhe neo-fashistëve në BE.

Diagnoza e pranuar në mesin e partive të qëndrës së majtë Europiane është se kanë qëndruar ose shumë gjatë në koalicione të mëdha, ose janë kthyer në teknokratë të butë, të gënjyer nga populistët shumëngjyrësh të së majtës dhe së djathtës. Por problemi shkon më thellë. Modeli ekonomik neoliberal, të cilin demokracia sociale kërkoi ta zbusë dhe humanizojë , nuk funksionon më. Është në grahmat e fundit, duke u suportuar artificialisht nga 12 trilion dollarë të Bankës Qëndrore.

Sic shkruan William Davies, një studiues i ekonomisë politike në Universitetin e Londrës, Goldsmith, pas vitit 2008 neoliberalizmi u bë “ i pajustifikueshëm me të gjithë kuptimin e fjalës… një ritual që përsëritet, jo një doktrinë për t’u besuar.” Mbijetoi nëpërmjet një serie veprimesh arbitrare shtetërore për të cilat nuk kishte asnjë ideologji mbështetëse. Që atëherë, njerëzit e zakonshëm të Europës e kanë parë veten të varfërohen, të ardhmen e fëmijëve më të pasigurt dhe një elitë të përqëndruar rreth financave dhe zhvillimit të pronave, të pasurohet. Logjika që partitë kryesore po përpiqen të përdorin nuk ka më kuptim. Njerëzit po kërkojnë përgjigje koherente, dhe për disa, nacionalizmi dhe ksenofobia duken më koherente se cfarë partitë e qendrës kanë për të ofruar.

Deri sa qendra e majtë, të mësojë të shkëputet nga logjika e neoliberalizmit dhe të ndërtojë një model ekonomik që nënshtron forcat e tregut ndaj nevojave njerëzore, ajo do të vazhdojë të dështojë. Detyra nuk është të përmirësojë ose të ndryshojë modelin ekonomik neoliberal, por ta zëvendësojë atë – po aq rrënjësisht sa Thatcher, Reagan dhe Berlusconi në kundër-revolucionet e viteve 80-të dhe 90-të.

Pika fillestare është të ndalosh karakterizimin e partive të vogla, por mjaft të gjalla si “populiste” ose “po aq e keqe sa e djathta”. Në vend të kësaj, socialdemokratët duhet të mësojnë nga e majta radikale dhe të angazhohen me ta si ideologjikisht por edhe taktikisht. Koalicioni qeverisës portugez i socialistëve dhe bllokut të majtë, ka ringjallur shtetin e mirëqënies me një injeksion të parave, duke shkrirë pensionet, duke rritur përfitimet për familjet dhe personat me aftësi të kufizuar dhe duke rritur punësimin e të rinjve. Syriza në Greqi ka eklipsuar partine tradicionale socialiste Pasok jo vetëm përmes sfidimit heroik të Bankës Qëndrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, por duke shfaqur kompetencë në qeveri dhe imunitet relativ ndaj korrupsionit të thellë që përbën pjesën tjetër të politikës. Në Irlandë, Sinn Féin, së bashku me gjashtë deputetë nga një koalicion i ekstremit të majtë, është kthyer në një zë shumë herë më të fuqishëm për drejtësinë sociale se Partia Laburiste e zbehtë.

Vetëm një parti tradicionale Social Demokrate Europiane ka nisur transformimin e nevojshëm, dhe kjo është Partia Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar. Konferenca e sivjetshme i ka kthyer rrugicat e ne Brighton-it, në një klub diskutimi të vazhdueshëm rreth politikës dhe ekonimisë së socializmit modern. Pubet, qoshet e rrugëve, kafenetë, rradhët e pafundme dhe sigurisht plazhi, janë mbushur me njerëz entuziast dhe të rinj laburistë të cilët përgatiten për transformimin rrënjësor të Britanisë. Disa prej tyre kanë lëvizjen Laburiste në ADN – shumë të tjerë në Gjermani do të ishin po aq të lumtur të bashkoheshin në “Die Linke” ose Partinë e Gjelbër; apo në Itali, në Lëvizjen “Pesë Yjet”.

Sigurisht, ka mosmarrëveshje. Ish-ministri Laburist, Chris Leslie shkaktoi të qeshura përgjatë gjysmës së Pubeve në Brighton, kur pretendimi i tij se “ marksizmi nuk ka vend në një parti moderne Laburiste” u postua në Twitter. Marksizmi është kudo në partinë moderne laburiste. Anëtarët e saj vihen në rradhë për të dëgjuar antropologun marksist David Harvey të dielën mbrëma. Më shumë e përhapur, një formë grudualiste e marksizmit parlamentar, bazuar në idetë e Antonio Gramscit, të popullarizuara më vonë nga sociologu Stuart Hall, është ideologjia e paracaktuar politike e shumë anëtarëve Laburist nën moshën 40-vjecare.Kjo formon thelbin ideologjik të demokracisë radikalë socialiste që ka krijuar “Corbynismi”.

Deputeti Laburist, Clive Lewis tërhoqi vëmendjen në një takim të vogël kur përplasi sektarianizmin e Partisë Laburiste ndaj Caroline Lucas dhe të Gjelbërve. Shumë Labursitë, duke më përfshirë dhe mua, duan të shohin një aleancë strategjike te Laburistëve, nacionalistëve progresivë dhe të Gjelbërve në vend, edhe nëse Laburistët do të fitonin shumicën. Shkalla e transformimit të nevojshëm në Europë kërkon gjithashtu koalicione më të forta progresive të partive kryesore dhe radikale socialiste, nacionalistëve progresivë dhe të Gjelbërve të majtë.

Nuk mund të kuptohet drejt ringjallja e Laburistëve kundrejt ringjalljes së demokracisë sociale Europiane. Ekziston një inerci shumë e madhe intitucionale dhe personale: nëse Jeremy Corbyn dhe kryeministri portugez Antonio Costa kanë të drejtë , atëhere mijëra tema doktoraturash, janë të gabuara, po ashtu janë dhe qindra raporte nga thinktank-et e qendrës së majtë.

Ekziston edhe cështja e BE-së. Parakushti për çlirimin e Laburisëve nga neoliberalizmi ishte se ai gjithmonë duhet të mendonte jashtë kutisë së Traktatit të Lisbonës, i cili e kodonte doktrinën neoliberale në ligje të pandryshueshme. Opozita Britanike, për shkak të euros dhe kritereve të deficitit të Manstrihtit, i lejoi politikanët Laburistë të pyesnin së pari se çfarë është e domosdoshme, jo çfarë është e lejuar nën Lisbonë – një mentalitet i përforcuar nga Brexit.

Teksa fillojnë të punojnë këtë mëngjes për t’u rindertuar, detyra e parë e socialdemokratëve Gjermanë është të heqin Traktatin e Lisbonës nga mendësia e tyre. Aplikimi në praktikë do të jetë i lehtë sapo të mund të imagjiojnë një të ardhme ku shteti mbron njerëzit dhe planetin, jo elitën financiare./ tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne