Trondit Agron Kuliçaj: Policia është shitur te krimi, pengu i madh i Artan Cukut

“Janë ditë të trishta për policinë shqiptare”. Kështu e nis rrëfimin Agron Kuliçaj, ish ­zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit. I konsideruar si “dorë e hekurt” në polici, Kuliçaj vendos të rrëfejë për herë të parë për “Gazetën Shqiptare” gjithçka di rreth ekzekutimit të komisar Artan Cukut. I larguar nga radhët e ‘bluve’, Kuliçaj thotë se, “vrasja e Artan Cukut është dëshmia me e qartë e shitjes te krimi që shteti u bën punonjësve të policisë”. Ndërsa, vë theksin se duhet hetuar në të gjitha pistat për zbardhjen e vrasjes mafioze. Kuliçaj shkon edhe më tej, kur këmbëngul se pista e vrasjes për hakmarrje nuk qëndron, ndërsa flet për pengun e mikut të tij Cuku…

Kuliçaj, ju keni punuar për më shumë se një dekadë me komisarin e ndjerë Artan Cuku, me të cilin keni pasur krahas marrëdhënieve të punës, edhe marrëdhënie miqësore. Si e mësuat lajmin për vrasjen e tij?

Ndodhesha me një mikun tim, punonjës policie në një lokal në rrugën “Mustafa Matohiti”, po pinim kafe. Gjysmë ore pasi ishim ulur, besoj duhet të ishte ora 20:30, miku im mori një telefonatë, përmes së cilës u informua se ishte vrarë një ish ­punonjës policie dhe që dyshohej se ishte Artan Cuku. Ishte krejtësisht shokuese për mua dhe e kisha të vështirë ta besoja. Ndaj i kërkova mikut tim ta verifikonte sërish telefonatën.

Çfarë ndodhi më pas?

Ai bëri disa telefonata dhe pas afro 20 minutash më konfirmoi se ishte vrarë pikërisht Artan Cuku. Si mik dhe si bashkëpunëtor ndjeva dhimbje për ikjen e tij dhe sinqerisht, ende nuk arrij ta besoj. Gjej sërish rastin të ngushëlloj bashkëshorten e tij dhe fëmijët për humbjen e madhe, si dhe të gjithë pjesëtarët e familjes. Zoti u dhëntë kurajë për të përballuar këtë ngjarje tragjike. I garantoj në emër të të gjithë kolegëve se do të jemi gjithmonë pranë tyre.

Ju keni qenë për vite me radhë në postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe një prej miqve të Artan Cukut. Sipas jush, cila duhet të jetë pista kryesore e hetimit?

Duhen vlerësuar të gjitha pistat. Hetimet nuk duhet të përqendrohen vetëm në një drejtim, siç është dyshimi për një vrasje për motive hakmarrjeje, për shkak të incidentit që Artan Cuku pati shumë vite më parë në zyrën e tij. Hulumtimi vetëm në një drejtim anashkalon marrjen e provave për pistat e tjera, duke i bërë dëm hetimit të gjithanshëm të çështjes. Theksoj se duhen hulumtuar çështjet që ka ndjekur, kryesisht në Vlorë, në drejtim të goditjes së grupeve të narkotrafikut dhe personave, të cilët janë ekstraduar në Itali, pasi ishin në kërkim ndërkombëtar. Gjithashtu, nevojitet përqendrim total i policisë kriminale në hetimin e rastit. Prokuroria, policia dhe shërbimet e tjera duhet të bashkëpunojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Duhet vlerësuar me kujdes çdo e dhënë e hetimit dhe duhet ruajtur sekreti hetimor, pasi në jo pak raste nxjerrja në media e të dhënave e dëmton hetimin. Prokuroria duhet të vendosë komunikimin me mediat. Nuk duhet që çdo drejtues policie të bëjë deklarata për ecurinë e hetimit.

Policia ka deklaruar se po heton në disa pista, madje ka vënë dhe një shpërblim për personat që japin të dhëna që vlejnë për zbardhjen e ngjarjes. A nuk veprohet kështu në të gjitha rastet?

Policia dhe prokuroria duhet të sigurojnë prova të sakta dhe të zbardhin të gjithë të vërtetën, jo vetëm sa u përket autorëve, por edhe motivit. Veprimet e policisë në vendngjarje kanë qenë amatore dhe është manipuluar opinioni publik.

Përse sipas jush pista e vrasjes për hakmarrje është e zbehtë dhe vini theksin te një vrasje për shkak të detyrës, konkretisht për kohën që ai ka drejtuar Policinë e Vlorës?

Pistën e hetimit për hakmarrje, unë e përjashtoj pasi kam qenë ndër drejtuesit e policisë që kam ndjekur hetimet për rastin. Dhe jo vetëm kaq, por edhe komunikimet që Artan Cuku ka pasur me familjen Daka. Veç anës ligjore, Artan Cuku donte që të kishte edhe besimin moral të familjes në fjalë, se nuk kishte kryer asnjë veprim arbitrar ndaj djalit të tyre.

Kuliçaj, mund të na flisni pak për njohjen me Artan Cukun dhe si e vlerësoni punën e tij në polici?

Me Artan Cukun jam njohur në vitin 2005 dhe marrëdhënia me të në vazhdim ka qenë profesionale dhe shoqërore. Ai ishte një oficer policie, që i ishte përkushtuar tërësisht profesionit dhe punonte me shumë pasion. Ishte një familjar model dhe i përkushtuar. Ju keni qenë një prej miqve të tij më të mirë.

Mund të na thoni nëse ka pasur ndonjë peng Artan Cuku?

Artan Cuku u nda nga kjo jetë me mendimin se do të rikthehej në Policinë e Shtetit, për t’i shërbyer prapë me aq pasion dhe profesionalizëm, ashtu si ishte dhe dinte vetëm ai të bënte punën në shërbim të qytetarëve. Për fat të keq, ky fakt mbeti edhe pengu më i madh i tij, pasi edhe pse me vendim të formës së prerë nga gjykata, drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, në kundërshtim me vendimin e gjykatës, refuzuan ta kthejnë në detyrë. Kuliçaj ka pasur reagime nga politika shqiptare, kryesisht opozita që ka kërkuar zbardhjen e vrasjes makabre. Por nga ana tjetër, nuk ka asnjë reagim të kryeministrit apo institucionit të Ministrisë së Brendshme. E kam të pamundur të kuptoj qëndrimin cinik të kryeministrit, i cili gjen kohë të komunikojë me deputetë trafikantë, të ftojë në takime e biseda telefonike persona me të shkuar kriminale dhe nuk bëri asnjë reagim për vrasjen e drejtuesit të lartë Artan Cuku, ngjarje e cila mund të konsiderohet mafioze dhe që ka tronditur mbarë opinionin publik. Kjo është e papranueshme.

Të kthehemi pak mbrapa në kohë. Ju jeni ndër zyrtarët e lartë të policisë që u liruat pas ndërrimit të pushtetit në 2013. Si e konsideroni këtë reformë?

Reforma e ndërmarrë në vitin 2013 është reforma me e paprecedentë e këtyre 26 viteve. Kjo pseudoreformë hodhi në rrugë mbi 1500 punonjës. Duhet të theksoj se pjesa dërrmuese e këtyre punonjësve kanë fituar proceset gjyqësore. Por në asnjë rast nuk janë zbatuar vendimet e gjykatave dhe drejtësia nuk u vu në vend. Policia u politizua në ekstrem dhe ministri mori atribute në kundërshtim me ligjin dhe për veprime policore. Dua të theksoj këtu se vrasja e Artan Cukut është dëshmia me e qartë e shitjes te krimi, që shteti u bën punonjësve të policisë e për fat të keq një mesazh i qartë për çdo punonjës policie që guxon të bëjë detyrën, duke iu kujtuar atyre se pasojat mbi to nesër mund të jenë fatale./Gazeta Shqiptare

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne