TRT: Izraeli bisedon fshehurazi me Arabinë Saudite kundër Iranit

Duke folur për radion ushtarake të Izraelit, ministri i Energjisë, Yuval Steinitz, tha se Arabia Saudite me vendin e tij ndajnë shqetësime të përbashkëta kundër Iranit dhe për këtë arsye të dyja vendet zhvillojnë një komunikim të fshehtë.

Në përgjigje të pyetjes përse mbahet në fshehtësi ky komunikim, Steinitz tha se Tel-Avivi kishte disa lidhje sekrete me shumë vende myslimane dhe arabe, por në këtë rast kishte qenë pala tjetër që kishte kërkuar mbajtjen sekret të komunikimit.

Edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Izraelit, Gadi Eisenkot në një intervistë javën e kaluar për një gazetë arabo-saudite kishte thënë se Izraeli ishte i gatshëm të ndante përvojën dhe informacionin e klasifikuar me Arabinë Saudite dhe vendet e tjera të moderuara arabe kundër Iranit.

Eisenkot argumenton se midis Arabisë Saudite dhe Izraelit qëndrojnë shumë interesa të përbashkëta.

“Në rajon ekziston mundësia e krijimit të një aleance të re ndërkombëtare nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump. Për të eliminuar kërcënimin iranian ne kemi nevojë për realizimin e një plani të madh dhe gjithëpërfshirës strategjik,”- kishte thënë Eisenkot, shefi i “parë” i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite që është prononcuar për një gazetë të Arabisë Saudite. Eisenkot kishte thënë se influenca e Iranit në Lindjen e Mesme përbënte shqetësim edhe për Izraelin, edhe për Arabinë Saudite.

“Plani i Iranit është të kontrollojë Lindjen e Mesme me dy gjysmëhënave shiite. E para fillon nga Irani, vazhdon në Irak dhe nga atje shtrihet deri në Liban nëpërmjet Sirisë. Dhe tjetra shtrihet deri në Detin e Kuq përmes Bahrejnit dhe Jemenit. Ne duhet ta parandalojmë realizimin e kësaj”, ishte shprehur Eisenkot.

Ato çfarë kam dëgjuar nga autoritetet e Arabisë Saudite në lidhje me ekspansionizmin iranian përputhen një për një me shqetësimet e Izraelit,- tha Eisenkot duke shtuar se për këtë çështje ndërmjet sauditëve dhe izraelitëve ka një unitet të plotë arsyetimi./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne