“TRT World Forum” – Altun: Turqia ndihmon njerëzit e vuajtur në çdo skaj të botës

Gjatë fjalës së rastit në hapjen e Forumit të “TRT World” 2019, i cili po organizohet në Qendrën e Kongreseve të Stambollit me temën “Kriza e Globalizimit: Rreziqet dhe Mundësitë”, Altun theksoi se Shteti i Republikës së Turqisë është shndërruar në një aktor global në disa fusha të caktuara dhe po bën përpjekje për të treguar sesi fuqitë në rritje mund ta bëjnë botën në globalizim një vend më të drejtë.

“Sa u përket ndihmave humanitare dhe ndihmave zhvillimore, ne po u zgjasim dorën tonë të dhembshurisë njerëzve të vuajtur në çdo skaj të botës, që nga Afrika e deri në Amerikën Jugore dhe që nga Lindja e Mesme e deri në Azi. Këto nisma i bëjmë nën lidershipin e presidentit tonë dhe të orientuar prej tij. Në këtë kontekst, falënderoj presidentin tonë për hapat e ndërmarra deri më tani”, u shpreh ai.

Altun potencoi gjithashtu se Turqia është duke luftuar pothuajse vetëm kundër terrorizmit global dhe problemit të emigracionit jo vetëm për sigurinë e saj, por edhe për sigurinë e rajonit dhe tërë botës.

Për më tepër – vijoi drejtori i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë – ndërkohë që bëjmë këtë luftë, ne detyrohemi të shpjegojmë se terrorizmi është “terrorizëm” dhe se organizata terroriste është “organizatë terroriste”.

“Në këtë aspekt, në njërën anë ne ngremë në rend të ditës në platformat ndërkombëtare vuajtjet e njerëzve të pafajshëm që jetojnë në një hapësirë të gjerë nga Arakani në Siri dhe nga Palestina në Kashmir, kurse në anën tjetër përpiqemi të prodhojmë zgjidhje globale për këto probleme”, tha Altun mes të tjerash./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne