“TRT World Forum” – Ibrahim Eren: TRT-ja është bërë zëri i ndërgjegjes globale

Eren mbajti një fjalim në hapjen e Forumit të “TRT World” 2019, i cili po organizohet në Qendrën e Kongreseve të Stambollit me temën “Kriza e Globalizimit: Rreziqet dhe Mundësitë”.

Duke theksuar se në forumin e vitit të kaluar, organizuar me temën “Paqja dhe Siguria në një Botë të Fragmentuar”, u mbajtën mbi 20 sesione të hapura dhe të mbyllura, drejtori i përgjithshëm i TRT-së bëri me dije se në forumin e sivjetmë do të realizohen mbi 40 sesione me pjesëmarrjen e ekspertëve nga fusha të ndryshme.

Ai tërhoqi vëmendjen se në 3 vite kohë që nga organizimi i parë i tij, Forumi i “TRT World” është bërë një prej platformave ndërkombëtare më të zgjedhura, ku diskutohen çështjet rajonale dhe ato globale.

“Në çdo punë që ne kryejmë, shqetësimi ynë «për të vendosur në qendër njeriun dhe ndërgjegjen» ka qenë në plan të parë. Edhe në forumin që bashkon zëra të ndryshëm, ne e kemi mbajtur në qendër këtë parim tonin”, u shpreh Eren.

Ai potencoi se gjatë kësaj periudhe që dëshmon keqorientimin e opinionit publik botëror, TRT-ja u ka qëndruar besnike vetëm e vetëm të vërtetave dhe për këtë është përballur me shumë vështirësi.

“Me fillimin e operacionit «Burimi i Paqes», ne patëm të ftuar që na njoftuan se nuk do të marrin pjesë, disa prej të cilëve paraqitën justifikime të ndryshme dhe disa të tjerë direkt për shkak të operacionit. Na vjen keq që këta të ftuar nuk arrijnë të kenë pjekurinë demokratike që kemi ne. Ne s’e kemi pranuar asnjëherë këtë rend të padrejtë, ku një këndvështrim i vetëm dhe i njëanshëm i kulturës mbizotëruese sovrane pranohet si e drejtë globale dhe zërat e vegjël injorohen”, vlerësoi Eren.

“Të frymëzuar nga presidenti ynë i nderuar, ne e kundërshtuam sistemin që fatin e 7,5 miliardë njerëzve e lë në duart e 5 vendeve. Ne u zgjatëm mikrofonat viktimave të këtij sistemi të padrejtë duke mundësuar një platformë ku ata mund të shpjegojnë veten e tyre. TRT-ja u bë zëri i ndërgjegje globale. Sikurse deri më sot, TRT-ja do të vazhdojë edhe këtej e tutje të amplifikojë zërin e të shtypurve dhe të informojë opinionin publik ndërkombëtar për gjithçka ndodh anembanë botës dhe sidomos në rajon, me të gjithë realitetin e zhvillimeve”, përfundoi drejtori i përgjithshëm i TRT-së./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne