Bota

Trudeau fton Papën në Kanada që të kërkojë falje për keqtrajtimin e fëmijëve aborigjenë

Kryeministri kanadez Justin Trudeau i bëri thirrje të hënën Papa Françeskut që të vizitojë Kanadanë për t’u kërkuar falje popujve indigjenë për keqtrajtimin nga kishat katolike të fëmijëve aborigjenë në shkolla.

Duke filluar nga fundi i shekullit të 19-të, rreth 30 përqind e fëmijëve të popujve autoktonë të Kanadasë, ose rreth 150,000 fëmijë, u vendosën në ato që njiheshin si “shkolla rezidenciale”, në një përpjekje të qeverisë për t’i zhveshur ata nga kulturat e tyre tradicionale dhe gjuhët stërgjyshore.

Për më shumë se një shekull, shkollat ​​u financuan nga qeveria, por shumë prej tyre u administruan nga Kishat e Krishtera, shumica nga katolikët romakë.

“I thashë atij se sa e rëndësishme është për kanadezët që të ecin përpara në pajtimin e vërtetë me popujt indigjenë, dhe unë theksova se si ai mund të ndihmonte duke kërkuar falje”, u tha Trudeau gazetarëve pas takimit me Papën.

Një komision kanadez për të vërtetën dhe pajtimin përfshinte një kërkim faljeje nga Kisha Katolike Romake në listën e tij të gjerë të rekomandimeve në një raport të vitit 2015.

Raporti mbi një “gjenocid kulturor” prej më shumë se një shekulli abuzim grumbulloi prova gjatë gjashtë viteve nga rreth 7,000 ish-studentë në Kanada.

Trudeau dhe papa argjentinas patën “diskutime të përzemërta” gjatë takimit privat 36-minutësh, tha Vatikani në një deklaratë.

Pa adresuar drejtpërdrejt çështjen e shkollave, ai tha se bisedimet ishin “të përqendruara në temat e integrimit dhe pajtimit, si dhe të lirisë fetare dhe çështjeve aktuale etike”.

Rreth 150.000 të rinj indianë, inuitë dhe metisë u regjistruan me forcë në 139 shkolla rezidenciale, të krijuara për të asimiluar njerëzit vendas dhe të drejtuara në shumicën e tyre nga grupe kishtare në emër të qeverisë kanadeze.

Shumë prej tyre janë abuzuar fizikisht dhe seksualisht dhe sot fajësojnë përvojën e tyre për një incidencë të lartë të varfërisë, alkoolizmit dhe dhunës në familje, si dhe për shkallën e lartë të vetëvrasjeve në komunitetet e tyre.

Trudeau, që ka kërkuar tashmë falje për të mbijetuarit, vuri në dukje pas raportit të vitit 2015 që Papa Françesku kishte kërkuar më parë falje të ngjashme, për shembull mbi trajtimin e komuniteteve indigjene gjatë epokës koloniale në Amerikën e Jugut.

Udhëheqësi kanadez tha se Françesku i kishte kujtuar se gjithë jeta e papës “është e dedikuar për mbështetjen e njerëzve të margjinalizuar në botë”, dhe se do të punonte me peshkopët kanadezë për të gjetur një rrugë për të ecur përpara.

Paraardhësi i papa Françeskut, papa Benedikti XVI në vitin 2009 shprehu “dhimbje” për abuzimet në Kanada. Shkolla e parë u hap në vitin 1874 dhe e fundit u mbyll në vitin 1996.

Shumë të mbijetuar kanë pohuar abuzime nga drejtuesit dhe mësuesit, të cilët i zhveshën ata nga kultura dhe gjuha e tyre.

Të paktën 3,200 studentë nuk u kthyen kurrë në shtëpi. / © Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA