Trump: Biseda me “të dy palët” përderisa vazhdon operacioni i Turqisë

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se po bisedon me “të dy palët” përderisa Turqia po zhvillon operacionin “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump tha se Turqia “për një kohë të gjatë” ka planifikuar të nis operacionin kundër grupit terrorist “YPG, degës siriane të PKK-së”.

“Ata kanë luftuar përgjithmonë. Ne nuk kemi asnjë ushtar apo ushtri afër zonës së sulmit. Jam duke u përpjekur të përfundoj ‘Luftërat që nuk mbarojnë’. Duke biseduar me të dy palët”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Twitter.

“Turqia është anëtare e NATO-s të tjerët thonë qëndro jashtë, lërini kurdët të luftojnë betejat e tyre (madje edhe me ndihmën tonë financiare)”, shtoi Trump, duke përsëritur paralajmërimet për pasoja ekonomike për Turqinë nëse ajo vepron në një mënyrë që ai e konsideron të pajustifikuar.

Të dielën, Trump njoftoi tërheqjen e forcave amerikane para fillimit të operacionit “Burimi i Paqes”, një veprim që ka tërhequr rezistencë të ashpër nga Capitol Hill.

Turqia nisi operacionin të mërkurën për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste, si dhe për të siguruar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Turqia ka theksuar se grupi terrorist PKK dhe zgjatja e saj YPG/PYD përbëjnë kërcënimin më të madh për të ardhmen e Sirisë, duke rrezikuar integritetin territorial dhe strukturën unitare të vendit.

Ankaraja po ashtu ka theksuar se mbështetja e terroristëve nën preteksin e luftimit të DEASH-it është e papranueshme.

Turqia ka një kufi prej 911 kilometrash me Sirinë dhe ka prej kohësh ka denoncuar kërcënimin nga terroristët në lindje të Eufratit dhe formimin e një “korridori terrorist” atje.

Turqia planifikon të rivendosë 2 milionë sirianë në një zonë të sigurt prej 30 kilometrash, që do të formohet në Siri nga lumi Eufrat deri në kufirin e Irakut, përfshirë Munbixhin. Megjithatë, prania e grupeve terroriste si PKK, PYD dhe YPG rrezikojnë formimin e saj.

Turqia ka çliruar nga grupet terroriste në Siri një sipërfaqe prej 4 mijë kilometrash në dy operacione të ndara ndërkufitare. Që nga viti 2016, Turqia ka kryer dy operacione të mëdha ushtarake në veriperëndim të Sirisë, atë “Mburoja e Eufratit” dhe atë “Dega e Ullirit”, për të pastruar rajonin nga grupet terroriste DEASH dhe YPG, e cila është dega siriane e grupit terrorist PKK.

Të dy operacionet u zhvilluan duke respektuar integritetin territorial të Sirisë në përputhje me të drejtën e vendit për vetëmbrojtje të konfirmuar në ligjin ndërkombëtar, rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe nën të drejtën e vetëmbrojtjes sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së.

Gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit”, forcat turke neutralizuan 3.060 terroristë të DEASH-it. Turqia ka vuajtur shumë nga sulmet e DEASH-it brenda vendit. Më shumë se 300 persona janë vrarë në sulmet e pretenduara nga DEASH-it në Turqi, ku viteve të fundit grupi terrorist ka shënjestruar civilë me bomba vetëvrasëse dhe sulme të armatosura.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne