Trump e fton Iranin të bëjë marrëveshje me ShBA

Në vlerësimin që i bëri rendit të ditës për gazetarët para nisjes në Japoni, për të marrë pjesë në samitin e G-20-s, Trump bëri një deklaratë edhe për tensionin Amerikë-Iran.

“Irani mund të bëjë çfarë të dojë, për mua nuk ka asnjë problem. Unë kam kohë plot. Për momentin ekonomia iraniane është shumë keq dhe këtë situatë ata mund ta zgjidhin menjëherë, por kjo mund të zgjasë edhe 10 vjet”, u shpreh Trump duke argumentuar masat që ai ka marrë kundër Iranit.

Trump theksoi se ata kanë vendosur sanksione shumë të forta ndaj Iranit. “Nuk jam i sigurt se administrata iraniane kujdeset për popullin e saj. Nëse ata mendojnë me të vërtetë për popullin, atëherë e bëjnë një marrëveshje (me ShBA-në). Nëse nuk e bëjnë një marrëveshje, atëherë del se ata mendojnë vetëm për veten e tyre. Në qoftë se kjo është ajo që mund të bëjnë ata, atëherë ata janë egoistë dhe budallenj”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Pas rrëzimit të një droni ushtarak nga Irani, administrata amerikane të martën i kishte zgjeruar sanksionet ndaj Teheranit në mënyrë që të përfshijnë edhe liderin fetar të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Kurse Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin kishte njoftuar se brenda kësaj jave ShBA-ja do të fuste në listën e saj të sanksioneve edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Iranit, Xhevad Zarif.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Musevi kishte thënë se ShBA-ja i kishte mbyllur plotësisht dyert e diplomacisë me sanksionet e saj të fundit duke marrë në shënjestër liderin iranian Khamenei dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Iranit, Xhevad Zarif./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne